Lajme

Përplasje në burgun Koridhalos, plagoset shqiptari Andrea Kalemi

Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi, 51 vjeç nga Memaliaj, i ka shpëtuar sërish vdekjes pasi është plagosur në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur midis datave 14 dhe 15 dhjetor, kur Kalemi është goditur me thikë nga një i burgosur 28 vjecar.

Ka qenë një person nga Egjipti që sapo ishte transferuar nga burgu i Dhomokosë, ai që ka qëlluar disa herë me thikë mbi 52 vjeçarin nga Tepelena. Ngjarja ndodhi në momentin që Kalemi po përgatitej të linte burgun për të fituar lirinë.

Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup.

Këtij të fundit, gardianët i kanë sekuestruar një thikë dhe një celular të thyer. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë. Mësohet se ngjarja është shënuar vetëm pak ditë para se Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë cast. Megjithatë burime jo zyrtare konfirmojne se pas daljes nga spitali, Kalemi është shoqëruar për në kufirin greko-shqiptar nga policia pasi e ka përfunduar dënimin dhe për këtë arsye është riatdhesuar në Shqipëri.

Andrea (Adriatik) Kalemi më 9 gusht të verës se këtij viti u qëllua në ishullin Paksos ku ndodhej së bashku me familjen. Ai mundi t’ju shpëtojë plagëve të marra dhe u mbajt në burgun famëkeq grek pasi kishte hesape me drejtësinë helene.

E shkuara e Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi

Andrea (Adriatik) Kalemi ishte i përfshirë në sagën e krimeve të lidhura me ekzekutimin e biznesmenit Edmond Papa nga Saranda dhe dyshohet se janë pikërisht njerëz të kësaj familje që kanë dashur ta eliminojnë për herë të dytë brenda vitit.

Ai është kushëri i parë i Aleksdandër Sadikajt, për të cilin thuhet se është  ekzekutuar prej njerëzve të Papës për një aferë të prishur droge.

Përballja mes dy bandave dikur aleatë në trafikun e drogës,ka prodhuar disa të vrarë dhe të plagosur ndërsa duket se ende s’ka mbaruar.

Adriatik Kalemi është larguar nga Greqia të shtunën 16 dhjetor pa asnjë masë kufizuese si nga Greqia ashtu edhe Shqipëria. Edmond Papa është vrarë në 16 dhjetor 2022, ndërsa plagosja në Koridhalos ka ndodhur në prag të vitit të tij, në 15 dhjetor.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo