Lajme

Glauk Konjufca: Nuk ka asociacion pa njohjen e Kosovës nga Serbia!

Në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se kërkesa e perëndimorve për ngritjen e asociacionit nuk do të plotësohet, nëse nuk bën trysni bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.

“Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte në statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes.” – ka thënë Konjufca

Ai e ka quajtur veprim të nxituar nga ana e ndërkombëtarëce propozimin propozimin e një statuti të tillë.

“Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian.” – tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Pjesë nga intervista

Zëri i Amerikës: Por perëndimi në fakt po i kërkon të dyja, jo vetëm asociacionin…

Glauk Konjufca: Nuk mendoj se perëndimi është serioz nga kuptimi qysh ia kërkon njohjen Serbisë për Kosovën. Deri tani, nuk më duket që Serbia ka ndjerë ndonjë presion serioz sa i përket njohjes së Kosovë.

Unë mendoj se më shumë presion është bërë mbi Kosovën për asociacionin se sa mbi Serbinë për njohjen e Kosovës, nëse i krahasoni se për cilën çështje është bërë më shumë trysni. Kështu që unë mendoj se kjo është një qasje krejtësisht e gabueshme. Kjo qasje nuk do të japë rezultate fare.

Kjo qasje përkundrazi e bën Serbinë që të ndihet komode dhe Kosovën bile e rrezikon si qasje sepse ne mund ta përjetojmë edhe sulmin e ardhshëm nga Serbia, ashtu si më 24 shtator. Por, nëse ndryshon qasja ndërkombëtare, nëse Serbisë i bëhet me dije që bashkësia ndërkombëtare e kupton me saktësi se çfarë ka ndodhur me 24 shtator dhe e kupton saktë se cila është pjesa e përgjegjësisë së Serbisë lidhur me këtë akt agresioni dhe në vend të sanksioneve që po i bëhen Kosovës do t’i bëheshin Serbisë, atëherë unë mendoj që kemi shpresë se ndoshta Serbia mund të ndryshojë një ditë.

Por, nëse e gjitha çfarë shohim është trysnia vetëm ndaj Kosovës, nëse Kosova është ajo që po i vuan sanksionet dhe Serbia nuk ka kurrfarë trysnie dhe kurrfarë pasoje në marrëdhënie as me Shtetet e Bashkuara e as me Bashkimin Evropian unë mendoj që jo vetëm se Serbia nuk do të ndryshojë, por mendoj që do t’i rriten edhe më shumë ambiciet që ta cenojë Kosovën me ndonjë sulm të njejtë, të agresionit siç ishte ai i 24 shtatorit.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo