Protestat e opozitës që kërkojnë anulimin e zgjedhjeve në Serbi, janë shoqëruar me përleshje të dhunshme. Demonstrata përfundoi në orët e vona të së dielës, dhe të paktën 35 protestues janë arrestuar me akuzën e përpjekjes për të sulmuar institucionet.
Për të shtatën ditë radhazi, “Serbia kundër dhunës”, grupi kryesor i opozitës, kishte organizuar një demonstratë antiqeveritare për të denoncuar mashtrimet e supozuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Protesta degradoi deri në përleshje të dhunshme, ku me mijëra protestues u drejtuan drejt Bashkisë për ta sulmuar atë. Shumë persona u përpoqën që të kalonin gardhet dhe të futeshin me forcë në ndërtesë. Disa punonjës policie u plagosën, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje të rëndë pasi u goditën me gutë dhe sente të tjera.
Siç njoftoi në mbrëmje presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të paktën 35 protestues të dhunshëm u arrestuan me akuzën e tentativës për të sulmuar institucionet. Ndërkohë, sipas kryetarit të bashkisë së Beogradit, Aleksandar Sapiç, ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje në Beograd mund të krahasohet me kryengritjen e Maidanit të vitit 2014 në Kiev, e cila filloi me protestat antiqeveritare të fillimit të vitit 2014 në sheshin qendror të kryeqytetit ukrainas. Sapiç tha se ngjarjet e së dielës ishin të jashtëzakonshme, duke pasur si objektiv sulmin e dhunshëm ndaj zyrave institucionale.
Prej 18 dhjetorit opozita serbe është future në grevë urie dhe protesta të vazhdueshme. Ata pretendojnë se qeveria ka rrëmbyer fitoren, teksa i kanë bërë thirrje inistucioneve evropiane që të mos njohin rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo