Avokati i Sali Berishës, Genci Gjokutaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatë së Lartë, e cila ka kthyer sërish për shqyrtim çështjen e vulës së PD në Gjykatën e Apelit.
Për Gjokutajn ky vendim në lidhje me Statutin e Rithemelimit të PD është një shkelje flagrante e ligjit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, avokati shkruan se prishja e vendimit të gjykatës së Apelit po legjitimon skandalin më të madh procedural, ku njihet si subjekt ankimues Basha dhe Alibeaj. Mirëpo, sipas tij ata nuk kanë qenë palë në gjykimin në shkallën e parë.
“Vendimi i Gjykates se Larte ne lidhje me Statutin e Rithemelimit te Partise Demokratike sot eshte nje shkelje flagrante e ligjit dhe qe ndjek qellime te pastra politike kunder vullnetit te anetaresise se saj!
Prishja e vendimit te Gjykates se Apelit dhe kthimi i çeshtjes po ne Apel legjitimon skandalin me te madh procedurial njohjen e si subjekt ankimues te Basha & Alibeaj nderkohe qe ata nuk kane qene pale ne gjykimin ne shkalle te pare!
Ligjerisht GjL duhej te kishte prishur vendimin e Gjykates se Apelit per moslegjitimim te ankuesit dhe lenien ne fuqi te vendimit te Gjykates se Shkalles se Pare Tirane!
Drejtesia shqiptare ka rene! Ajo sot eshte kthyer ne Agjensi Sherbimi prane Qeverise dhe mercenareve te saj!” shkuan avokati Gjokutaj.
Sot Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit, ku disa muaj më parë i dha vulën dhe logon e Partisë Demokratike të Shqipërisë grupimit me në krye Lulzim Bashën. Institucioni më i lartë i drejtësisë në vend ka kthyer sërish për shqyrtim këtë çështje në Gjykatën e Apelit.
Është kërkuar që çështje të gjykohet nga një tjetër trupë gjyqtarësh, ku objekti është: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar”.
Sikurse bëhet e ditur nga vendimi i zbardhur, Gjykata e Lartë ka vërejtur shkelje proceduriale nga Gjykata e Apelit, duke e bërë në këtë mënyrë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj. Ajo ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk kanë pasur ankimim, ndërsa nuk ka kthyer përgjigje për ato që Grupi i Rithemelimit pretendonte.
Sikurse evidenton edhe Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit e juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kompetencën lëndore që të zgjidhë vetë ankimet e paraqitura nga palët pretenduese. Dhe në këto kushte, çështja do të shqyrtohet edhe një herë nga Apeli i Përgjithshëm, por me një trupë tjetër gjykuese.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo