Me një eksperiencë të gjatë tashmë në median shqiptare, Ilda Lumani, drejtuese dhe bashkëthemeluese e revistës “Bordo”, ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, për të folur rreth punës së saj aty, por edhe mbi eksperiencën si skenariste në programin “X Factor Albania”, nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Kjo nuk është hera e parë që Lumani punon me producenten e njohur, Vera Grabocka. Ato kanë një histori pune të gjatë së bashku dhe pikërisht për këtë, ka folur ditën e sotme. Skenaristja është shprehur se si është të punosh me Grabockën dhe çfarë vlerëson më tepër tek ajo.
Rudina rrëfeu se ka punuar dhe vetë shumë herët me Verën, dhe nuk e di sesi është tani. Besoj një zonjë shumë aktive, me një energji të jashtëzakonshme, u shpreh moderatorja. Skenaristja e konfirmoi se Vera, ka mbetur e pandryshuar në përkushtimin ndaj punës. “ Ajo nuk ka ndryshuar sa i përket impenjimit, përkushtimit, energjisë që nga koha që ke punuar sepse ajo vazhdon të ketë të njëjtën energji, të njëjtin motivim, sikurse unë e kam njohur në edicionin e parë të X Factor.
Është shumë kërkuese, një njeri që nuk ndalet të mësojë se cfarë ndodh, kjo gjë mua më impresionon. Sepse ndonjëherë ne vetkënaqemi sepse e dijmë se cfarë ndodh, dimë se cfarë bëjmë, por një njeri me atë eksperiencë gjysmë shekulli që ajo ka dhe që të mëson ende se çfarë ndodh në televizionet në botë dhe çfarë duhet bërë më mirë në ekran, dhe kjo është një befasi të cilën unë e vlerësoj, më pëlqen dhe frymëzohem edhe vetë. Sepse njeriu gjithë kohën duhet të mësojë dhe ne vetëkënaqemi ndonjëherë themi, i dimë gjërat, por jo, asnjëherë nuk mbarojnë këto gjërat, sidomos televizioni është dicka që vetëm zhvillohet. Dhe në qoftë se ti nuk e ndjek ritmin dhe trended e kohës, atëherë do të thotë që ndonjëherë del jashtë tregut. Fakti që Vera është “in”, dhe është aktualisht me një format shumë rinor, shumë të mirë me një patentë ndërkombëtare, dhe ka nuhatjen që është koha për t`u bërë kjo, do të thotë që është shumë avangardë dhe shumë e freskët në gjërat që bën”, tha Lumani. “Unë mendoj se pavarësisht të gjithë kësaj fryme, trendit që duket sikur po vrapon shumë shpejt, sidomos me platformat dixhitale që sot janë në kulmin e vet, unë mendoj përsëri se mediat tradicionale do të kenë fuqinë e tyre dhe pavarësisht kësaj ulje-ngritjeje që ka, zbehjeje, përsëri njerëzit do ta konsumojnë median tradicionale, edhe sot, që bëhet televizion dhe një televizion shumë i mirë në Shqipëri për hir të së vërtetës, përtej politikës por përsa i përket spektaklit, ka një nivel, sa i përket konkurencës por qoftë edhe emisionet e pasdites, ka një dëshirë dhe bëhet një punë shumë e mire”, shtoi ajo.
Rudina ndërhyri duke kujtuar se këto 30 vite, Shqipëria ka ndryshuar shumë, por që në fillim, u shpreh moderatorja me doza humori, baret dhe televizionet kanë shkëlqyer në vendin tonë.
“Pavarësisht se ka konkurencë dhe është kjo dyndja e madhe e mediave sociale, e teknologjisë, e pjesës dixhitale, sërish konsumohet televizioni. Ndoshta nuk konsumohet drejtpërdrejtë, që njerëzit të ulen sic rrinin dikur përpara televizorit, por e konsumojnë dhe në youtube, e konsumojnë në Instagram, domethënë cfarë ti bën si personazh, si emision, si autor, njerëzit e marrin. Format janë pak më të ndryshme, por në total ata konsumojnë atë cfarë media tradicionale ofron. Kjo gjë më ndodh edhe me punën time me revistën, që shpesh të duket sikur je jashtë kohe, je kundra rrymës, por ndërkohë gjithcka që unë ofroj në mediat sociale, qoftë edhe në webin e bordo.al, qoftë në Instagram, Facebook, tashmë edhe me kanal në youtube, është gjithcka prodhim i kësaj media tradicionale”, theksoi Lumani.