Një person që i ka munguar shumë skenës muzikore ndërkombëtare është Celine Dion, e cila vitin e kaluar njoftoi se vuante nga një e njohur edhe si “sindroma e njeriut të ngurtë“. Është një sëmundje e pashërueshme, autoimune, në të cilën qelizat nervore dëmtohen gradualisht, duke rezultuar që personi të mos jetë në gjendje të lëvizë.
Sindroma e ngurtë siç quhet ndryshe, paraqet edhe konvulsione, një simptomë që vuan fort prej disa vitesh, Celine Dion, siç e kishte zbuluar edhe ajo vetë. Celine foli për shëndetin e saj gati një vit më parë kur njoftoi se do të detyrohej të anulonte turneun e saj. Dëshira për t’u rikthyer në skenë është e madhe, ndaj ka lënë të kuptohet se në një moment, kur situata ta lejojë, do t’i rikthehet sërish koncerteve. Megjithatë, një gjë e tillë duket të jetë një skenar i largët, pasi motra e saj, e cila shpesh jep një përditësim për gjendjen shëndetësore të Dionit, nuk ishte veçanërisht optimiste.
“Ajo punon shumë, por nuk ka kontroll të muskujve. Ajo që më thyen zemrën është se ajo ishte gjithmonë e disiplinuar”, tha Claudette për 7 Jours.
Më tej, ajo vazhdoi: “Është e vërtetë që në ëndrrat tona dhe të saj synimi është rikthimi në skenë. Në çfarë cilësie? Nuk e di. Kordet vokale janë muskuj dhe zemra është gjithashtu një muskul. Për shkak se është një rast në një milion, shkencëtarët nuk kanë bërë aq shumë kërkime sepse nuk prek shumë njerëz.”
Claudette ka treguar më parë se pavarësisht se ka punuar me “kërkuesit dhe mjekët më të mirë në këtë fushë“, shëndeti i Celine nuk është përmirësuar ndjeshëm. Ajo tha për gazetën “Le Journal de Montreal”: “Nuk mund të gjejmë asnjë ilaç që funksionon, por të kesh shpresë është e rëndësishme”./abcnews.al