Nga Ilda Lumani
Fotografia: Gent Onuzi
Këtë fund nëntori pata një gëzim personal. Shoqja ime e ngushtë u bë nënë për herë të parë, në moshën 43-vjeçare. Gëzim i pamatë! Pas shkëmbimit të mesazheve të urimit, shkova në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku kishte lindur dhe teksa më tregonte sesi kishte ardhur në jetë bebi Siar, më përshkroi përkujdesjen mjekësore dhe atë emocionale që i kishte dhënë veçanërisht mjeku anestezist/reanimator. Si quhej e pyeta, me një buzëqeshje vetëdijeje dhe plot siguri. “Është doktori më i mirë reanimator këtu, më tregoi doktoresha ime (gjinekologia), quhet Agron Delilaj”. Qesha dhe zemra mu bë mal. Doktor Goni është kushëriri im dhe një nga mjekët më të mirë të fushës, ku prej vitit 2010 jep kontributin e tij në maternitetin Gliozheni, e gjithashtu edhe doktori që ka asistuar në dy lindjet e mia, ndaj çdo fjalë që më thoshte shoqja ime, për përkujdesjen dhe qetësinë që i kishte falur në ato momente të rëndësishme dhe delikate gjatë lindjes, i kisha të jetuara dhe mëse të qarta. Në fakt, kushdo që ka qenë pacient i Dr. Gonit ndan të njëjtën përshtypje me mua! Duke marrë shkak nga kjo ngjarje e freskët, vendosa të bëja një bisedë pune me të, pikërisht për të ndarë një ditë të veçantë për gjithë njerëzit, por tejet ndryshe për mjekët dhe ata që natën e ndërrimit të viteve, nuk e shohin si festë, por si vigjilencë!
Janë disa profesione, që edhe pse gëzojnë respektin e njerëzve, janë të detyruar të mos njohin festa dhe ditë pushimi. Ku do t’ju gjejë ky fundvit doktor Delilaj?
Po, shumë e vërtetë! Për punonjësit e shëndetësisë të gjitha ditët janë njësoj, që do të thotë jemi në punë, në shërbim të njerëzve në nevojë. Edhe këtë fundvit si gjithnjë do të jem në punë, mjek roje 24-orësh te materniteti “Koço Gliozheni”, në ndihmë të nënave që sjellin në jetë foshnjat e tyre.
A e festoni ndërrimin e viteve në punë? Në ç’mënyrë?
Po, po, e festojmë! Në 35 vite punë, si Anestezist-Reanimator, më ka qëlluar ta festoj shumë herë me ekipin e rojës. Dhe në fakt, e kalojmë shumë bukur. Ndonjëherë qëllon që sa ulemi për të festuar, na vjen ndonjë urgjencë dhe aty lihet gjithçka që ka të bëjë për festën, e të gjithë vrapojmë të zgjidhim rastin.
Cila është kënaqësia e të punuarit në maternitet?
Më ke kapur në pikën e dobët, sepse e dua shumë punën që bëj në maternitet. Nuk ka gjë më të bukur sesa t’i shërbesh një nëne, që sjell në jetë foshnjën e saj. Gruaja është krijesa më e bukur e kësaj bote. Ato të dëgjojnë, të kuptojnë, të besojnë dhe të falënderojnë me shumë dashamirësi, e nuk të harrojnë kurrë për mbështetjen që u ke dhënë.
A keni marrë ndonjë urim të veçantë nga pacientët, që mund ta veçoni?
Po, gjithnjë! Urimet nuk kanë munguar nga pacientët apo familjarët e tyre, secili në mënyrën e vet. Nuk do të veçoja ndonjë urim, pasi edhe atë më të thjeshtin qoftë edhe me dy fjalë, unë e vlerësoj shumë, për mua tregon mirënjohje dhe respekt. Më gëzon çdo urim që marr nga pacientët e mi!
Në gjithë këto vite pune, përtej respektit dhe vlerësimit që ka profesioni i mjekësisë nga njerëzit, a mendon se është i vlerësuar financiarisht sa duhet?
Për fat të keq, jo! Kjo është dhe një arsye pse sot shumë mjekë e infermierë largohen nga Shqipëria për në vende europiane, pasi e shohin që vlerësimi financiar e kushtet e punës janë më të mira, e ndihen më dinjitozë. Gjithsesi pavarësisht këtyre, unë e dua profesionin tim dhe do të vazhdoj ta ushtroj, sa të kem mundësi. Është shumë bukur të bësh punën që bëj unë!
bal