Lajme

Ofensiva e Izraelit në Gazë është “ndër më shkatërrueset në histori”

Fushata ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës, thonë ekspertët, është tani në mesin e luftërave më shkatërruese dhe vdekjeprurëse në histori. Brenda vetëm dy muajve, ofensiva izraelite në Gazë ka qenë shumë më shkatërruese se sa rrënimi i Alepos në Siri gjatë viteve 2012-2016, se i Mariupolit të Ukrainës dhe se bombardimi i Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Ka vrarë më shumë civilë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në fushatën e tij trivjeçare kundër grupit të Shtetit Islamik.

Ushtria izraelite ka folur shumë pak për llojin e bombave dhe artilerisë që po e përdor në Gazë. Por, nga copëzat e shpërthimeve të gjetura në vend të ngjarjes dhe nga analizimi i pamjeve të sulmeve, ekspertët janë të bindur se shumica dërrmuese e bombave të hedhur në enklavën e rrethuar janë të prodhuara nga SHBA-ja.

Ata thonë se armët përfshijnë edhe bomba me peshë 900 kilogramë, të njohura si “bunker-buster”, si pasojë e të cilave janë vrarë qindra njerëz në pjesët e mbipopulluara.

Derisa numri i përgjithshëm i të vrarëve në Gazë ka arritur tashmë në 20.000, komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për armëpushim.

Izraeli zotohet se do të vazhdojë me luftën, duke thënë se dëshiron t’i shkatërrojë kapacitetet ushtarake të Hamasit, grupit radikal palestinez, i cili e kreu një sulm tronditës në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer rreth 240 të tjerë.

Administrata e presidentit Joe Biden ka vazhduar ta furnizojë qetësisht me armë Izraelin. Javën e kaluar, megjithatë, Biden publikisht e pranoi se Izraeli po e humb mbështetjen ndërkombëtare për shkak të bombardimit të pakujdesshëm të Gazës.

Ja çfarë dihet për fushatën e Izraelit në Gazë deri tani.

Izraeli i ka shkatërruar dy të tretat e të gjitha strukturave në veri të Gazës dhe një çerek të ndërtesave në zonën jugore, Kan Junis, sipas një analize të pamjeve satelitore nga Corey Scher prej CUNY Graduate Center dhe Jamon Van Den Hoek prej Universitetit Shtetëror të Oregonit, të dy ekspertë për analizimin e shkatërrimit nga lufta.

Përqindja e ndërtesave të dëmtuara në Kan Junis pothuajse u dyfishua brenda vetëm dy javëve të para të ofensivës së Izraelit në jug, thanë ekspertët.

Këtu përfshihen dhjetëra mijëra shtëpi, shkolla, spitale, xhami dhe depo.

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se rreth 70 për qind e ndërtesave shkollore në Gazë janë dëmtuar. Sulmet izraelite i dëmtuan 110 xhami dhe tri kisha, sipas tyre.

Izraeli e mban Hamasin përgjegjës për vdekjen e civilëve në Gazë, duke thënë se po i përdor civilët si mburojë njerëzore.

“Gaza tani ka pamje tjetër nga hapësira. Është strukturë tjetër”, tha Scher, i cili ka punuar me Van Den Hoek për ta analizuar shkatërrimin e shkaktuar nga lufta në Alepo, Mariupol dhe vende të tjera.

Shkatërrimi në Gazë ka ndodhur shumë më shpejt se shkatërrimi në Gjermani nga bombardimet e aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mes viteve 1942 dhe 1945, aleatët i sulmuan 51 qytete të mëdha dhe qyteza gjermane, duke i shkatërruar 40-50 për qind të zonave të tyre urbane, sipas Robert Pape, historian ushtarak amerikan.

Sipas tij, kjo përbënte 10 për qind të të gjitha ndërtesave në Gjermani, krahasuar me 33 për qind të atyre në Gazë, vendin me popullsi të ngjeshur dhe territor prej vetëm 360 kilometrave katror.

Në Gazë u krye njëra nga fushatat më intensive të ndëshkimit të civilëve në histori. Ajo është tani në mesin e vendeve që janë përballur me fushatat më shkatërruese bombarduese”, tha Pape.

Sulmi i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara më 2017 për ta dëbuar grupin e Shtetit Islamik nga qyteti i Irakut, Mosul, cilësohej si njëri prej sulmeve më intensive ndaj një qyteti. Mbi 10.000 civilë u vranë gjatë asaj beteje nëntëmujore, një e treta nga bombardimet e koalicionit, sipas një hetimi të Associated Press në atë kohë.

Gjatë fushatës 2014-2017 për ta mposhtur IS-in në Irak, koalicioni e kreu gati 15.000 sulme nëpër vend, sipas Airwars, një grup i pavarur në Londër i cili i gjurmon konfliktet e fundit. Nëse e krahasojmë, ushtria izraelite tha javën e kaluar se i ka kryer 22.000 sulme në Gazë.

Ushtria izraelite nuk ka treguar se çfarë po përdor. Ajo thotë se çdo sulm aprovohet nga këshilltarët ligjorë për t’u siguruar se është në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

“Ne e zgjedhim municionin e duhur për secilin sulm, në mënyrë që të mos shkaktojë dëme të panevojshme”, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari.

Ekspertët e armëve kanë qenë në gjendje të nxjerrin përfundime duke i analizuar copëzat e shpërthimeve të gjetura në vendngjarje, pamjet satelitore dhe videove që kanë qarkulluar në rrjetet sociale. Ata thonë se gjetjet ofrojnë vetëm një grimcë të përmbajtjes së plotë të luftës në ajër.

Deri tani, janë gjetur në Gazë pjesë të bombave amerikane JDAM, si dhe të bombave me diametër më të vogël, sipas Bruian Castner, hetues i armëve nga Amnesty International.

Bombat JDAM përfshijnë bomba precize “bunker-busters” 450 dhe 900 kilogramësh.

Bomba “bunker-buster” është një lloj municioni i dizajnuar për të depërtuar brenda caqeve të forta, apo caqeve të thella nëntokësore, siç janë bunkerët ushtarakë.

Ekspertët i kanë identifikuar copëzat e bombave SPICE që peshojnë 907 kilogramë, të cilat janë të pajisura me sisteme për udhëzim, në mënyrë që ta bëjnë më të saktë goditjen e cakut.

Castner tha se këto bomba janë të prodhuara nga gjiganti izraelit i mbrojtjes, Rafael, por një publikim i Departamentit amerikan të Shtetit së fundmi tregon se disa prej tyre janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

Izraeli thotë se i ka dy synime: Ta shkatërrojë Hamasin dhe t’i lirojë 129 pengjet që po mbahen ende nga militantët.

Gjatë këtyre 11 javëve luftë, Izraeli thotë se i ka shkatërruar shumë zona të Hamasit dhe qindra tunele dhe se i ka vrarë 7.000 luftëtarë të Hamasit nga rreth 30.000 deri në 40.000 sa numëron ky grup.

Liderët e Izraelit besojnë se trysnia e madhe ushtarake është mënyra e vetme për t’i liruar pengjet.

Por, familjet e disa pengjeve brengosen se bombardimet përbëjnë rrezik për më të dashurit e tyre.

Pengjet e liruara gjatë armëpushimit njëjavor muajin e kaluar treguan se si pengmarrësit e tyre i lëviznin ato nga vendi në vend për t’i shmangur bombardimet izraelite.

Hamasi pretendon se disa pengje janë vrarë nga bombardimet izraelite, por pretendimi i tij nuk mund të verifikohet.

Shkalla e rrënimit është kaq e lartë, sepse “Hamasi është i ngulitur thellë brenda popullsisë civile”, tha Efraim Inbar, kryetar i Institutit të Jerusalemit për Strategji dhe Siguri.

Ai tha, po ashtu, bombardimet intensive të tuneleve të Hamasit janë të nevojshme për t’i mbrojtur forcat tokësore izraelite nga sulmet.

Marrë nga REL

 

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo