Lajme

Ministri Balla: Shqipëria, e vendosur në dënimin e dhunës

Ministri i Brendshëm Taulant Balla mori pjesë në takimin e 10-të Rajonal Koordinues, për Zbatimin e Udhërrëfyesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor

Në fjalën e tij Balla tha se Shqipëria është e vendosur në dënimin e dhunës, me krenari mbështet iniciativat e sigurisë në nivel rajonal e më gjerë.

Sipas Ministrit Balla, Ballkani Perëndimor, një rajon me një histori komplekse, ka bërë hapa të mëdha drejt paqes dhe stabilitetit në vitet e fundit. Megjithatë, prania e vazhdueshme dhe abuzimi serioz me armët e vogla dhe të lehta kërcënon këto përpjekje dhe rrezikon progresin e arritur me mund të madh.

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:

Për mua është një nder i madh që të adresoj këtë temë në takimin Koordinues Rajonal që shënon një moment historik të rëndesishem në përpjekjet tona të përbashkëta për të implementuar Udhërrëfyesin për Kontrollin e Armeve të Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor.

Ky rast është një mundësi e madhe për të diskutuar për progresin e arritur që nga viti 2018, gjithashtu për të përsëritur angazhimin tonë për bashkëpunim rajonal dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Përtej progresit të mirë që është arritur përhapja dhe abuzimi me armët mbetet një shqetësim i rëndë që kërkon vëmendjen tonë të vazhdueshme.

Ato vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të rëndë për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe është domosdoshmëri që të ndërmarim aksion të përbashkët për të adresuar bashkërisht këtë çështje.

Ballkani Perëndimor, një rajon me një histori komplekse, ka bërë hapa të mëdha drejt paqes dhe stabilitetit në vitet e fundit. Megjithatë, prania e vazhdueshme dhe abuzimi serioz me armët e vogla dhe të lehta kërcënon këto përpjekje dhe rrezikon progresin e arritur me mund të madh.

Këto armë, shpesh qarkullojnë ilegalisht, ato kontribuojnë në dhunë, nxisin krimin e organizuar dhe kërcënojnë sigurinë dhe zhvillimin e rajonit.

Shqipëria qëndron e vendosur në dënimin e dhunës, me krenari mbështet iniciativat e sigurisë në nivel rajonal dhe më gjerë.

Ne i shprehim mirënjohje të sinqertë Bashkimit Evropian për mbështetjen e palëkundur, instrumental në përcaktimin e kornizave strategjike dhe politike në luftën kundër posedimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe eksplozivëve.

Falënderime të veçanta qeverive, të Francës dhe Gjermanisë ashtu si dhe SEESAC për qëndrimin pranë nesh gjatë gjithë kohës.

Ndikimi i Udhërrëfyesit shtrihet shumë larg sferave të bashkëpunimit, shkëmbimit të të dhënave dhe operacioneve të përbashkëta. Ai ka luajtur një rol transformues në ngritjen e profesionalizmit dhe ekspertizës në nivelet kombëtare dhe rajonale. Për më tepër, ka rritur ndërgjegjësimin në nivelin e politikave në lidhje me kërcënimet e reja, vlerësimet e riskut, pikëpamjet e integruara të gjinisë dhe shqetësimet e përgjithshme të sigurisë.

Udhërrëfyesi i ardhshëm do të vendosë një theks më të madh në këto aspekte, duke njohur kërcënimet e shkaktuara nga përdorimi i paligjshëm dhe kriminal i eksplozivëve dhe pararendësve të tyre për qëllime terroriste.

Ndërsa kalojmë nëpër këtë sezon të Vitit të Ri, është bërë një angazhim personal për të reduktuar abuzimin me piroteknikë dhe eksplozivë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe.

Bashkëpunimi midis autoriteteve relevante është forcuar për të siguruar kontrollin mbi përdoruesit e paligjshëm dhe për të parandaluar çdo ngjarje ose prishjen e qetësisë publike.

Duke theksuar rëndësinë parësore për sigurinë e të rinjëve, Ministria e Brendshme ka prezantuar Paketën e Re të Sigurisë Publike në Shkolla.

Hapa të menjëhershëm janë ndërmarrë për të përforcuar kufizimet brenda perimetrit të sigurisë në shkolla, duke përfshirë rregullat për posedimin e armëve të zjarrit në afërsi të zonave shkollore.

Ne mbetemi vigjilent në monitorimin e zhvillimeve në legjislacionin e BE-së në lidhje me kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, duke parashikuar ndikimet potenciale për përpjekjet tona të vazhdueshme në harmonizimin me Acquis të BE-së.

Transformimi i Pikës Fokale të armëve të zjarrit, në një strukturë organizative të përhershme brenda Departamentit të Policisë Kriminale është një moment historik i rëndësishëm. Kjo lëvizje synon të institucionalizojë përvojën 5-vjeçare të zhvillimit të Pikës Fokale në një strukturë të qëndrueshme me përpjekje të vazhdueshme për të rritur kapacitetet e saj teknike, profesionale dhe logjistike për shkëmbimin e të dhënave, analizën e riskut dhe hetimin.

Nëpërmjet projekteve të miratuara rishtazi, ne jemi të vendosur të forcojmë bashkëpunimin për kontrollin kufitar dhe të rrisim kapacitetet e sektorit balistik.

Për sa i përket rritjes së kapaciteteve teknike dhe logjistike për hetime të udhëhequra nga inteligjenca, pjesëmarrja jonë në sistemin EVOFINDER është e rëndësishme.

Ne synojmë të rrisim nivelin e shkëmbimit të të dhënave balistike, duke eksploruar mundësi të tilla si zgjatja e marrëveshjes PCC SEE Prüm, marrëveshjet dypalëshe me vendet e rajonit dhe aksesimi në platforma të reja për shkëmbimin e të dhënave balistike si Qendra e Inteligjencës së Armëve të Zjarrit të Europolit.

Bashkëpunimi me ekspertët e balistikës franceze ka rritur kapacitetet e Institutit të Policisë Shkencore të Policisë së Shtetit në identifikimin e provave balistike për krimet e lidhura me armët e zjarrit, përfshirë rastet më sfiduese.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju, së bashku me ambasadoren e Francës në Shqipëri, nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme, të parë në llojin e saj për rajonin dhe më gjerë për shkëmbimin e të dhënave balistike, dhe faleminderit Ambasadore që jeni këtu, për të forcuar më tej bashkëpunimin në luftën kundër krimit transancional në lidhje me trafikimin e armëve të zjarrit.

Përpjekjet tona strategjike dhe operacionale udhëhiqen nga analizat kombëtare dhe rajonale të riskut, duke siguruar një përgjigje proaktive ndaj kërcënimeve në zhvillim dhe metodologjive kriminale.

Përqendrimi në forcimin e procedurave të kontrollit kufitar, analiza e riskut dhe modernizimi i pajisjeve dhe sistemeve mbeten thelbësore për rritjen e zbulimit të trafikut të armëve të zjarrit.

Dhurimi i pajisjeve moderne nga Gjermania për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit është një nxitje e rëndësishme. Përfitimet do të shtrihen në Departamentin e Policisë Kriminale, duke rritur parandalimindhe trajtimin e trafikimit të paligjshëm dhe krimeve kufitare nëpërmjet teknologjisë më të fundit.

Një arritje e dukshme për Shqipërinë është hartimi i një Strategjie për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet forcimit të kapaciteteve hetimore, përmirësimit të sistemeve të shkëmbimit të të dhënave, Europol, Interpol dhe nxitjes së bashkëpunimit ndërkombëtar, siç është evidente në pjesëmarrjen tonë aktive në operacionet EMPACT për Armët e Zjarrit.

Si përfundim, suksesi i arritur deri tani, së bashku me nevojat dhe mangësitë përbën themelin për një Udhërrëfyes të ri. Ky udhërrëfyes duhet të përmbajë qëllime dhe aktivitete të përshtatura më mirë në përputhje me kontekstin aktual të sigurisë, duke adresuar sfidat teknologjike, përfshirë zhvillimin e modus operandi kriminal dhe kërcënimet e shfaqura që rrjedhin nga sfondet e luftës dhe dhunës.

Udhërrëfyesi i ardhshëm duhet të nxisë bashkëpunimin rajonal për të trajtuar në mënyrë efektive këto sfida.

Konsiderimi i impaktit të konflikteve të armatosura në rrënjët e trafikimit të armëve të zjarrit, identifikimi i sfidave dhe zbatimi i masave parandaluese duhet të jenë në krye të përpjekjeve tona kolektive.

Angazhimi i Bashkimit Evropian për të mbështetur vazhdimin e Udhërrëfyesit dhe procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian shërben si një shtysë thelbësore për aspiratat tona.

Pavarësisht progresit të lavdërueshëm, më lejoni të përfundoj duke theksuar nevojën për një vizion proaktiv dhe të gjerë që kapërcen kufijtë kombëtar dhe dallimet, i cili është thelbësor për të nxitur bashkëpunimin midis të gjithë aktorëve, duke na çuar drejt një rajoni më të sigurt dhe më të begatë dhe më afër standardeve të nevojshme për integrimin në Bashkimin Evropian.

Edhe një herë, të dashur miq mirësevini në Tiranë dhe ju falënderoj për përkushtimin tuaj në këtë kauzë vendimtare. Uroj që përpjekjet tona të përbashkta gjatë këtij takimi rajonal të lënë pas një impakt të qëndrueshëm për të adresuar sfidat që vijnë nga armët e vogla dhe të lehta. Faleminderit!

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo