Lajme

Letra e ish-shefit të policisë në burgun e Peqinit: Të fortët me shërbëtorë në qeli

Moderatorja Eni Vasili lexoi sonte në emisionin “Open” në News 24 letrën të cilën ish-shefi i policisë së burgut të Peqinit Nikolin Gjonpalaj i ka dërguar drejtorit të këtij burgu.

Nikolin Gjonpalaj është mes 12 zyrtarëve të arrestuar lidhur me ngjarjen në burgun e Peqinit.

Në letrën drejtuar drejtorit të burgut të Peqinit, Nikolin Gjonpalaj shpreh shqetësimet e tij në lidhje me kushtet e sigurisë në institucion, ndërsa thekson se të burgusorit janë bërë “Zotë” të qelive.

Ai thotë se disa të burgosur shërbejnë si shërbëtorë për të burgosurit e fortë. Sipas shkrimit në letër të burgosurve u është lejuar investimi në dhoma. Ata kanë kthyer qelitë në palestra dhe në vende me bokse për muzië.

TS Poll - Loading poll ...

Sipas shefit të policisë së burgut të Peqinit, ndërhyrja në dhoma dhoma ka kufizuar shumë mundësinë e kontrolleve për elemente sigurie dhe sende të ndaluara.

“Të burgosurve u është lejuar investimi në dhoma, rikonstruktim, thuajse tashmë të privatizuara. Ndërhyrja në dhoma ka kufizuar shumë mundësinë e kontrolleve për elemente sigurie dhe sende të ndaluara. T’u kërkosh të marrin të burgosur në dhoma ka qenë thuajse e pamundur. Dushet, klasa, e dhoma të tjera të përbashkëta kanë humbur destinimin e tyre ku janë shndërruar në palestra të personalizuara dhe nuk aksesohen nga të gjithë. Në dhomat e takimeve të veçanta janë bërë ndërhyrje dhe këto dhoma janë të personalizuara. Ka kondicionerë, krevate, etj. U janë lejuar frigoriferë, furra pjekjeje, aksesorë muzike, bokse muzike me përmasa të mëdha, duke rënë ndesh me ligjin.”, thuhej në letrën e lexuar nga moderatorja.

Kujtojmë se disa ditë më parë në burgun e Peqinit ndodhi një ngjarje që tronditi sistemin e sigurisë në vend. I dënuari përjetë Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Gjykata e Elbasanit dha sot masat për 12 zyrtarët e burgut të Peqinit, drejtori, shefi i regjimit të brendshëm dhe personat e tjerë të cilët ranë në pranga pas ngjarjes së ndodhur më 15 dhjetor ku i burgosuri Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje Arben Lleshin.

11 zyrtarët e policisë janë lënë në qeli, ndërsa për njërin prej efektivëve, Vilson Shimën, është vendosur masa “detyrim paraqitje” pasi ka një fëmijë të paralizuar. Masa “arrest me burg” u vendos edhe ndaj vrasësit Sokol Mjacaj, i cili rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo