Në një bilanc me fotot më të mira të vitit (pas të cilave ka edhe një ngjarje), Atalanta Kërçyku ishte pasditen e sotme e ftuar në “Ftesë në 5”, me Bieta Sulon. Duke treguar për vitin e saj të mbushur me ngjarje, Atalanta u ndal edhe te përvoja në DWTS, e cila jo vetëm e rriti profesionalisht, por e bëri edhe më të fortë për ekranin – synimin e saj në të ardhmen e afërt.
Mes disa fotove të shkëputura nga ky vit që po lëmë pas, ajo që u bëri përshtypje të gjithëve është edhe fotoja me plot 500 trëndafila. Kush ia dhuroi? Me ç’qëllim?
“Kjo foto ka qenë pas pjesëmarrjes sime në DWTS dhe më është dhuruar nga një person i afërt i imi, i cili e di se sa i dua unë lulet. Unë jam një njeri që, nëse mund të më bësh një baraspeshë mes një dhurate, një vlere monetare dhe luleve, unë do zgjidhja lulet, pavarësisht se i dua të dyja”, – tregon Atalanta duke dashur t’i bëjë bisht pyetjes kryesore.
“Është mesazh i fortë, por është një mesazh që mua më bën të ndihem shumë me fat, sepse këto lloj shifrash ose numrash, çdo vajzë do të mund t’i ëndërronte në momentet e saj më delirante, por kur e shoh se si jeta ime tanimë ka copëza ëndrrash që dikur mund t’i kem ëndërruar, them sa me fat jam dhe se si manifestimi, shpërblimi ose unë, Zoti, fati, janë bërë bashkë të gjithë dhe më kanë sjellë në këtë pikë jete”, – vazhdon ajo të jetë korrekte në përgjigje pa dhënë asnjë informacion më shumë.
Pyetjes së drejtpërdrejtë të Bieta Sulos nëse zemrën në këtë fundvit e ka të angazhuar apo jo, Atalanta përgjigjet me një “Jo” të prerë, por të pasigurt…