Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e gatshme për çdo skenar të Serbisë.
Gjatë një komunikimi për mediat në Kosovë Osmani tha se është në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe partnerët ndërkombëtarë që të mbrohet Kosova.
“Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është që planifikon mirë dhe më e rëndësishme është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar”, tha Osmani.
Presidentja foli gjithashtu edhe për dështimin e takimit me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili nuk e priti në takim Vjosa Osmanin për shkak se kjo e fundit u vonua.
Por Vjosa Osmani tha sot se nuk ka patur asnjë anulin dhe se vonesa ka qenë çështje minutash. Me tej Osmani tha se dera e presidencës si institucioni më i lartë në vend është gjithnjë i hapur, siç ka qenë edhe deri më tani.
“Nuk ka pasur anulim. Siç edhe e kanë njoftuar nga Zyra ime ka qenë çështje disa minutëshe, çështje protokollare dhe natyrisht se dera e Presidencës është gjithnjë e hapur siç ka qenë deri më tani, në mënyrë që takimet me partitë opozitare të diskutojmë dhe t’i marrim parasysh qëndrimet e tyre dhe për aq sa është e mundshme t’i përfshijmë në qëndrimet institucionale e Republikës së Kosovës. Natyrisht që kur ata dëshirojnë që të takohemi, në mënyrë t’i unifikojmë qëndrimet për këto tema që janë të rëndësishme për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit tonë, si presidente e vendit jam e gatshme”, ka deklaruar Osmani.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo