Dyshimi për vetëvrasje nga njëri prej 300 azilantëve që mbahen në anijen hotel Bibby Stockholm, pushtoi mediat britanike paraditen e të mërkurës. Ministria e punëve të brendëshme Home Office e quajti një ngjarje tragjike duke mos treguar identitetin e viktimës.
Nga hetimet që po kryehen, Top Channel raporton se ka zbuluar se emigranti i cili i dha fund jetës të martën, në anijen hotel ku janë akomoduar azil-kërkuesit, e ankoruar në Dorset në jug-lindje të Anglisë është shqiptarë.
Ai është 27-vjeçari me inicialet L.F., i lindur në një fshat të Durrësit. Të afërmit e tij në Londër të hënën pritet të shkojnë në morgun e tij, për të parë trupin e të ndjerit dhe njohur me rezultatet e pritshme të autopsisë.
I riu shqiptar mbërriti në brigjet e Britanisë në muajin Gusht me gomone. Pas qëndrimit disa ditor tek të afërmit, u dërgua nga Home Office në një hotel-anije 6 orë larg nga Londra, ku më pas pranoi të jetojë në këtë anije-hotel.
Burime për Top Channel bëjnë të ditur se nga bisedat dhe komunikimet që i riu ka pasur me familjen, ka treguar se kushtet në hotel janë të mira, por rojet e sigurisë i dhunojnë dhe i trajtojnë si të jenë kafshë, në mënyrë jo humane.
Ky është rasti i dytë që një azil kërkues shqiptar kryen vetëvrasje në qendrat shtetërore të emigracionit në Angli.
Në fillim të Nëntorit, Alfred Dosku 38-vjeç i dha fund jetës duke u vetëvarur me çarçaf në qendrën e azilantëve “Brook House”, Angli.
Edhe ky shqiptar kishte shkuar me gomone vitin e shkruar, 2022 mes 12 mijë e 800 shqiptarëve të tjerë që zgjodhën këtë mënyrë për të shkuar nga Franca.
Qeveria angleze ka raportuar se gjatë dy viteve të fundit ka dëbuar mbi 5 mijë shqiptarë pas qëndrimit të tyre ilegal apo refuzimit të kërkesës për azil-kërkues pasi Shqipëria tani është një vend i sigurt.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo