Lajme

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari paraqitet në SPAK

Kryetari i bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK.

Hajdari është shoqëruar në SPAK nga avokati i tij, Theodori Sollaku.

Më 15 nëntor, Hjadari u mor i pandehur nga SPAK. Ai akuzohet për “falsifikim të formularit të dekriminalizimit”, pavarësisht se KQZ nuk i ndërpreu mandatin. Kjo vepër penale, sipas Kodit Penal dënohet me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.

Kujtojmë që Hajdari u paraqit SPAK vetëm pak ditë pasi drejtësia greke konfirmoi se kryebashkiaku i Kuçovës, ka qenë i dënuar. Prokuroria njoftoi KQZ se Hajdari është i dënuar nga shteti grek me dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë. Hajdari është dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, vendim i marrë më 23 qershor të vitit 1999.

Hajdari, mesa duket gjatë momenteve të vështira që po kalonte vendin, si shumë shqiptarë të tjerë ka tentuar të emigrojë ilegalisht në Greqi, por është kapur dhe dënuar nga gjykata në Janinë, në atë kohë së bashku me 18 persona të tjerë.

Më herët kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka thënë se nuk ka një shkak ligjor që Hajdarit t’i ndërpritet mandati dhe se vepra penale për kalim të paligjshëm të kufirit për të cilën ishte dënuar, nuk është një pengesë ligjore për të marrë një funksion publik.