Gjyqtarët rusë bënë me dije ditë më parë se kanë ndërprerë procedurat penale për liderin e gurgosur të opozitës Alexei Navalny, pasi ky i fundit kishte gati dy javë që nuk ishte kontaktuar me avokatët e tij. Navalny, i cili është dënuar me gati tre dekada burg, u zhduk javën e kaluar nga një burg afër Moskës dhe dyshohej se ishte transferuar në një koloni “regjimi special”, ku mund të mbahej larg të gjithëve dhe pa patur komunikim me asnjë.
Ndërkohë, sipas mediave të huaja mësohet se Navalny ndodhet në një burg të Artikut. Ka qenë vetë zëdhënësja e tij, Kira Yarmish, e cila ka bërë me dije se kritiku i Putinit është gjetur dhe ndodhet në një burg të Artikut.
“Kemi gjetur Alexei Navalny. Ai tani është në IK-3 në vendbanimin Kharp në distriktin autonom Yamal-Nenets”, shkroi Kira Yarmysh në X.
Navalny konfirmoi të martën se ai ishte transferuar në koloninë penale IK-3, me nofkën “Ujku Polar”, në qytetin verior të Kharp, rreth 1,900 km (1,200 milje) në verilindje të Moskës. Ai u vizitua nga avokati i tij duke bërë me dije se ndodhet në gjendje të mirë.
Në një reagim zyrtar avokati i Navalnyt, Ivan Zhdanova, e quajti IK-3 si një nga burgjet më veriore dhe më të largëta të burgjeve në Rusi. Ai tha se kushtet aty janë të ashpra, me një regjim të veçantë.
“Kushtet atje janë të ashpra, me një regjim të veçantë në zonën e permafrostit. Është shumë e vështirë për t’u arritur dhe nuk ka sisteme për dërgimin e letrave ose për telefonata.
“Situata me Alexei është një shembull i gjallë i mënyrës sesi sistemi i trajton të burgosurit politikë, duke u përpjekur t’i izolojë dhe shtypë ata”, tha ai, duke e lidhur izolimin e Navalny me zgjedhjet presidenciale të Rusisë të vitit 2024, në të cilat Putini pritet të fitojë mandatin e tij të pestë.
IK-3, në rrethin autonom Yamalo-Nenets, shihet si një nga burgjet më të vështira në Rusi dhe shumica e të burgosurve të mbajtur atje janë dënuar për krime të rënda.
Navalny u burgos në vitin 2021 pasi u kthye në Moskë nga Gjermania, ku u shërua nga një sulm thuajse vdekjeprurës me agjentin nervor Novichok të projektuar nga sovjetikët. Ai pretendon se helmimi ishte orkestruar nga Putin, mirëpo Kremlini e ka mohuar.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo