Intervistë ekskluzive me Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin Cyrih
“Gjendja aktuale në kantonin tonë, është, se kemi reth 400 nxënës, me një kolektiv prej 14 personave ndër ta nëntë mësues, katër janë nga ana e prindërve një administrator dhe një kryesi të LAPSH-së prej nëntë antarësh. LAPSH në gjirin e tij ka përfshirë nxënës dhe mësues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim religjioni, partie apo krahine të cilit i përkasin, ajo qëndron në rregulloren e punës edhe në statutin tonë”, na tha ndër të tjera i pari i shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri”, Prof.Naser Ulaj.
Cyrih, 22 dhjetor
Na kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i vitit 2023. Edhe shkolla plotësuese shqipe në Zvicër, LAPSH e konkretisht kësaj here në Cyrih e bënë llogarinë e saj, se deri ku ka mbërritur me suksese. Kemi zgjedhur për të realizuar një intervistë të gjatë, me Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, mësues njëkohësisht dhe një veprimtar me plot kuptimin e fjalës.
Modest, me sinqeritet të plotë dhe me shumë dashni e profesionalizëm e bënë punën e tij. Shumica e mërgatës sonë e njohin z.Ulaj. Suksesi i tij shihet edhe në manifestimet, që mbahen në Cyrih, ku me qindra e mijëra bashkatdhetarë marrin pjesë. Në atdhe nuk është e lehtë të bashkohen qindra persona për të përcjellur një program. Z.Ulaj është nga Vuthaj (Plavë – Guci). Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka kryer në vendlindje, studimet e larta ne Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. I diplomuar në shtator të vitit 1991.
Me vendbanim në Prishtinë deri para emigrimit në Zvicër. Prej 30 vitesh jeton dhe punon në Cyrih të Zvicrës. Nga viti 1993 punon në profesionin e mësuesit në shkollat shqipe në mësimin plotësues në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) ,,Naim Frashërinë Kantonin Cyrih. Ka disa vite, që është edhe kryetar i Këshillit Kantonal të LAPSH ,,N. Frashëri
për Kantonin Cyrih.
Me shpërthimin e demonstratave të vitit 1981, me burgosjen e vëllait të tij, filluan ndjekjet dhe montimet nga më të ndryshmet, duke filluar nga shkollimi i mesëm dhe universitar dhe në vitin 1988, burgoset së bashku me dy vëllezërit, si të padëshirueshëm për sistemin jugosllav të asaj kohe. Koha kur erdhi në Zvicër ishte fillimi i krijimit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë dhe organizimi për hapjen e paraleleve të para në gjuhën shqipe. Pra, edhe ndarja e shkollës shqipe nga Ambasada Jugosllave e asaj kohe. Kësaj here, nuk do të ndalem për biografinë e gjatë e të pasur të z.Naser Ulaj, por për të bashkëbiseduar për LAPSH-in. Kam pas nderin, që herë pas here e kam përcjellur LAPSH-in edhe në Cyrih dhe kam realizuar edhe intervista më herët me Prof.Ulaj. Gjithandej Zvicrës shihej një paqartësi rreth shkollës shqipe në Zvicër. Dilema është te shumë bashkatdhetarë, se dikur ekzistonte vetëm LAPSH dhe tash është edhe Shkolla Shqipe (Kursi shqip). Po flitet gjithandej dhe nuk po dihet, se çka është në realitet. Duke e ditur edhe se z.Ulaj, ku është edhe drejtues i LAPSH-it për Cyrih, ka një numër më të madh të nxënësve shqiptarë që vijojnë në shkollën shqipe në kuadër të LAPSH-i e realizuam këtë intervistë për të mësuar për shumë gjëra, që kanë të bëjnë me LAPSH-in. Sa nxënës janë në kantonin e Cyrihut, si është gjendja e LAPSH-it për Cyrih e shumë tema të tjera.
Përshëndetje Prof. Ulaj, fillimisht ju falënderoj për kohën, që po ndani për këtë intervistë. Jeni mësues mbi 30 vite në mësimin plotësues dhe disa vjet drejtues i LAPSH-it për kantonin Cyrih, ku vërtet keni dhe respekt, sepse shihet edhe numri i bashkatdhetarëve pjesëmarrës kur organizoni manifestimet tuaja. Cila është situata aktuale e LAPSH-it në kantonin Cyrih?
Ju falënderoj shumë për mbështetjen tuaj. LAPSH “Naim Frashëri”, vitin që shkoi kemi festuar 30 vjetorin e themelimit dhe punës sonë dhe organizimin mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk ishin të lehta, por vullneti dhe angazhimi i mësuesve dhe prindërve si dhe i njerëzve qëllim mirë, për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare, ne jemi edhe sot këtu ku jemi. Gjendja aktuale sot në kantonin tonë, është, se kemi rreth 400 nxënës, me një kolektiv prej 14 personave ndër ta nëntë mësues, katër janë nga ana e prindërve, një administrator dhe një kryesi të LAPSH-së prej nëntë anëtarësh.
LAPSH-i nuk ka zgjidhje edhe për çështjen e pagesave për mësuesit. Pagesa bëhet nga prindërit. Dihet, se bëhet një punë e madhe dhe e çmueshme padyshim. Bashkëpunimi me institucionet zvicerane është shembullor, kur dihet se ju kanë dhënë hapësirë që të punoni. Në anën tjetër, mendoni, se një ditë, gjuha shqipe, të jetë e obliguar për fëmijët shqiptarë në plan programin e mësimit zviceran?
Po financimi i mësuesve që nga fillimi bëhet akoma nga prindërit, me një çmim simbolik i cili është i njëjti që kur ishte formuar LAPSH-i, deri sa çmimet tjera kanë lëvizur me të madhe ne kemi mbetur aty nga fillimi. Por, puna jonë nuk është matur e as që matet me të holla. E dijmë, se për çka kemi punuar, po punojmë e do të punojmë. Sa i përket institucioneve zvicerane, kemi një bashkëpunim shumë të mirë, ata na kanë ofruar objektet shkollore me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për nxënësit dhe mësuesit. LAPSH bënë një rol integrues në shoqërinë zvicerane, duke respektuar ligjet dhe rregullat vendit.
LAPSH është i pranuar zyrtarisht në Drejtorinë e Arsimit të kantonit Cyrih
Nxënësit në mësimin plotësues të gjuhës shqipe vlersohen dy herë gjatë vitit shkollor pra në semestrin e parë dhe në të dytin në fund të vitit shkollorë me notë 1-6 dhe nota e gjuhës shqipe u bartet në dëftesën shkollës së rregullt zvicerane.
Pajtoheni edhe Ju, se shkolla plotësuese shqipe në përgjithësi, nuk i ka punët mirë, duke e ditur numrin e vogël të fëmijëve, që po ndjekin shkollën plotësuese shqipe?
Nuk do të kisha thënë ashtu, që (shkolla shqipe nuk i ka punët mirë), por do të thoja, se nuk jemi të kënaqur me numrin e nxënësve duke parë se në kantonin Cyrih, ka një numër të madh të komunitetit tonë shqiptar, sipas statistikave në kantonin Cyrih, janë një numër mjaft i madh i moshës shkollore i fëmijëve shqiptarë, sikurse gjysma e tyre, do të përfshiheshin në mësimin shqip, ne do të duhej të kërkonim kuadro edhe nga atdheu.
Prisni një zgjidhje nga shtetet tona edhe në aspektin financiar dhe për përgatitje të stafit?
