Mes shumë krimeve të urdhëruara nga Laert Haxhiu, është dhe vendosja e një sasie tritoli në butikun e Rigels Rajkut që njihet gjerësisht në Shqipëri me nofkën “Noizy”.
Përmes dëshmisë së Tafanit, “Ora News” ka mësuar se kjo ngjarje është regjistruar në 8 qershor 2022 në qytetin e Durrësit, dhe sipas bashkëpunëtorit të prokurorisë Artan Tafani, plani për të bërë këtë krim ka marrë spunto pas një telefonate që ka marrë Laert Haxhiu nga nëna e tij, Florije Haxhiu dhe motra, Klea Haxhiu.
Siç tregon i penduari, Laerti është ndikuar nga nëna dhe e motra, të cilat gjatë telefonatës i janë shprehur të shqetësuara se në pamjet filmike të shfaqura në “Tik-Tok”, i ishte dhimbsur shumë Kleviol Ahmeti, kur rrihej nga grupi i shokëve të “Noizyt”.
“…kur doli një video në “Tik-Tok” që kishin rrahur Kleviol Ahmeti (Serbiano) i cili është nga Lushnja, Laertin e telefonoi nëna e tij dhe motra dhe i treguan se i ishte dhimbsur shumë Klevio, që e kishin rrahur në atë mënyrë…” – ka treguar para hetuesve Artan Tafani.
Sipas rëfimit të Tafanit, gjatë kësaj bisede me të ëmën dhe motrën, Laertin e zuri sedra dhe më porositi mua dhe Lulin që t’i bënim një dëm “Noizyt” me pretekstin se rrahja që ai i kishte bërë Klevios kishte shqetësuar familjen e Laertit.
“…në atë kohë unë rrija me Laertin dhe Lulzim Arapin te “Green City” në Tiranë. Për këtë arsye unë dhe Luli me porosinë e Laertit kemi marrë përsipër ta bëjmë si punë. Ne kemi patur tritol gjendje nga një sasi tritoli, të cilën unë e kisha marrë tek shtetasi Erisjano Abedini alias “Cano” dhe për këtë ngjarje kemi përdorur afro 1 kilogram tritol. Kam shkuar me Lulin në Durrës, pas mesnate dhe kemi qenë me automjetin tim Benz me targa AA331EB, por atë natë i kisha vendosur targa të tjera të vjedhura që nuk i mbaj mend ekzaktësisht. Tritolin dhe fitilin e përgatita në shtëpi. Kur arritëm në Durrës, makinën e parkova tek një kthesë jo shumë larg butikut ku do vija eksplozivin. Fitilin e kisha bëra pak të gjatë. E ndeza dhe shpërthimin e dëgjova pasi kisha hipur në makinë dhe isha nisur drejt Tiranës. Nga aty së bashku me Lulin shkova në Tiranë tek “Green City” ku ishim me banim…” – ka treguar Artan Tafani.
Pas kësaj ngjarje Laert Haxhiu ka falenderuar dy shokët e tij, pasi e kishte ndjere veten të plotësuar për një hakmarrje që realizoi tek “Noizy”, i cili sipas tij me rrahjen e Klevios i kishte shqetësuar nënën dhe motrën. /Marrë nga Ora News
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo
NewsBomb