Lajme

364 apo 1? Dita e Flamurit shkoi edhe për këtë vit

Nga Artan Lame

Dita e Flamurit shkoi edhe për këtë vit, dhe më ngjan se shqiptarët ju kthyen avazeve të vjetra duke mejtuar se e mbaruan detyrën ndaj Shqipërisë.

Por Shqipëria nuk është flamuri, apo “bajraku me sorrë” si ç’i thosh Haxhi Qamili.

Edhe flamuri nuk është ajo copa e bezes poliestër që prodhohet në Kinë dhe tundet në stadium në Tiranë.

Të duash Shqipërinë nuk bëhet me një ditë të vitit, duke u dalldisur rrugëve me atë copën sintetike kineze, që edhe qinezët kanë zënë ta bëjmë sa më të hollë që të fitojnë më shumë. Eshtë i rëndë flamur’i Shqipërisë, edhe kur na ngjan i lehtë dhe që tundet kollaj.

Kjo është si puna e marrdhënies së robit me Perëndinë. S’ndryshon gjë të thuash se ti e do, puna është të të dojë Perëndia. Atëhere të vjen mbrothësia.

Edhe me vatanin, puna është të të dojë Shqipëria. Dhe Shqipëria është qibare, nuk bie kollaj në dashuri me njeri. Ajo të do kur nuk e vret.

Më e parë e punës, Shqipëria të do kur nuk i hap plagë në shpinë të saj. Plagë them, gropa, të çara, të shkulura, të ndukura, të shqyera, të prera në çdo fushë e breg e brinjë.

Shqipëria të do kur nuk hedh dinamit për të vrarë peshqit në lumë a në liqen.

Kur nuk hap gurore në Malin e shenjtë të Tomorrit për të nxjerrë pllaka guri.

Kur nuk pret pyllin për hiç mos gjë, se pylli është mushkëti e vëndit dhe shtëpi e kafshërisë dhe shpesërisë.

Kur nuk var në gardh me kocka të thyera edhe shqiponjën e fundit të egër që fluturonte maleve.

Kur nuk bën para me tregëti droge, që pastaj me paratë e fituara blen flamur për ta tundur në stadium.

Kur nuk hap gurore për çimento në Malin e shenjtë të Skënderbeut në Krujë. Në atë malin që vetë Skënderi la leshtë për ta mbrojtur nga turku dhe që ca shqiptarë më turq se turku po ja hanë sot.

Kur nuk ja kafshon edhe copëzën e fundit të bregdetit për të ndërtuar vila zengjinësh e saraje behari.

Kur nuk hap lëndinat në pyll për të mbjellë kanabis demek se do mbash fëmijët me bukë, pa menduar se bij nënash janë edhe ata që do vdesin me drogën tënde.

Kur nuk shet eshtrat e gjyshërve të vdekur në Kosinë për t’i varrosur për ushtarë të Junasë në Këlcyrë.

Kur nuk ikën nga fshati me gomone, ndërsa në fshatin tënd mbeten bagëtia pa çoban e toka pa lëruar, se ty të ka ndezur në kokë të gjezdisësh Londrën me veturë të shtrenjtë.

Kur, si ç’ikën me gomone, edhe të vish me a pa gomone për ta mbrojtur vëndin kur ta dojë siraja, pa pritur që ta mbrojë Amerika.

Kur nuk i zbraz ujrat me kimikate të punishtes tënde në lumin që, nga kjo punë e pistë e jotja, i është mbytur edhe peshku i fundit.

Kur nuk i hedh ngjyrues edhe kastravecave e domateve në degë, se ca shqiptarë të tjerë do t’i hanë, jo hasmi!

Kur nuk e ndjek me dru e gurë turistin që të ka ardhur në lokal.

Kur nuk rrethon me gardh e tel me gjëmba çdo pëllëmbë tokë, me letra e pa letra.

Kur kupton se po e plaçkitëm çdo centimetër të këtij vëndi ne – brezi që jemi – nuk do kemi ç’ti lëmë brezit që vjen. Na ka dalë borxhit tash 100 vjet Andon Zakua kur na e la me të shkrojtur: “Shqipëria është toka / ku na ka rënurë koka”.

Kur nuk e mashtron pushuesin e Kosovës, me mëndjen që s’do vijë vitin tjetër.

Kur nuk i bie me çifte çdo gjëje që lëviz maleve të mbetura, derra, kaproj, huta, ketra, sorkadhe, kunadhe e livadhe.

Kur nuk i vjedh zhavorin e lumejve, sa po bien edhe urat që i kishin themelitë në hekur e beton.

Kur nuk i hedh plehrat nga ballkoni se përton të zbresësh poshtë, që përton të zbresësh poshtë se s’punon ashensori, që s’punon se e ke prishur se s’e paguan, që se paguan se … se s’du.

Kur nuk zgjedh në parlament Këpëratë-llinjtë e Këpëratë-lleshat dhe pastaj qahesh nga të ranë në pjesë këta.

Kur nuk shkon të prishësh kalanë e Skënderbeut, si ata mëndjeprishurit në Rodon, se të paska zënë tokën që demek të parët t’a kishin lënë me ligjin 7501.

Kur nuk i merr frymën ç’do lumi e përroi e rrjedhe uji, me çentrale e hidroçentrale, me prita e diga.

Kur kupton se çdo gjë që marrim nuk ja marrim njëri-tjatrit, por ja vjedhim me pa të drejtë brezit që do vijë pas nesh. Se ka të drejtë të na thojë Shqipëria: Po mirë more djem, mirë mua më plaçkitët, e ja po jua fal, po me ç’ta mbaj e si ta begatoj brezin tjetër të shqipove kur juve t’u ketë ngrënë dheri?!

Ndaj, njëra udhë është të bëjmë këto, e shumë të tjera si këto, që Shqipëria të na thojë “ju paça djem”, por që të ndodhë kjo duhej lumenj djerse të punës dhe morali të lartër.

Udha tjatër, ajo m’e thjeshta, është të tundim atë poliestrën qineze një ditë në vit dhe të bëjmë plaçkë në kurriz të Shqipërisë 364 ditët e tjera.

Eshtë i rëndë flamur i Shqipërisë, edhe kur na ngjan i lehtë dhe që tundet kollaj.