Shumë vite jemi duke pritur në këtë drejtim, por nuk kemi akoma asgjë konkrete, përpos fjalëve të mira dhe mirënjohje për punën tonë, e kamë thënë shumë here dhe do e them edhe tash, ka ardhur koha, që shtetet tona të merren me këtë çështje, dora e shtetit është shumë e nevojshme. Duhet të investojmë më shumë në shkollën plotësuese shqipe! Të gjithë e dijmë rëndësinë e gjuhës. Të mos na gjykojnë brezat që do të vijnë. Tani jemi me një situatë tjetër, shumë më të mirë, duk e ditur, se kemi dy shtete shqiptare.
LAPSH ka bërë misionin e vetë me sukses dhe ka luajtur rolin e ambasadorit sa i përket mësimit plotësues.
Shteti mundet shumë gjëra t`na ndihmon sa i përket çështjes organizative si për shembull, ne nuk kemi një zyrë tonën, që i nevojitet administratës së LAPSH-it dhe për të mbajtur mbledhjet tona, pastaj manifestimet, që i organizojmë me nxënës kushtojnë financiarisht ne i bëjmë ato duke i falënderuar sponsorët të cilët na përkrahin në këtë drejtim pa ata nuk do mund të organizohemi, por edhe për ne është vështirë të shkojmë nga zyrja në zyrë të kërkojmë lëmoshë për çdo manifestim.
Po fillojmë me pyetje direkte, sepse ne e dijmë, me vite e vite, hiq më pak se mbi 30 vjet, që ekziston LAPSH-i “Naim Frashëri” në Zvicër, viteve të fundit kanë dal zëra të ndryshëm, se ekziston edhe një kurs apo shkollë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. A është kjo ndarje nëse po, pse?
Unë nuk do të dua t`i them ndarje, sepse LAPSH qëndron aty ku ishte sot e 30 vite, por them se është krijuar edhe një subjekt tjetër. Këtu kanë të drejtë të hapin kurse të gjuhëve amtare të gjitha nacionalitetet. Mendoj, se tek ne nuk ka qenë e nevojshme, sepse LAPSH në gjirin e tij ka përfshirë nxënës dhe mësues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim religjioni, partie apo krahine të cilit i përkasin, ajo qëndron në rregulloren e punës edhe në statutin tonë. Ne kemi punuar në fillim edhe në kohë më të vështira, kur Kosova përballej me situatën që e kishte, pra nën okupim, atëherë na është dashur vërtet një përkrahje shtetërore nga shteti shqiptarë. Bëj pyetje, pse ata, që po e përkrahin nuk na dolën në ndihmë dhe të marrin përsipër organizimin e mësimit plotësues në fillimet e krijimit të LAPSH-it? Themelet e LAPSH-it nuk do të mundet askush ti lëviz, sepse është një punë e madhe që është bërë nga ditët më të vështira dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Ato themele janë mbjellur me dashni e atdhetarizëm. Sa e sa gjenerata kanë kaluar me emblemën e LAPSH-it me emrin e ndritur të Naim Frashërit. Ta mbaje përgjegjësinë secili që gabon në këtë drejtim. Një është e sigurt, se LAPSH-i prej ditës së parë e deri më sot, ka punuar shumë dhe kjo dihet nga secili.
A janë fëmijët shqiptarë, që do të humbin nga kjo gjendje?
Të flasim realitetin, se është krijuar një huti tek prindërit dhe normal kjo shkon në në të keqe të fëmijëve, por ne si LAPSH e bëjmë punën tonë sikurse e kemi bërë deri tash, nuk e kemi ndërmend të ndalemi deri sa nxënësi i fundit do të mbetet, këtë ja kemi caktuar vetit obligim moral dhe kombëtarë. Nuk kemi punuar për rrahje gjoksi e pozita, por me punë e shumë përkushtim për të mirën e gjuhës dhe kombit në përgjithësi edhe ate me shumë përkushtim e mund.
Cila do të ishte zgjidhja për një bashkëpunim me grupin tjetër?
Zgjidhja e mirë dhe e drejtë është, se emri LAPSH nuk guxon të lëkundet, as që do të mundet nga askushi, sepse i ka mbijetuar lloj lloj situate. Presim edhe shtetet tona, që të marrin përsipër me organizimin institucional. Ne nuk kemi shkuar askund, as nuk jemi ndarë nga askush, ne qëndrojmë këtu me këto forcat tona deri sa shtetet tona të shohin, se nëse e humbin gjuhën dhe rininë tonë, që po rritet e zhvillohet pa fajin e vet jashtë atdheut, kemi shkelur mbi gjakun e Naimit, Fishtës edhe shumë heronjëve tanë. Gabime mundet të ketë, sepse jemi njerëz, por puna është bërë me përgjegjësi. Ne jemi me emblemën e LAPSH-it dhe nuk do të ndryshojmë për asnjë çmim.
LAPSH-i në Cyrih ishte dhe do të mbetet i paluhatshëm, për këtë ju garantoj, sepse njoh vullnetin e madh të prindërve, mësuesve e dashamirësve.
Kemi plane, se si do të punojmë në të ardhmen dhe besoj shumë, se do të kemi edhe dyert e hapura te dy shtetet tona për t`na ndihmuar që të jemi edhe më të mirë dhe të kemi një numër më të madh të nxënësve shqiptarë. Inatet personale, që mundet ti kenë X-at ne nuk do ti shikojmë, as favoret nëse bëhen pa merita apo vetëm për zhurmë.
Sa po e kuptojmë, fajin nuk duhet ta marrin ata prindër që nuk po i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe?
Jo, prindërit asesi nuk janë fajtorë, ata duhet vetëm të punojnë edhe në të ardhmen, në këtë drejtim, që ti motivojnë fëmijët e tyre dhe të bash punojnë me LAPSH-in. Ti koordinojmë gjërat, se si të organizohemi më mirë, që fëmijët e tyre ti dërgojnë në mësimin plotësues. Presim bashkëpunim edhe nga eksperta të tjerë dhe dashamirës dhe do t
ia dalim me suksese.
Nuk besoj, se duhet fshehur, se e ardhmja e shkollës plotësuese shqipe, do të dëmtohet edhe më shumë me këtë situatë?
Nuk dua ta pranoj! Nuk na duhen ndarjet! Gjuha na bashkon! Rinia pret nga ne! Sugjerimet, kritikat duhet pranuar, por asesi ndarjet. Mjaft na ka ndarë armiku! Diaspora duhet të jetë e bashkuar! Nëse qëndrojmë të bashkuar edhe te punët tona, do të shikohen ndryshe dhe do të kemi edhe më shumë suksese. Fati i madh i joni është, se po jetojmë në Zvicër, ku të gjitha të mirat i gëzojmë dhe u jemi falënderues pafundësisht.
Keni kontakte me kryetarin e LAPSH-it në nivel
Zvicre, sepse, sipas burimet tona të sigurta, ju LAPSH i Cyrihut në Kuvendin zgjedhorë i keni pas lëshuar punimet e atij Kuvendi?
Po, ashtu është. Në kuvendin zgjedhorë, ishin disa pakënaqësi që i kishim të cilat ishin jashtë rregullores dhe statutit të LAPSH-it, të cilat u panë se kërkesat tona ishin të drejta dhe pas disa muajve u bë përsëritja e Kuvendit, duke dhënë dorëheqje kryetari dhe u organizuan zgjedhjet përsëri. Ku po shihet, se kemi pasur të drejtë me ato sugjerime, të mos i quaj kritika. Kur është në interes LAPSH-i ne duhet të themi vetëm të vërtetën. Sa i përket kontakteve me kryetarin në nivel të Zvicrës, sipas nevojës normal kemi kontakte, por duhet thënë, se organizimi i LAPSH-it thuaj se është në nivele kantonale.
Është bërë ndonjë përpjekje për unitet nga ana e LAPSH-it qendror?
Ju thash e po ju them përsëri, LAPSH-i nuk është i thyer. Ne jemi ata që ishim e do te jemi. Më duhet ta them të drejtën, sepse edhe nga natyra dhe jam i rritur e edukuar, që ta them të drejtën, pavarësisht, se është e dhimbshme, asgjë konkrete nuk kemi, vetëm atë çka kemi dëgjuar apo parë nga mediat.
Nga ana e shteteve tona, Shqipëria dhe Kosova, ka ndonjë përpjekje për unitet?
Edhe nga shtetet tona, asgjë konkrete. Ne vazhdojmë me punën tonë. LAPSH-i në Cyrih ka punuar e do të punoj pa u ndalur. Në manifestimet tona përplot me bashkatdhetarë, ashtu edhe siç e theksuat edhe ju dhe e keni parë, dëshmon, se jemi duke punuar dhe do të punojmë edhe ma shumë. Ne duam që të kemi bashkëpunim me shtetet tona edhe ma shumë dhe po besoj, se do të takohemi e do ti tregojmë hallet tona dhe idetë, që LAPSH-i meriton të përkrahet.
LAPSH-it nuk është i ndarë në shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo nga Lugina e Preshevës?
LAPSH nuk ka qenë edhe nuk do jetë kurrën e kurrës i ndarë në krahina, parti apo besimi. Ne kemi një, gjuhë, kombi e flamuri na bashkon. E thash edhe më herët, në mesin tonë si te prindërit si te kuadri arsimorë, kemi pasur mësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Pra nga të gjitha trojet shqiptare, kjo është edhe rregullore në statutin tonë. Nuk do të ndalemi kësaj vije të shëndosh.
Po me ambasadat tona, qoftë me atë të Shqipërisë dhe Kosovës, keni bashkëpunim?
Ne me të gjithë ambasadorët kemi pasur bashkëpunim, si me atë të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. I kemi ftuar në manifestimet tona çdo herë, kanë marr pjesë shumë herë, në këto vitet e fundit, ambasada e Shqipërisë në Bern, nuk na ka ardhur. Ka një kohë të gjatë, prej kur është lajmëruar shkolla tjetër edhe pse ne i kemi ftuar çdo herë. Arsyen nuk po e dijmë. Do t`ia lëjmë kohës për të gjetur arsyen. Ne i kemi respektuar më shumë se të tjerët, duke iu dhënë fjalën të parëve, si shtet amë. Ne respektojmë shtetin dhe detyrën që e kanë. Asgjë personale nuk e marrim. Për ne, çdo ambasadorë që vjen e nderojmë, sepse është shteti jonë. Kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë, sepse është shteti ynë. E puna e atyreve është, se a janë afër nesh apo jo. Ne i mirëpresim në çdo kohë. Ndoshta, më duhet ta them, se si duket, ata nuk duan bashkëpunim me LAPSH-in, sepse kështu e kanë cekur edhe në letrën e dërguar drejtorisë së arsimit në Cyrih.
Sa i përket neve, ne jemi për bashkëpunim me të gjitha ambasadat e trojeve shqiptare dhe do ti ftojmë çdo herë në manifestimet tona të LAPSH-it.
Ju thash edhe më lartë, ne nderojmë shtetin dhe pozitën e secilit, sepse LAPSH-i nuk është firmë, është institucion kombëtarë, që ka mbajtur gjallë gjuhën shqipe më shumë se 30 vite e do të mbijetoj. Tekefundit, zëri i fëmijëve, që po rriten dhe edukohen në diasporë, do ti kërkojë institucionet e vendeve të të parëve të tyre edhe në të ardhmen, sepse ata janë shqiptarë dhe mburren e krenohen me flamurin tonë kombëtar kuq e zi.
Cila do të ishte zgjidhja më e mirë e kësaj tymnaje nëse mundemi ta quajmë?
Po. E thash edhe më lartë dhe nuk deshta të zgjerohem më shumë, duke ia lënë kohës. Janë të njoftuar të gjitha institucionet e dy shteteve tona nga kryetari i LAPSH-it në nivel Zvicre dhe nga ana jonë, kuptohet nga Cyrihu. Mendoj, që zgjidhja duhet të jetë nga nivelet institucionale të dy shteteve. Ne e dijmë, se si erdhi deri te kjo situatë, por për hirë të shumë gjërave, nuk dua ti përmendi publikisht për momentin, por po vjen koha që duhet ti themi të gjitha me fakte, sepse për ne primare është gjuha, kombi e flamuri e jo individi apo gradimet.
Ne e kemi dëshmuar edhe në periudha të ndryshme, se deri në frymën e fundit të kësaj bote, do të punoj për gjuhën amtare, pa shikuar të mirat materiale apo pozitave.
Kurrë nuk do të rrahi gjoksin për angazhimin tim, që e kam bërë, sepse e kam pasur e do ta kem obligim kombëtar. Do ia lëjmë në ndërgjegjen e secilit se çka bënë. Por, një është e sigurt, bërthama e familjes së LAPSH-it nuk duhet të anashkalohet, sepse rreth saj, kishte e ka veprimtarë që kanë shkrirë jetën për gjuhën shqipe. Vijnë e shkojnë figura të ndryshme, por LAPSH-i do të mbetet emblem uniteti i shqiptarëve.
Sa herë jeni takuar apo thirrur nga LAPSH-i në nivel Zvicre që të realizoni ndonjë takim me Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës?
Po, unë jam ftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bern për një takim me Ministren e Arsimit znj. Nagavci dhe kemi biseduar për të gjitha, është në dorën e tyre çka më tutje, ne si LAPSH, po bëjmë dhe do bëjmë tutje punën tonë. Ata janë të njoftuar me gjithçka, me detaje e fakte.
Vitet që po vijnë, shkolla plotësuese shqipe, do të jetë në rrezik së ekzistuari?
Kurrë nuk do të jetë në rrezik. Jo nuk mendoj ashtu, por them, se ne jemi një institucion i pranuar nga shteti zvicran si partner i besueshëm për shumë vite dhe punojmë sipas ligjeve të tyre dhe vetëm ata, që na kanë pranuar zyrtarisht munden edhe t`na shuajnë, përndryshe ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Përkrahjen e kemi nga bashkatdhetarët tanë dhe do ta kemi edhe në të ardhmen, sepse e dijnë punën tonë të sinqertë dhe me shumë sakrifica që bëjmë e që është bërë.
Bëhet punë e madhe nga ju mësuesit dhe me shumë stres, por sa po çmohet nga institucionet tona?
Ta thash edhe më herët, çmohet me fjalë, por jo me vepra konkrete. Ne nuk kemi bërë e as që do të bëjmë punë për t`na dhënë lavdërata dikush.
Gëzimi dhe rezultati jonë është, që të punojmë, që gjuha jonë shqipe të ruhet e të jehoj brez pas brezi dhe do të jehoj pa asnjë dyshim.
Vetëm se duhet një riorganizim më i mirë dhe mbështetje nga dy shtetet tona.
Keni bërë ndoj program, se si të shtohet numri i nxënësve?
Po, ne çdo herë mundohemi me metoda të reja që të sensibilizojmë prindërit dhe ti motivojmë që sa më shumë të dërgojnë fëmijët e tyre në gjuhën amtare, në vitin që po hymë, kemi në program që të mbajmë një takim të gjerë me prindër shqiptar që të diskutojmë për të gjitha vështirësitë dhe problemet ti dëgjojmë edhe mendimet dhe idetë e tyre për një sukses të përbashkët, puna jonë është e lidhur më faktorin prind për këtë shkak edhe quhemi Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar. Kemi plane e projekte dhe besoj, se do ia dalim, duke e ditur qëllimin e mirë që e kemi.
Në manifestimet, që organizoni, shihet një pjesëmarrje e madhe e bashkatdhetarëve, kjo dëshmon, se keni përkrahje?
Manifestimet e LAPSH-it tek prindërit janë bërë një rutinë dhe i presin me kënaqësi, më beso, se duhet shumë punë për një organizim të mirëfilltë, por e bëjmë me vullnet kur e dijmë, se fëmijët dhe prindërit presin me padurim këto manifestime. Prindërit na përkrahin shumë dhe bashkëpunimi është i shkëlqyer. Këto manifestime janë shumë të rëndësishme për nxënësit sepse duke recituar në gjuhën amtare, heronjëve dhe datave të historisë sonë, ata pasurohen edhe më shumë me kulturën dhe historinë, këto nuk do ti harrojnë kurrë, pastaj do të përvetësojnë gjuhën dhe përvojat më shumë kur këto i thonë para publikut. Ndihmën më të madhe na e bëjnë sponsorët të cilët e çmojnë punën tonë dhe financiarisht na përkrahin të cilët i falënderoj përzemërsisht.
Sa jeni i kënaqur me vitin 2023 që po e mbyllim?
I kënaqur pjesërisht, sepse sipas përqindjes së popullatës sonë në kantonin Cyrih, do të duhej që të kemi më shumë nxënës.
Po shpresojmë, se vitet që po vijnë, do të kemi vërtetë ndonjë ndihmë institucionale, pastaj edhe punët do t`na shkojnë më mirë dhe nuk do të mungojë edhe suksesi.
Na duhet punë e punë e jo foto e video nëpër media se po bëjmë diçka. Ne nuk favorizojmë veten personale, por institucionin që e ka një emër të shenjtë, LAPSH « Naim Frashëri ».
Fjala jote përshëndetëse për të gjithë bashkatdhetarët dhe çka pret në vitin e ri 2024?
Unitetet te diaspora jonë e shkëlqyer, sepse vetëm të bashkuar mund tia dalim. Falënderoj të gjithë, kryesinë e LAPSH-it për Cyrih, mësuesit, prindërit, nxënësit, sponsorët dhe të gjithë ato media, që ishin e mbesin besnike për të mirën e gjuhës shqipe. E dijmë, se sa ka kontribuar diaspora jonë për atdheun. Shfrytëzoj rastin, që të gjithë nxënësve, prindërve, mësuesve dhe veteranëve të arsimit, t
ia uroj vitin e ri 2024, mbarsi dhe shëndet në familjet tuaja. Do ta përfundoj me një thënje të Sami Frashërit: « NJË POLULL QË HUMBË GJUHËN E VET ËSHTË I HUMBUR DHE I HARRUAR ».
Ju falënderoj shumë edhe njëherë dhe po besojmë, se do të gjendet bashkëpunimi dhe do ti kalojmë pengesat për të mësuar gjuhën shqipe, brezi i ri?
Të faleminderit dhe njëherë për përkrahjen që e ke bërë me vite e vite drejt LAPSH-it « Naim Frashëri », si gazetarë, editorë e redaktorë, ku pastaj ishe mësues dhe anëtarë nderi. Besoj, se edhe mediat tjera në përgjithësi kudo që janë, do ta përkrahin LAPSH-in, sepse ishte dhe do të mbetet i vetmi institucion që i bashkon të gjithë shqiptarët. Dera e LAPSH-it është e hapur për të gjithë ata, që ia duan të mirën ardhmërisë. Ne nuk do të ndalemi për të mirë. LAPSH-i në Cyrih nuk e shikon, se cilës parti i përket, besim apo krahine. Të punojmë për shkollën plotësuese shqipe « Naim Frashëri » dhe të mos ndalemi për jetë./ Intervistoi: Dashnim HEBIBI