
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për vënien në hetim të një prej ish-ministrave të tij dhe njëherësh zyrtarit të lartë të mazhorancës socialiste, Ilir Beqaj. Sipas kryeministrit, pavarësisht asaj që raportojnë mediat, nuk ka asnjë “zhvatje” të fondeve të BE.
Edi Rama theksoi se zhurma e bërë për gjasme “zhvatje” fondesh të Bashkimit Evropian nuk është e vërtetë, pasi Agjencia që drejtonte Ilir Beqaj deri pak ditë më parë nuk kishte lidhje me fondet evropiane.
Tashmë, ish-ministri i Shëndetësisë që ka një çështje të re të hapur me drejtësinë, përveç koncesionit të sterilizimit, duhet ta bëjë i vetëm përballjen me Prokurorinë e Posaçme dhe të provojë se është i pafajshëm.
“Ilir Beqaj në sekondën që u vu në akuzë, dha dorëheqjen. Që të jemi shumë të qartë! Dhe u hap menjëherë procesi për zëvendësimin. Nuk është kryenegociator, ishte koordinator i ndihmës në një institucion që nuk menaxhon fonde të BE, por është një zyrë koordinimi në funksion të qeverisë shqiptare.
Një urë komunikimi me të gjithë aktorët për fondet e huaja, që nuk kalojnë fare nga kjo zyrë, por nga etnitetet e tjera.
Zhurma e bërë për “zhvatje” fonde të BE nuk është e vërtetë. Zyra nuk menaxhon fonde nga BE. Është punë e drejtësisë. Të vazhdojë drejtësia, fakti që dikush merret nën hetim, nuk është provë faji. Ka një dyshim, hetohet. Shkohet në gjykatë. Çdo koment është i tepërt”, u shpreh Edi Rama.
Lexo edhe: Ilir Beqaj nën hetim, ish drejtori i Partizanit i preu faturën me vlerë 35.200 euro
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo