Bima klasike e Krishtlindjeve me lule të kuqe nuk mungon gjatë periudhës festive. Duke qenë se jemi mësuar ta shohim gjatë festave, mendojmë se është lule dimërore por në fakt nuk është plotësisht kështu.
Floristi Lefter Bizhga shpjegon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se është e mundur që këtë lule ta mbash në shtëpi përgjatë gjithë vitit duke u kujdesur si duhet. Në periudhën e saj të lulëzimit, ajo nis të çelë sërish dhe kthehet siç ishte gjatë muajit të festave.
Lefter Bizhga: Kjo është një bimë prandaj quhet edhe lulja e Krishtlindjeve, jetëgjatësia e saj fillon mesi i Nëntorit deri në mes të janarit. Pastaj është një bimë që i bien pothuajse të gjitha gjethet, shuhet në vetvete por po ta mbash ashtu siç i mbajmë gjithë bimët e tjera, duke e ujitur herë pas here, siç ka qenë në jetë, siç është bimë normale tani që duhet ta ujisim një filxhan çaji në 4-5 ditë, nuk duhet të harrohet, gjatë gjithë kohës, ashtu duhet ta ujisim dhe më pas që ajo fillon e shuhet. Kjo është bimë që shuhet në vetvete, nuk qëndron as kërcelli pothuajse.
Katerina Trungu: Mbetet vetëm vazoja.
Lefter Bizhga: Vetëm një vazo me dhe e rëndomtë.
Agida Koçi: Po pastaj si ringrihet?
Lefter Bizhga: Periudhën e kohës pastaj fillon në fillim të shtatorit fillon atë pjesën e lulëzimit të thjeshtë dhe rritjen e saj…
Agida Koçi: Po duhet t’ia kemi ruajtur kërcellin atëherë.
Lefter Bizhga: Është në vete, është e fjetur, është në dhe por nëse ne nuk e ujisim, nuk e vadisim mos të presim që vitin tjetër ajo të çelë prapë nga e para.
Floristi rekomandon që për bimët të mos përdoret uji i çezmës sepse përmban klor. Nëse është e mundur mund të përdoret ujë i pijshëm ose uji i çezmës mund të lihet të qëndrojë për 1-2 ditë. Gjithashtu ai ka edhe disa këshilla për dritën që i duhet lules së Krishtlindjes.
Lefter Bizhga: Që në momentin që e marrim,e vendosim në një ambient dhe aty e lëmë për një periudhë kohore të gjatë deri vitin tjetër. Edhe bima stresohet nëse ne e marrim, e vendosim këtu, nesër e vendosim atje, nesër e vendosim pak më me dritë, më me diell, ajo stresohet dhe prishet me 1000%.
Katerina Trungu: Duhet të ketë një vend fiks?
Lefter Bizhga: Absolutisht që po se edhe bima në vetvete stresohet, nuk ndihet mirë.
Edlina Losha Bano: Duhet ta shohë dielli?
Lefter Bizhga: E mira e kësaj bime është që duhet të jetë me diell indirekt, në ambiente të brendshme dhe me temperaturë konstante. Kur flasim në ambiente të brendshme, duam, s’duam temperaturat nuk janë as me minus siç janë jashtë, nuk janë luhatjet e zakonshme.
Sa i përket temperaturës, Bizhga thotë se ajri i kondicionuar është i dëmshëm për të gjitha bimët dhe nëse është e mundur, duhet të jenë sa më larg pajisjes.