Lajme

Kuvendi e la në duart e SPAK, protestuesit: O Berishë, të marrshim të këqijat

Kuvendi i Shqipërisë me 75 vota i hoqi këtë të enjte “mburojën” ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e lënë kështu në duart e SPAK-ut. Pas votimit për heqjen e imunitetit, seanca plenare përfundoi dhe ish-kryeministri Berisha u drejtua për te protestuesit të cilët ishin duke e pritur jashtë ambienteve të Kuvendit.

Nën thirrjet “rroftë Sali Berisha, o hero”, qytetarët demokratë të ekzaltuar iu drejtuan ish-kryeministrin duke i thënë: Të marrshim të këqijat.

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat Berisha tha jashtë Kuvendit se “narkoparlamenti votoi sot me një akt anti-kushtetues heqjen e imunitetit dhe arrestimin e tij”.

Berisha tha se ky vendim nuk do të shkatërojë opozitën por do e mobilizojë në shkallën më të lartë në moton ‘o sot o kurrë’ për t’i dhënë përgjigjen e duhur këtij regjimi.

“Sot, narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik, votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore, për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim.

Në një mënyrë apo në një tjetër, parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, dy vite më parë.

Por në qoftë se dështoi me 9 shtator, ju garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk mund të realizojë qëllimet, shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë, dhe nën moton: o sot o kurrë, do i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi. Ajo që mund të them se nga dita e sotme është se parlamenti nga klandestiniteti, përfundoi në parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot jo nga dyert zyrtare, nga dyert zyrtare të parlamentit, por nga tunelet që lidhin parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Pra, u fut nga vrima e miut në parlament.

Beteja e nisur vazhdon fuqishëm si kurrë më parë dhe e garantoj se kjo opozitë do qëndrojë e pamposhtur në mbrojtjen e idealeve demokratike të saj”, tha Berisha.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo