Lajme

Sekretariati i Etikës përjashton edhe tre deputetë të opozitës nga Kuvendi

Saimir Korreshi, Edmond Spaho dhe Kastriot Piroli janë tre deputetët e tjerë të opozitës të cilët janë përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë, duke përfshirë seancat plenare dhe punimet e komisioneve parlamentare.

Kështu ka vendosur Sekretariati i Etikës, i mbledhur këtë të premte me kërkesë të deputetëve të Partisë Socialiste.

Deputetët e mazhorancës kërkuan masa ndëshkimore për kolegët e tyre opozitarë, pas kaosit dhe tymueseve që u ndezën në seancën plenare të ditës së djeshme, datë 14 Dhjetor 2023. Megjithatë, Sekretariati ke vendosur vetëm për përjashtim.

Saimir Korreshi, Edmond Spaho dhe Kastriot Piroli mund të konsiderohen “me fat” që janë përjashtuar për 10 ditë, pasi dje u miratuan ndryshimet e reja në Rregulloren e Kuvendit që përjashtimi të bëhet mes 30 dhe 60 ditëve.

Rregullorja është kontestuar nga opozita, e cila i sheh ndryshimet si një mënyrë për t’i mbyllur gojën dhe për ta nxjerrë jashtë Kuvendit, sepse ka nisur përshkallëzim të aksionit opozitar. Rregullorja e mëparshme parashikonte përjashtim deri në 10 ditë.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo