Më pak vajza dhe gra kanë bërë kontrolle për kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës në 8 muajt e 2023-shit sesa në vitin 2022.
Një raport i Ministrisë së Shëndetësisë zbulon se për periudhën Janar-Gusht numri i grave të depistuara për kancerin e gjirit ra me 43% në krahasim me një vit më parë, ndërsa depistimet për kancerin e qafës së mitrës ranë me 32%.
“Gratë në Shqipëri nuk janë konsistente në bërjen e mamografive, nuk e bëjnë çdo vit siç u rekomandohet, por kanë tendencë ta bëjnë një herë në dy-tre vjet, 5 vjet, ndonjëherë edhe një herë në jetë.”
Mjekët thonë se kanceri i gjirit adhe ai i qafës së mitrës janë plotësisht të shërueshme nëse zbulohen herët.
“Nëse këto sëmundje avancojnë, shancet për kurim ulen ndjeshëm, për këtë arsye përpiqemi të theksojmë rëndësinë e testeve depistuese.”
Përdorimi i duhanit, i alkoolit, dieta e pashëndetshme, pasiviteti fizik dhe ndotja e ajrit janë faktorë rreziku për kancerin.
“Për kancerin e gjirit rekomandimet thonë që gratë nga mosha 45 vjeç e sipër duhet të kryejnë mamografinë. Ndërsa sa i përket kancerit të qafës së mitrës depistimi rekomandohet të nisë që nga mosha 21 vjeç.”
Thuajse çdo vit në Shqipëri sipas raporteve të ISHP-së evidentohen rreth 700 raste të reja më kancer gjiri dhe 100-130 raste me kancer të qafës së mitrës.