Anija e Forcës Detare shqiptare “Butrinti”, ka përfunduar me sukses operacionin ndërkombëtar “Sea Guardian” në Detin Egje dhe është nisur për t’u kthyer në Atdhe. Ekuipazhi pritet të mbërrijë në bazën e Pashalimanit mëngjesin e 31 Dhjetorit 2023.
Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari thotë se misioni ka përfunduar me sukses më datë 29 Dhjetor ora 00.02 dhe anija është nisur për në Shqipëri.
Anija “Butrinti” P-134 angazhohet në Detin Egje në kuadër të Operacionit të NATO-s “Sea Guardian” dhe me kthimin në Atdhe, pritet të zëvendësohet në javën e dytë të muajit janar 2024. Aktualisht, pas 30 orë lundrim “Butrinti” gjendet në Mesdheun Qendror në perëndim të Kallamatës (Gadishilli i Peloponezit).
Anija dhe ekuipazhi i saj, sipas grafikëve që publikon Kapiten Meçollari, ka shmangur lundrimin nëpër Kanalin e Korfuzit dhe është duke lëvizur me një shteptësi 12 nyje. Detyrat kryesore gjatë operacionit ishin patrullimi në zonën e përgjegjësisë dhe ndërhyrja në rastet kur rrezikohen jetët njerëzore.
Pjesëmarrja e Forcës Detare Shqiptare në operacionin “Sea Guardian” si pjesë përbërëse e Grupit të Dytë Detar të NATO, ka filluar në nëntor të vitit 2016 me anijen Oriku, për t’u pasuar nga Butrinti dhe Lissus. Kur një anije dhe kontigjenti i ushtarakëve në përbërje të saj rikthehen në atdhe, në mision dërgohet një anije tjetër.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo