Lajme

Kalon për gjykim dosja e Safet Gjicit, ja çfarë dëshmuan në seancë me Alma Kaçin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kalon për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici dhe shtetases Alma Kaçi.

“Korrupsion pasiv’’ për Gjicin dhe “ Korrupsion Aktiv” për Alma Kaçin, këto janë akuzat në dosjen e dy të pandehurve.

GJKKO me trupë gjykuese Atalanta Zeqirin pranoi kërkesën e përfaqësueses së akuzës Manjola Kajana për ta kaluar dosjen për gjykim, gjithashtu kërkesën e dy të pandehurve për gjykim të shkurtuar.

Por kërkesa e Gjicit për të pushuar çështjen nuk u pranua. Nëse ata do të gjenden fajtorë, do të përfitojne ulje të dënimit me 1/3.

Edhe këtë seancë, me dyer të mbyllura Kaçi ka ripërsëritur deklaratat e mëherëshme, duke thënë se ajo ishte për investigim.

Sipas Kaçit, ajo kishte dyshime se Gjici po abuzonte me pushtetin vendor dhe me detyrën, për këtë arsye kishte vendosur të kryente marrëdhënie seksuale në zyrë, për të vërtetuar dyshimet.

“Kisha dëgjuar dhe marrë informacione se zyrtarë të tillë kryenin veprime në shkelje të funksionit, përfshirë edhe Gjicin. Vendosa të bëj një investigim, nuk kisha aspak qëllim të përfitoja tender apo ndonjë favor të tillë. Doja vetëm të faktoja se si zyrtarët e lartë abuzojnë me detyrën”, – deklaroi Kaçi në gjyq.

Nga ana tjetër Gjici  nuk i ka kursyer akuzat për Alma Kaçin duke thënë se ishte viktimë e një skenari të sajuar.

 “Nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë firmë a vendim që të provojë se e kam kryer veprën penale. Është çështje e sajuar nga ushtarë politik”, -tha Safet Gjici.

Safet Gjici ne seance @ Credis: Klan News
Safet Gjici ne seance @ Credis: Klan News

Safet Gjici ra në prangat e Policisë në Tiranë më 24 qershor. Më 16 qershor në media doli një material video në të cilën ish-kryebashkiaku, asoj kohe kryetari i Bashkisë së Kukësit, shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë me Alma Kaçin, e cila i kishte kërkuar gjithashtu ta favorizonte në një projekt për rehabilitimin dhe strehimin e qenve.

Disa orë më vonë, pas publikimit të këtij materiali Gjici u detyrua që të njoftonte publikisht dorëheqjen nga posti.

Prej kësaj kohe Gjici ndodhet në qeli, ndërsa Alma Kaçi në arrest shtëpie.