Lajme

Begaj nderon me titullin “Mjeshtër i Madh” themeluesin e Top Medias, Dritan Hoxhën

Dritan Hoxha, themeluesi i Top Medias është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.  Ky nderim për Dritan Hoxha vjen 15 vite pas ndarjes së tij nga jeta.

Me fjalët e zgjedhura Begaj e ka cilësuar si një ëndërrimtar e vizionar të palëkundur, guximtar në krijimtari, inovator e pasionant.

 “Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, ai e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihej si Tani i Topit”, – tha Begaj.

Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë titullin e babait e ka marrë Lori Hoxha e cila edhe e ka ndarë në një postim në Instagram ku shkruan

“E nderuar të pranoja sot nga Z.President titullin “Mjeshtër i Madh” për tim at”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Lori Hoxha (@lorihoxha)

Presidenti Begaj gjithashtu rikujtoi vitet e para të ngritjes së televizionit, që dalloi për tekonologjinë e lartë, gjithashtu edhe për larmishmërinë e programeve që transmetoheshin.

“Të nderuar familjarë të familjes Hoxha,  Të nderuar gazetarë e punonjës të medias Top Channel, Të nderuar pjesëmarrës! Sot kam kënaqësinë të nderoj me titullin Mjeshtër i Madh, një nga personazhet më të njohura të medias vizive shqiptare, zotin Dritan Hoxha. Guximtar në krijimtari, ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, inovator e pasionant ai arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet. Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, ai e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihej si Tani i Topit.  Shembulli i tij është tregues se si sipërmarrja private shndërrohet në një të mirë publike. Se si shqiptari mund t’ia dalë të jetë i suksesshëm edhe në vendin e vet. Se si suksesi në biznes mund të shoqërohet me bujari dhe filantropi.

Dritani ishte një nga ata pak njerëz që të ardhmen e shohin tani.  Media që krijoi ishte televizioni shumë i munguar nga ekrani i shqiptarëve. Ajo dallohej jo vetëm nga teknologjia e lartë, por mbi të gjitha, nga cilësia e programeve për të gjitha grupmoshat e shoqërisë tonë. Tani i Topit vendosi standartet e larta të medias vizuale, mbështeti qindra të rinj e të reja të realizonin talentet e tyre dhe krijoi koncepte të reja të cilat e ngritën nivelin e informimit në Shqipëri. Ai pati largpamësinë që nëpërmjet paketës digjitale të shpërndante lajmin dhe gjuhën shqipe duke kontribuar në këtë mënyrë në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe edhe tek diaspora jonë” – ishte fjala e presidentit Begaj.

Gjithashtu në ceremoni mbajti fjalën edhe drejtuesja e e Top Channel, Lori Hoxha, e cila në fjalën e saj falënderuese shprehu me bindje të fortë se me fanatizëm, nder dhe përgjegjësi të plotë, do vazhdojnë të ruhen vlerat ashtu sikurse Dritan Hoxha e ideoi.

Për ne është lumturi e madhe që sot pas 15 vitesh nga ikja e tij, ai mbahet gjallë nga veprat dhe nga ndikimi që pati tek jeta e çdo shqiptari. Unë jam mirënjohëse për atë, po aq sa duhet të jetë çdo shqiptar. Për njeriun e pakapshëm që ishte dhe për dëshirën që pati për të ndërtuar një media, e cila edhe sot jeton me frymën dhe vizionin që ai la.

Për mua vepra më e rëndësishme e Dritan Hoxhës është familja dhe unë kam nderin dhe përgjegjësinë të përfaqësoj atë dhe nderin e tij. Qoftë kujtimi i tij i paharruar për shqiptarët, siç është edhe për ne. Aq pak vite sa jetoi, i fali familjes shumë dritë.” – ka thënë ndër të tjera Lori Hoxha.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo