Lajme

Grupimi demokrat i Sali Berishës mbledh sot Kuvendin Kombëtar

Partia Demokratike, Grupi i Rithemelimit që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha do të mbledhë sot në Tiranë Kuvendin Kombëtar. Edhe përse zyrtarisht nuk njihet si forcë politike, ky grupim ka marrë atributet e Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.

Mbledhja është njoftuar tre javë më parë, pas mbledhjes së Kryesisë dhe me firmë të Sali Berishës, si kryertar i deklaruar i këtij grupimi.

“Gjatë këtij Kuvendi të Jashtëzakonshëm për fatet e PD, opozitës dhe shoqërisë, në kushtet e një qeverie që ka kapur të gjitha pushtetet, bazuar në statutin e Partisë Demokratike, do të bëhet votëbesimi i kryetarit të partisë.

Në rendin e ditës janë edhe disa pika të tjera që lidhen me zhvillimet e brendshme në parti dhe gjendjen ku e ka futur Shqipërinë politika anti-shoqërore dhe anti-kombëtare e Edi Ramës”, thuhet në njoftimin publik, për Kuvendin që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, sot në orën 11.00.

Siç ka rrjedhur në media, në Kuvendin e sotëm pritet që të bëhet një bashkim i deklaruar i deputetëve që mbështesin Sali Berishën dhe atyre që janë pas Gazment Bardhit, pasi prej kohësh këto dy grupime zhvillojnë tryeza të përbashkëta.

“Kjo qëndresë që bëjnë 43 deputetë, në emër të qytetarëve që përfaqësojnë, kjo qëndresë, me të njëjtën forcë, me të njëjtin qëllim, bllokimin e një pushteti të paligjshëm, bllokimin e një pushteti të paligjshëm në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo hallkë të tij, është detyra jonë më imediate”, ka thënë Sali Berisha dy ditë më parë, duke përforcuar më tej zërat për bashkim me grupin e Bardhit.

Njoftimi zyrtar per mbledhjen e Kuvendit Kombetar - 2 Dhjetor 2023
Njoftimi zyrtar per mbledhjen e Kuvendit Kombetar – 2 Dhjetor 2023

Zyrtarisht, Partia Demokratike është e ndarë në tre grupime. I pari drejtohet nga Lulzim Basha dhe njihet ligjërisht si Partia Demokratike me vendim të Gjykatës së Tiranës, grupimi i dytë i deputetëve që mbështesin Sali Berishën dhe i treti është grupimi që mbështet Gazment Bardhin.

Ndërkohë, jo zyrtarisht është dhe një grup i katërt brenda Partisë Demokratike, shumë më i vogël se tre të tjerët që nuk preferon të mbështesë asnjë nga përfaqësuesit e lartpërmendur, por bën thirrje për një largim të figurave të vjetra dhe atyre që kanë humbur këto 10 vite përballë Edi Ramës.

Megjithatë, pritet se çfarë vendimesh do të merren në mbledhjen e sotme të Kuvendit Kombëtar të këtij grupimi të drejtuar nga Sali Berisha, përveç votëbesimit të tij. Në shumë dalje publike, ish-kryeministri është shprehur se demokratët do të nisin protestat për rrëzimin e Ramës dhe këto deklarata janë bërë edhe më të shpeshta pasi SPAK e mori atë të pandehur bashkë me dhëndrin.

//NEWSBOMB.AL