ShowBizzz

Intervistë me divën Vanessa Paradis

Një intervistë me Vanessa Paradis do të ishte e panevojshme hyrja, pasi aktorja dhe këngëtarja është pjesë e peizazhit francez dhe jo vetëm, që në moshën 14-vjeçare. E gjendur nën syrin e kamerave dhe publikut, të gjithë kemi ndjesinë se dimë gjithçka për të, por ndoshta jo dhe aq sa duhet.

Intervistë me divën Vanessa Paradis

Së fundmi nuk po ju shohim në asnjë projekt muzikor, po merreni me diçka?

Po shkruaj për albumin tim të radhës. Besoj do të më marrë shumë kohë sepse, ndryshe nga shumë artistë, nuk kam asgjë në sirtar, shkruaj vetëm kur kam ndërmend të bëj një album. Më pëlqen të shëtis nëpër rrugët e Parisit, kam bërë disa udhëtime së fundmi, kam lexuar si e çmendur, shoh në televizion shumë biografi dhe dokumentarë, kryesisht për muzikantët. Më pëlqen të vëzhgoj se si funksionojnë.

A është Parisi vendi ku jetoni ju sot?

Megjithëse jam rritur në periferi deri në moshën 16-vjeçare, gjithmonë jam ndjerë parisiane. Edhe pse kam kaluar shumë kohë në Los Angelos vitet e fundit, gjithmonë jam ndjerë si në shtëpinë time në Paris. Unë jetoj në të njëjtin vend që kur isha 22 vjeçe, dhe është në fakt apartamenti i parë dhe i vetëm që bleva për vete, ndaj nuk do ta lë kurrë sepse është perfekt për mua.

Intervistë me divën Vanessa Paradis

Çfarë vendi zë muzika në jetën tuaj?

Unë nuk e kam shkëputur jetën time nga muzika. E bëj dhe kur nuk e bëj, sepse mendoj për të. Ajo është atje gjatë gjithë kohës. Kur marr kitarën ose ulem në piano, e kam ndjenjën se jam duke punuar. Kur je në këtë profesion për tridhjetë e pesë vjet, dëgjon këngët e tua në radio, në supermarkete apo në taksi, mendoj që duhet të shkruash diçka të re. Kam ende miq, që i njoh që në moshën 16-vjeçare dhe ata janë gjithmonë të gatshëm, të shkruajnë apo kompozojnë për mua.

Cila këngë ju ka thyer zemrën?

Ka shumë, ndaj nuk dua të përmend tituj, por besoj se këngët e dashurisë kanë gjithmonë efekt, sepse ato janë thjesht sublime.

A mendoni se karriera juaj do të kishte qenë njësoj nëse nuk do të kishit filmuar “Noce blanche”?

Pyetje shumë e mirë. Ky film është padyshim një pikë kthese. Ai ndryshoi perceptimin që kishin për mua njerëzit e profesionit dhe medias. Duke qenë se isha një këngëtare e suksesshme, mu ofruan shumë filma, por ky ishte ai që zgjodha. Sepse instinktivisht e ndjeva se ishte i fortë, dhe se kisha diçka për mua.

Intervistë me divën Vanessa Paradis

Çfarë kujtimi keni nga xhirimet?

Nuk kisha bërë kurrë një film, kështu që nuk dija asgjë. Kur e gjeta veten përballë një regjisori autoritar, u tremba. Më kujtohet një frazë që ai e përsëriste vazhdimisht: Ti do të shkosh shumë larg.

Si e përballuat presionin kur ishe vetëm 16-vjeçe?

Unë kisha prindër të mrekullueshëm. Një fëmijëri ëndërruese, e mbushur me dashuri dhe humor. Unë nuk do të kisha arritur aty ku jam sot, pa këto dy qenie madhështore. Ata i vendosnin ngjarjet në perspektivë, nuk më bënë presion, më lejuan të jem vetvetja në një moshë kyçe.

Ju rrallë keni folur për #MeToo, lëvizjen për të çliruar zërat e grave kundër dhunës seksuale, pse?

Fjala ‘çliruar’ ndoshta nuk është aq e duhura. Mendoj se ajo që them mund të interpretohet, dekontekstualizohet apo shtrembërohet, ndaj kam qenë shumë vigjilente për të mbrojtur fjalët e kësaj lëvizjeje. Jam përballur me seksizmin, patriarkalizmin, por pata fatin që nuk hasa asnjë përbindësh, por solidarizohem me zërat e grave. Nuk mund të kritikojmë, vetëm sepse dëgjojmë diçka, por ama duhet të respektojmë traumat e atyre që i kanë kaluar ato. Ne duhet të dëgjojmë dhe të tolerojmë njëri-tjetrin, të jetojmë dhe të mësojmë të riparojmë gabimet. Feminizmi që unë mbroj është një emancipim, jo ​​hakmarrje.

Intervistë me divën Vanessa Paradis

Si jeni ju si nënë?

Unë jam e çmendur për fëmijët e mi, edhe pse tani ata janë të rritur. Ne kemi një marrëdhënie normale, jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin, dhe flasim gjatë gjithë kohës për gjithçka. Unë u jap atyre këshilla për çdo gjë, përfshirë edhe profesionin, por edhe ata nuk hezitojnë të më japin sugjerimet e tyre.

A keni refuzuar shumë role për hir të familjes?

Unë kam refuzuar role shumë të mira, sepse kam qenë e vetëdijshme që nëse do të pranoja, qofshin këto edhe filma të mëdhenj, do të humbja mundësinë që të qëndroja pranë njeriut që doja dhe fëmijëve të mi. Asgjë nuk ishte më e rëndësishme sesa familja për mua, dhe kjo më ka udhëhequr gjithë jetën time.

A ndiheni në faj për diçka në jetën tuaj?

Në faj jo, por merak kam patur gjithmonë. Ndodh shpesh që mundohem ta ndrydh veten, sepse mendoj pasojat jo të mira që mund të ndodhin, ndaj edhe jam frenuar. Por, gjithmonë kam ecur me parimin që çdo shqetësim, lind për arsye konkrete dhe nga një imagjinatë e pastër.

Intervistë me divën Vanessa Paradis

Po cilësia juaj më e mirë?

Thjeshtësia besoj. Dua të jem me këmbë në tokë, më pëlqejnë gjërat dhe marrëdhëniet e thjeshta.

Çfarë nuk imagjinon publiku për Vanessa Paradis?

Dua t’ju jap një përgjigje jo shumë magjepsëse, por shumë të sinqertë. Unë e dua birrën, e konsumoj shumë.








bal