A do të shënojë apokalipsi i insekteve fillimin e fundit të biodiversitetit? Apo në vend të kësaj, në një skenar post-atomik, a do të jetë Blattella germanica e vetmja krijesë që do të mbijetojë? Nuk është skenari i “The Last of Us” ose një nga serialeve të shumta televizive në qarkullim (makthet, për skenaristët, janë ëndrrat e reja), por pyetje reale për këto kohë të errëta. Nga ana tjetër, karkalecat që dikur mbushnin Afrikën, sot kanë pushtuar Sardenjen.
Regjistrimi i shtatorit më të nxehtë në histori sigurisht që ka të bëjë me këtë, me gjithë respektin për ata që dyshojnë se klima po çmendet. Ende pa ikur tronditja nga pandemia, e cila ka bërë që konsumimi i anksiolitikëve të rritet, erdhi pushtimi nga Rusia i Ukrainës dhe hipoteza e “luftës së tretë botërore”. Më pas, sikur të mos mjaftonte kjo, u hap sërish çështja shekullore izraelito-palestineze, me një prolog tmerri të papërshkrueshëm, më pas masakër dhe ndoshta një përshkallëzim. “A peste, uria et bello, libera nos Domine” thërrasin besimtarët në liturgji.
Tre frikërat e mëdha – epidemitë, uria dhe lufta – nuk kanë ndryshuar. Sa i përket kalorësit të katërt, misterioz të apokalipsit të Dhiatës së Re, sot duket se është Inteligjenca Artificiale. Nga Brukseli në Uashington ka një shtim të ligjeve për të parandaluar daljen jashtë kontrollit, ndërsa vetë krijuesit e ChatGPT kanë krijuar një njësi gatishmërie, përgatitjeje (për më të keqen).
EMERGJENCA E KLIMËS
Dikush mund të pajtohet ose të mos pajtohet me taktikat e Rebelimit të Zhdukjes (Greta Thunberg tha se nuk ishin të sajat, megjithatë, duke qenë se çdo gjë tjetër kishte dështuar, ajo i respekton), por sigurisht kanë patur një intuitë të shkëlqyer: emrin. Nuk luftojnë “ngrohjen e klimës”, as “krizën klimatike” më urgjente: rebelohen kundër zhdukjes. Term i ngarkuar, i cili rikthen peshën ekzistenciale të problemit. Deri në atë pikë sa edhe UNDP, programi i zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2022 e quajti fushatën e vet për të braktisur hidrokarburet: “Mos zgjidhni zhdukjen”. Mbi gjysma e kampionit prej 10,000 të rinjsh të intervistuar nga The Lancet një vit më parë, binin dakord me deklaratën se “njerëzimi është i dënuar”. Një shqetësim kaq i madh, saqë u prish gjumin, përqendrimin dhe imagjinatën për të ardhmen. Ekoankthi është një term që ka hyrë në leksikun e zakonshëm.
“Zhdukja e gjashtë” është titulli i librit të Elizabeth Kolbert, fituese e çmimit Pulitzer nga New Yorker për artikuj të mrekullueshëm mbi mjedisin. “Dhjetë vjet pas publikimit”, thotë ajo përmes Zoom nga shtëpia e vet në veri të Nju Jorkut – ku ngrica dikur mbërrinte në fillim të tetorit, ndërsa sot, pothuajse një muaj më vonë, as nuk po duket – “ne jemi thjesht dhjetë vjet më keq”.
Është ajo që tregon për vdekjen shqetësuese të insekteve evropiane, që janë në bazën e zinxhirit ushqimor të shpendëve, pra të pjalmimit, me pasoja gjigante në bujqësi. Jemi të dënuar apo mund të bëhet diçka? Dhe ç’farë? “Epo, siç thonë, kur je në gropë, ajo është kthyer në kurth: thjesht mos gërmo më! Pra, nuk duhen dhënë më leje për hapjen e impianteve të reja të karburanteve fosile, siç ndodhi në Alaskë ose Rosebank në Britaninë e Madhe: është thjesht çmenduri. Më pas, duhen ndërtuar shumë impiante të rinovueshme, duke e transformuar infrastrukturën e vjetër. Në fund, duhet investuar masivisht në kërkime për të gjetur zgjidhje të reja. Nje shembull? Aviacioni civil: duhet të rimendohet tërësisht”.
Sidoqoftë, ne duhet të eksplorojmë të panjohurën duke filluar nga e besueshmja. Këjë e bën shumë mirë anglezja Naomi Alderman tek “The Future”. Nxënëse e Margaret Atwood, një tjetër autore që di shumë për distopitë, ajo tregon për një botë të dominuar nga disa perandorë teknologjikë kapriçiozë – tmerrësisht të ngjashëm me Musk-un, Bezos-in, Zuckerberg-un e vërtetë – të cilët, të paralajmëruar nga një sistem ekskluziv mesazhesh, në fillim të romanit nxitojnë në bunkerët e ngritur për raste apokalipsi. Njerëz aq të pasur dhe të fuqishëm saqë mund të vendosin të krijojnë shiun ku të duan, pa e vrarë mendjen për ata që nuk janë të pasur.
Edhe këtu duket si trillim, por krijimi i reve ekziston. Ashtu siç ekziston një kompani hungareze e specializuar në ndërtim vendstrehimesh ultra luksoze. Dhe çfarë mendon Alderman për gradientin apokaliptik të momentit aktual? “Duhet të kemi parasysh tendencën e njerëzve për të mbivendosur ndjenjën e vdekshmërisë së tyre mbi atë të specieve. Ka probleme të mëdha, por nuk mendoj se fundi është i afërt. Megjithatë, më duhet të pranoj se, në fund të tetorit, ka ende luleshtrydhe në kopshtin tim në Londër! Duket e bukur, por është shqetësuese”. Një gëzim i palogjikshëm i ngjashëm me atë të daljes në plazh për Vit të Ri.
Mekanizmi mbrojtës që funksionon për të është të dallojë problemet, t’i trajtojë ato një nga një: «Siç thotë çdo psikoterapist i mirë: të ngadalësojmë, të qetësohemi, le të kuptojmë se çfarë po ndodh saktësisht. Kështu zbulojmë se në disa raste, si për shembull Brexit, ishim ne ata që e prishëm shtëpinë”. Megjithatë, kalorësit e saj të apokalipsit janë gjigakapitalistët dixhitalë: “Unë i kushtoj shumë faqe për të ilustruar sasinë e gjërave të rëndësishme që mund të bëheshin me një pjesë të parave të tyre”, të cilat zhduken në një arrati hapësinore, me Marsin dhe planetët e tjerë që na prezantohen në mënyrë të rreme si alternativa të vlefshme ndaj dështimit në Tokë. Dhe ndërsa «bomba atomike ishte një shpikje e tmerrshme, por të paktën shërbeu për të mposhtur nazistët, inteligjenca artificiale nuk na është «shitur» për të mposhtur Putinin. Kështu që? Nëse ai përfaqëson një rrezik kaq të madh, siç thonë vetë baballarët e saj, e vetmja mundësi është ndalimi i zhvillimit. E kemi parë të gjithë Dr. Strangelove, apo jo?
Fundi i pjesës së parë (bota.al)
Në pjesën e dytë: Rreziku nga Inteligjenca Artificiale