Shëndetësi

Arsyet pse ju dhëmbin mishrat e dhëmbëve

Dhimbja e mishrave të dhëmbëve mund të jetë shqetësuese, e madje mund ta bëjë më të vështirë procesin e ngrënies. Për fat të mirë, shumica e këtyre shqetësimeve largohen vetë me kalimin e kohës ose ju mund të përfitoni lehtësim nga trajtimet pa recetë dhe kujdesi në shtëpi.

Por, pavarësisht shkaqeve, mos i shpërfillni ose injoroni simptomat tuaja, veçanërisht nëse ato nuk përmirësohen ose përkeqësohen. Goja është porta e trupit, kështu që shëndeti oral mund të ndikojë në shëndetin e përgjithshëm dhe anasjelltas.

Jeni duke përdorur fillin dentar në mënyrën e gabuar

Mënyra e gabuar e përdorimit të fillit dentar mund të acarojë mishrat e dhëmbëve. Përdorimi i fillit në mënyrë agresive, ushtron shumë presion tek to, duke çuar në acarim. E gjithashtu edhe larja e ashpër e dhëmbëve mund të irritojë mishrat. Nëse vëreni se mishrat e dhëmbëve gjakosen pas përdorimit të fillit, kjo mund të tregojë se e nuk keni përdorur rregullisht dhe me shumë gjasa keni grumbullim të gurëzave. Përpiquni të mos ushtroni shumë presion kur pastroni dhëmbët dhe ruani një rutinë të rregullt të kujdesit ndaj tyre.

Mund t’i keni lënduar mishrat e dhëmbëve

Përtypja e ushqimeve krokante mund të shkaktojë lëndime tek mishrat e dhëmbëve. Ndonjëherë mund të ndodhë që një grimcë ushqimi të mbetet i bllokuar në dhëmbët tuaj duke krijuar shqetësim.

Mund të keni ndonjë plagë

Disa plagë të vogla shfaqen në përgjithësi në brendësi të buzëve, faqeve ose gjuhës, por është gjithashtu e mundur që ato të zhvillohen edhe tek mishrat e dhëmbëve. Lajmi i mirë është se nuk janë ngjitëse dhe zakonisht shërohen vetë brenda disa javësh. Për të lehtësuar dhimbjen provoni të shpëlani gojën me antiseptikë pa recetë. Gjithashtu shmangni konsumin e ushqimeve pikante.