Lajme

Koka shfajësohet pë Inceneratorin: Jam viktimë e Saliut; Bllako: Ju nxjerr faturat

Në GJKKO që prej mëngjesit të sotëm po zhvillohet seanca për të caktuar masat për të akuzuarit për Inceneratorin e Tiranës. Këta të fundit kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK duke thënë se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.

Edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se janë ngritur në bazë të opinionit politik dhe mediatik.  Gjatë fjalës së tij Koka e konsideroi veten si “viktimë” të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Kërkoj ndjesë gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve (personave që janë akuzuar në dosjet ku ai është pjesë)”, është shprehur ai.

Ndërkohë, referuar fakteve penale të bëra publike nga vetë Prokuroria e Posaçme, më herët rezultoi se Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar në mënyrë të parregullt nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, vlerën monetare prej 119,755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit për inceneratorin. Këtë përfitim të parregullt rezultoi se Alqi Bllako e ka siguruar nga Klodian Zoto nëpërmjet pagesës për pajisjen “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, me vlerë 119,755 Euro. Kjo pajisje ka shërbyer për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, operatorin ekonomik “Edmond Bllako” Person Fizik, e cila ka pasur si fushë veprimtarie prodhimin dhe tregtimin e birrës në qytetin Ersekës.

Këto akuza janë hedhur poshtë ditën e sotme nga ish-ministri Alqi Bllako i cili ka thënë se makinerinë e birrës me vlerë 119.755 e ka blerë vetë, madje disponon dhe fatura.

“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.

LEXO EDHE: SPAK: Ministri dhe drejtori i Veliaj bënë gati dokumentet për Zoton dhe Mërtirin

Gjykata e Posaçme po zhvillon sot seancën e njoftimit të masave të sigurisë të vendosura për 15 të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës, ku në mesin e tyre përfshihen Alqi Bllako, Lefter Koka dhe i besuari i Erion Veliajt, Taulant Tusha.

Prokuroria e Posaçme më herët doli me një njoftim zyrtar për hetimet për inceneratorin e Tiranës, ku firmosi 15 urdhër-arreste për politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët janë vënë në rresht për të ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri të fitonin koncesionin.

Referuar njoftimit zyrtar, u bë me dije se anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, të përbërë nga shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me shtetasit Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit, Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit dhe shtetasi Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë shkelur ligjin që koncesionin ta fitonin Zoto e Mërtiri.

Po ashtu, nga hetimet ka dalë se këta zyrtarë të lartë të shtetit kanë bërë gati dokumentet e tenderit që i duheshin dyshes së biznesmenëve, pasi i kishin njoftuar ata më parë se cilat ishin kriteret.

SPAK KA PRERË URDHËR-ARRESTE PËR:

Lefter Koka- arrest në burg

Alqi Bllako- arrest në burg

Pëllumb Abeshi- arrest në burg

Mirel Mërtiri- arrest në burg

Klodian Zoto- arrest në burg

Erjon Murataj- arrest në burg

Bledar Karoli- arrest në burg

Alba Thoma- arrest shtëpie

Valbona Ballgjini- arrest shtëpie

Taulant Tusha- arrest në burg

Namik Simixhiu- arrest në burg

Sidita Kopliku- arrest shtëpie

Jetmir Llapaj- arrest në burg

Sidita Tola- arrest shtëpie

Etleva Kondi- arrest shtëpie

 

 

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo