Lajme

Bashkimi i Ballkanit, kush e donte e kush e luftoi

Nga Ergys Alushi

Historikisht, shekulli i kaluar na tregon një sërë përpjekjesh nga liderët e vendeve ballkanike për të krijuar një “Bashkim shtetesh”, një koncept që u lind pas rënies së Perandorisë Osmane. Këto përpjekje kanë qenë pjesë e një vizioni të shumë figurave udhëheqëse në Ballkan, të cilët kanë dëshiruar një strukturë të qartë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, edhe pse disa përpjekje filluan gjatë shekullit të 20-të me iniciativën e “Bashkimit Ballkanik”, asgjë nuk u finalizua.

Shumë e argumentojnë se karakteristikat tipike të ballkanasve, shpesh cilësuar si impulsivë dhe të gatshëm për konflikte, kanë pasur ndikim në këtë histori. Në kohë të ndryshme, karakteret e liderëve kanë ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve. Megjithatë, mbi të gjitha, luftrat e vazhdueshme, konfliktet territoriale dhe kërkesat për tokë kanë krijuar një kontekst të tensionuar në rajon, ku disa vende kanë forcuar pozitat e tyre, ndërsa të tjera kanë përballuar varfëri dhe zvogëlim. Në këtë skenë, ndonjëherë Ballkani është përshkruar si një vend i prekur shpesh nga konflikte dhe tensione zjarri dhe baruti që ndiznin dukshëm situatën. Në këtë kontekst, gjetja e një gjuhe të përbashkët është bërë një sfidë e vështirë për të gjithë aktorët në rajon

Ballkanasit gjithmonë janë përpjekur të krijojnë një komunitet të përbashkët, por si i nisnin këto përpjekje, ashtu i bitisnin. Gjithmonë në ballkan ka pasur një rrjedhë historike të larmishme. Konfliktet kanë lënë ndikim të thellë në shoqëri dhe kulturë, por, gjithashtu ka ndihmuar në formimin e një ndjenje të herëpashershme të solidaritetit.

Ideja dhe lëvizja e parë për krijimin e një Bashkimi Ballkanik ka nisur në Beograd në fund të shekullit të 19-të. Perandoria Osmane ishte në rënie dhe vendet në varësi të saj kishin filluar përpjekjet për shkëputjen nga perandoria. Por si i ka parë shtypi shqiptar këto zhvillime, nga fillimi i shekullit të kaluar, e deri tani kur u deklarua se “Open Balkan” ishte një nismë që dështoi?

Besëlidhja Ballkanike, Gazeta “Tomorri” (mars 1910)

Lef Nosi, botues dhe pronar i gazetës ‘Tomorri’ ishte ndër të parët intelektualë që solli idenë e Besëlidhjes Ballkanike në gazetën e tij që botohej në Elbasan.

Në disa numra rresht hapi debat për këtë besëlidhje, nëse ajo do të ishte nën ndikimin austro-hungarez, apo nën ndikimin rus, nëpërmjet shteteve me popullsi sllave.

Disa marrëveshje ekonomike, si ajo e korridorit Danub- Adriatik, traktati tregtar turko – bullgar, marrëveshja për udhën e hekurit që kalonte në një territor të gjerë ballkanik, ishin shenja pozitive për vendosjen e një paqe ndër shtetet e Ballkanit, por që në fakt nuk rezultoi e tillë. Vizita e Mbretit të Serbisë, Petri I, në Stamboll, më 3 prill 1910, u komentua nga shtypi i kohës ndër të tjera edhe si një lëvizje pozitive në shërbim të idesë për një besëlidhje ballkanike.

Jugosllavia si imponuese e idesë

Në numrin e datës 26 shtator 1925, gazeta “Dielli” që botohej në Boston, organ i Federatës “Vatra”, botonte editorialin me titull “Nevoja për një marrëveshje Ballkanike”.

Editoriali fillon me lajmin për planin e ministrit Rendis të Greqisë për një marrëveshje të tillë, plan i cili nuk kishte gjetur mbështetje gjatë diskutimit të tij në Gjenevë. Sipas projektit të ministrit grek, shtetet ballkanike pasi të zgjidhin njëherë e mirë problemet që kanë dhe të varura ndërmejt tyre, do të bënin një farë marrëveshje si ajo e Atlantit të Vogël, dhe në këtë marrëveshje duhet të bashkohej edhe Shqipëria me Bullgarinë. Dukej sheshit se një marrëveshje e tillë ishte e vështirë për t’u arritur.

Lufta ballkanike i kishte lënë shtetet ca të fituara e të forta, ca të mundura e të pafuqishme. La një Bullgari të mundur dhe një Greqi të dobësuar nga njëra anë, dhe një Jugosllavi tri herë më të madhe nga sa ishte para luftës. Në të tilla kushte, Jugosllavia duke ndjerë fuqinë e saj, kishte tendencën që të impononte politikën që ajo dëshironte ndaj shteteve të Ballkanit.

Shtetet e Bashkuara të Evropës

Në fundin e viteve 20-të, në shtypin shqiptar filloi të shkruhej gjithnjë e më shumë për temën evropiane të kohës – bashkimin e shteteve të Evropës në një organizëm të vetëm.

Si do të jetë Panevropa? As kufi ndërmjet shteteve? As armiqësi ndërmjet popujve?

Si do të udhëtojmë?

Këto ishin disa nga pyetjet që bënin shqiptarët e atyre viteve, të cilave mundohej t’u jepte përgjigje shtypi shqiptar, mbështetur mbi artikujt që botoheshin në gazetat e shteve të ndryshme të Evropës.

Ja se çfarë shkruante njëra prej gazetave shqiptare “Gazeta e Re”, në numrin e saj të datës 14 gusht 1929: “Me formimin e një Evrope të Bashkuar, e një Panevrope, udhëtimet nga një shtet në një tjetër do mbarohen natyrisht pa formalitetet e panumërta në të cilat përpiqemi sot. Nuk do të kini nevojë për pasaportë kur dilni nga vendi i juaj, nuk do të ketë viza për të kapërcyer shtete që ndodhen mbi udhën t’uaj: as kontrollime doganore në çdo minutë nuk do të ketë më: kur se sot udhëtari që kërkon fatin në mes të shteteve është i detyruar të mbajë gjithnjë një dorë në xhep të tij, gati për të hequr pasaportin e t’ja tregojë nëpunësit kompetent si dhe policis së huaj, dhe me dorën tjatër të mbajë, në dispozicion të doganierit, çelsin ose çelset të valizave të tij.

Kjo është, me të vërtet, një ngjarje kaq e bukur sa që ju duket si një ëndërr e ëmbël ose si nonjë përrall e njëmij e një netëvet. Me gjithë’atë le të urojmë që realizimi i Panevropës të bëhet fakt në një ditë t’afërme dhe që ky projekt i shkëlqyer të mos lihet, edhe ky, për shkak mospajtimi me sovranitetin e shteteve”

Bashkimi i Ballkanasve

Debatet midis publicistëve shqiptarë në lidhje me një bashkim të mundshëm midis shteteve të Ballkanit ishin vazhdimisht të pranishme në faqet e gazetave të kohës.

Një i tillë ishte edhe ai i botuar në gazetën “Shqipëria e Re”, e datës 26 gusht 1930, që dilte në Kostancë të Rumanisë, me autor Pater Leon Ashiku.

Me titullin “Bashkimi i ballkanasve”, shkrimi, që zinte të gjithë faqen e parë të gazetës, ishte përgjigje ndaj një shkrimi tjetër, me të njëjtin titull, të botuar po në këtë gazetë, nga një autor tjetër. Ky autor në atë artikull e shikonte si të largët dhe gati utopi bashkimin e shteteve të Ballkanit dhe kishte shumë ankesa për serbët në lidhje me sjelljen e tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në përgjigje ndaj këtij shkrimi, Patër Leon Ashiku, shkruante ndër të tjera:

“Jo, bre vëlla, jo, nuk na ka faj Sërbija, por ajo mbretnia turke e shyqyr qi e hangri dreqi! E fajin ma të madh e ka kombi i jonë shqyptar që në shumicën absolute të vetë, i shkeli tradisionet e Skënderbegut e u asimilue me Turkin, anmikun ma të zin e gjuhës, të kombit e t’atmës sonë.

Të kishe ndejë kombi shqyptar top e kryekput besnik idealit të Skënderbegut, sikuer i ndejne besnik tradicioneve të veta Sërbët, Bullgarët, Grekët e Rumenët, do t’ishte lirue edhe Shqypnia me kohë prej verigave të ndyeta të të robniës tyrke, sikuer u liruenë ata e nuk do t’ishte gjetë si provinçje turke vjetin 1912.

Ti kishte ndejë besnik idealit të Skënderbegut kombi shqyptar si pjesë e plotë, nuk do t’ishte Shqypnia sot kaq e vogël, as nuk do të ndalshin kaq shum shqyptarë sot jasht gjiut t’atmës së vet.

Më diftoni, bre vëlla, kush i mundoj e i salvoj Suljotët e famshëm të padekshëm? Kush i hodhi këta vllazën tonë kreshnikë në gji e në prehën të Greqis? Pse krejshin varzat virgina të tyne e u mbytshin n’ujë për mos me bjerrë nderin? Ah! Mjerisht, vetëm prej salvimeve të atyne shqyptarve qi u asimiluen me Turkoshahun, u bënë dhe ma i zi se aj”.

Artikullshkruesi i bënte një përshkrim të hollsishëm të gjithë historisë së shqiptarëve, të cilët që pas vdekjes së Skënderbeut, nuk kishin arritur asnjëherë të bashkoheshin përballë sundimit të perandorisë osmane. Ai e mbyllte artikullin me mesazhe të qarta:

“Le të qortohen gabimet. Le të lihen inadi e smira npër mjet nesh. Le të shtrihen përdhe armët e anmiqësiës. Le të ja shtrijmë dorën njëni tjetrit, le të merrena ngrykë, le të punojmë së bashkut si vllazën e të rrnojnë e të gëzojnë Shqipnija”.

“Java Ballkanike” në Greqi

Delegatët e shteteve të Ballkanit, u mblodhën në datën 26 prill 1931 në qytetin e Selanikut, duke shënuar kështu fillimin e “Javës Ballkanike”. Gjatë qëndrimit dy ditor në Selanik, delegatët ballkanik vizituan Bashkinë dhe shumë institucione të tjera, përfshi edhe ekspozitën e Selanikut, ku shprehën dëshirën e tyre të mirë që edhe Shqipëria një ditë të marë pjesë në këtë ekspozitë. Delegatët vizituan edhe dy fabrikat e stofrave, që ishte nga më të mëdhatë jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë.

Shqipëria përfaqësihej nga Leonidha Naçi dhe Nazim Ypi. Ky i fundit në pritjen e organizuar në Thinë, duke folur në gjuhën greke në emër të delegacionit shqiptar, uroi realizimin sa më të shpejtë e të vërtetë të bashkimit dhe vëllazërimit të popujve të Ballkanit.

Në mbledhjen e delegatëve ballkanikë që u mbajt në Athinë, 3 maj 1931, u morën disa vendime, ku më të rëndësishmet ishin krijimi i një Ode Tregtare dhe i Institutit Ndërballkanik për importe dhe eksporte.

Të mbledhur në sallën e Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës, delegatët nga të gjitha vendet e Ballkanit, dolën me një komunikatë për shtyp:

1 – Të studiohet çështja e themelimit të një Ode Tregtie dhe Industrie ndërballkanike si dhe i një Instituti importimi dhe eksportimi ndërballkanik.

2 – Të organizohet një Panair ndërballkanik, dhe i pari të mbahet në Selanik, paralelisht me Panairin Ndërkombëtar të Selanikut.

3 – Krijimin e muzeumeve fikse për mostra në një nga qytetet më me rëndësi të çdo shteti ballkanik.

4 – Delegatat angazhohen të porosisin Komitetet e tyre kombëtare për konferencën ballkanike që të punojnë sa më mirë të jetë e mundur për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mdis vendeve të Ballkanit.

 “Java Ballkanike”në Shqipëri

Më 30 prill të vitit 1931 u mbyllën aktivitetet që ishin zhvilluar në kryeqytet dhe në disa qytete të vendit, me rastin e ardhjes së delegatëve ballkanas për “Javën ballkanike”. Dy delegatët grek që kishin qenë në Shkodër, u kthyen prej andej me përshtypjet më të mira dhe të enjten e datës 30 prill u pritën në audiencë prej Mbretit. Legata greke në Tiranë dha një pritje për më shumë se 100 të ftuar, gjatë së cilës dy delegatët grekë “tërhoqën simpatinë dhe admiratën e të gjithëve për përshtypjet e bukura që kishin lanë në popullin t’onë, gjatë qëndrimit të tyne, dhe sidomos Z.Parasqevopoulos me fjalimet e tij të shumta dhe enthuziatike në gjuhën shqipe”.

Pasditen e ditës së 30 prillit delegatët vizituan institutin “Kirias”, ku z.Parasqevopopulos u mbajti vajzave një fjalim në gjuhën shqipe, duke i këshilluar që të kishin vëmendje në mësime dhe sidomos në mësimin e gjuhës shqipe se ato do të rrisin e përgatisin brezin e ri shqiptar, duke shtuar se, nuk duhen lënë pas edhe gjuhët e huaja, meqënëse jetojmë midis popujve të përparuar e të qytetëruar, me të cilët mund të afrohemi më shpejt me anë të gjuhës.

Bashkimi Ballkanik s’është për Kombin t’onë

Ky ishte titulli i editorialit në faqen e parë të gazetës “Besa”, botuar në datën 4 shtator 1931. Kjo ishte një gazetë politike e përditshme, e cila botohej në Tiranë, me administrator Abdurrahman Dibra, drejtor të përgjithshëm Kasëm Radovicka dhe drejtor politik Javer Hrushi.

Editoriali u shkruajt në prag të takimit të 15 shtatorit në Stamboll të konferencës së shteteve të Ballkanit dhe kishte për qëllim të jepte disa shpjegime për disa pika me rëndësi, meqënëse delegatët shqiptarë do të raportonin ndër të tjera edhe opinionin publik të vendit të tyre.

“E konsiderojmë vepër antikombëtare marrjen pjesë në këto konferensa. S’kemi nevojë për një bashkim ballkanik, as që të vizitojmë Stambollin, qytetin e një shteti q’i ka të prera rellasionet me shtetin t’onë dhe që nuk ka dashur të respektojë vendimin e Shqipëris që ay kujton se e ka akoma nonjë vilajet të tij.

Kushdo qoftë ay që ësht ose pretendon të jetë Kryetar i këtij grupit duhet ta dijë mirë që të këtilla nisiativa i mallëkon kombi shqiptar dhe gjithë dëshmorët e Atdheut. Daltë mirë ose keq, shqiptari nuk mundet ta shtrëngojë një dorë që është lyer me gjak vellai, nuk mund të qëndrojë reth një tryeze ku rinë edhe ata q’i kanë vrarë dhe po i vrasin vëllezërit e tij. Ata që nuk u japin rëndësi këtyre zakoneve shqiptare të mendohen mirë se janë dyke shkelur disa ndjenja të shenjta q’e prekin shqipëtarin mu në thelpin e zëmrës.

S’kemi nevojë për dipllomatira shumë të larta dhe të thella, kurse po shfaqroset raca shqipëtare le të përmbyset gjithë bota”.

Në ç’pikë ndodhet çështja e pakicavet?

Branko Merxhani, një gazetar i njohur në vitet ‘30-të të shekullit XX, nëpërmjet një artikulli të botuar në gazetën “Demokratia” të Gjirokastrës, më 5 mars 1932, informonte dhe njëkohësisht analizonte vendimet që ishin marë në mbledhjen e Këshillit të Konferencës Ballkanike, që u mbajt nga 28 janari deri më 2 shkurt 1932 në Turqi.

Në atë mbledhje u vendos që Konferenca e Tretë Ballkanike të mblidhet në Bukuresht të Rumanisë, në muajin Tetor. Ndër temat më të diskutuara ishin ato që kishin të bënin me “Paktin Ballkanik”, me çështjet e pakicavet, me projektet e bashkëpunimit ekonomik, me vendosjen dhe qarkullimin e lirë të nënshtetasve ballkanas në tërë Ballkanin dhe Azinë e Vogël turke, me unifikimin e së drejtës ballkanike dhe me disa çështje të tjera të radhës së dytë.

Përpjekja çuditshme dhe e nxituar e palës greke që të gjithë anëtarët e Këshillit të aprovojnë nënshkrimin e Paktit të Miqësisë, ndeshi edhe në këtë mbledhje në kundërshtimin e përbashkët të Bullgarisë e Shqipërisë, të cilat interesoheshin para së gjithash për rregullimin e çështjes së pakicave. Por, në lidhje me këtë, nuk u arrit në asnjë përfundim konkret.

“Jugosllavët – shkruan Branko Merxhani – nuk kanë ndër mënd të heqin dorë nga mëndësia e tyre shoviniste e ’12-’13-tës. Edhe sot akoma ngulin këmbë duke konsideruar si serbër nënshtetasit e tyre bullgarë, edhe akuzojnë delegacionin shqiptar se “I madhon punërat dhe shkakëton ankime të paqëna”.

Çështja e bashkëpunimit ekonomik ka qenë një temë e trajtuar në nivel akademik. Delegati grek Mylona propozoi një “Ballë të përbashkët Ballkanike kundër importimevet të huaja”.

Turqia, Greqia dhe Bullgaria vendosën të bashkëpunojnë që të vënë në zbatim, qoftë dhe pjesërisht, një plan veprimi ekonomik të përbashkët.

“Po ne, – e mbyll artikullin zoti Merxhani – duke ndjekur për së afërmi tërë këtë lëvizje, vëmë re me hidhërim se është akoma shumë larg dita qi këto idera për një marrëveshje ballkanike t’i bëjnë të tyret edhe Qeveritë. Bile ka raste të ndryshme – si bie fjala, qëndrimi armiqësor jugosllav për çështjen e pakicavet, që dëshmojnë ngjitje pas sistemevet pasluftarake dhe na bëjmë të dyshojmë akoma edhe për përpjekjet ideologjike të disa paqedashësve t’ujravet të ëmbla që flasin në erë…”.

Privilegjet e Himarës

Bashkë me artikullin e Branko Merxhanit, në faqen e parë të gazetës “Demokratia të datës 5 mars 1932, ndeshim edhe editorialin e drejtorit të kësaj gazete, Jorgji Meksi. Ndërsa problem i pakicave ishte temë delikate në takimet midis shteteve ballkanike, gazetat e Athinës shkruanin me të madhe për privilegjet që duhet të kishte Himara, duke e trajtuar këtë si pikën e konfliktit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Edhe në gazetën “Le Temps” të Parisit ishte botuar një artikull se banorët e Bregut të Detit janë grekër.

“Në Himarë fjalosen greqisht banorët e fshatit Dhërmi. Nuk e dimë sa mund të pranohet gjuha vetëm si një shënjë origjine. Po le t’a pranojmë që banorët e Dhërmisë janë nga gjak grek, nga fis greku. Shqipëria u jep atyre të drejta të veçanta si një popullatë greke. Po a mund Eladha të njohij gjith’ashtu të drejta shqipëtarëvet që janë në Menidhi, jashtë Athinës, për shëmbëll? – pyet në artikullin e tij drejtori i gazetës Meksi, duke vazhduar se –“ Greqia në përdorim të këtyre çështjeve, mban dy masa dhe aplikon dy pasha. Kërkon vetëm, po nuk di të japij”.

Pakti Ballkanik

Në janar të vitit 1934, gazeta “Le Temps”, që botohej në Paris të Francës, i kushton një artikull editorial projektit të paktit ballkanik. Artikulli konstatonte se, larg formimit të një grupi i cili mund të jetë i drejtuar kundër të tretësh dhe veçanërisht kundër Italisë, blloku ballkanik kërkon të marë ekzistencë indipedente dhe ka për qëllim vetëm e vetëm, marrëveshjen politike dhe bashkëpunimin ekonomik, që kështu të ruajë sovranitetin e plotë të shteteve që kanë për të marë pjesë.

“S’ka dyshim – shkruan gazeta e përmendur – se mejtimi udhëheqës i promotorëve të kësaj vepre për t’u ndihmuar midis tyre shtetet e vegjël që kanë interesa të përbashkëta, është ay i çlirimit të plotë nga çdo tutellë e influencave të mëdha, të cilat më shumë përpiqen t’u shërbejnë interesave të tyre duke spekulluar kundërshtimet e veçanta q’ekzistojnë midis ballkanasve. Popujt e Ballkanit kuptuan rëndësinë e marrëveshjeve regjionale për të siguruara të mirën e tyre me mjetet e veta”.

Panairi XI ndërkombëtar i Selanikut

Gazeta “Arbëria” e datës 10 shtator 1936, informon se në datën 6 shtator, u inagurua në Selanik panairi XI ndërkombëtar, në të cilin ishte pjesëmarrëse edhe Shqipëria.  Në ceremoninë e hapjes së panairit ishin të pranishëm edhe Princi Trashëgimtar Paul dhe Kryeministri Metaxas. I pari që vizitoi pavionin shqiptar qe kryeministri grek. Ai u interesua për përmirësimin e leshit t’onë me racat e dhenve Merinos e Cigaia. Lëkurat e prodhimet minerale, tërhoqën më shumë se çdo gjë tjetër vëmendjen e kryeministrit grek.

Shtetet ballkanike, në këtë panair, ishin të vendosur të gjithë në një territor të përbashkët, duke krijuar kështu idenë e një “bashkimi” mallrash e prodhimesh, me qëllim edhe të shkëmbimit të përvojave dhe mundësinë e vendosjes së bashkëpunimeve tregtare.

Marrëveshje tregtare midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë

Ideja e Federatës Ballkanike vazhdoi edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.  Në këtë Federatë do të përfshihej Jugosllavia, Shqipëria dhe Bullgaria, në krye të së cilës do të ishte udhëhqeësi jugosllav Tito.

Në numrin e datës 28 qershor 1947 gazeta “Bashkimi” informon në faqen e parë mbi nënshkrimin në Beograd të marrëveshjes tregtare për vitin 1947. Kjo marrëveshje parasheh një volum shkëmbimi të madh dhe të gjerë. Është paraparë, që për të plotësuar nevojat e vëndeve kufitare t’u jepet mundësi banorëve të tyre të shkëmbejnë në bazë të shkëmbimit mall me mall.

Dhe në fund, “Open Balkan”

Nisma e “Open Balkan” ra në sy si një hap i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit në fillim të vitit 2021. Kjo nismë u hodh në skenë nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një takim që u organizua me shumë pompozitet në Tetovë, Maqedoni. Synimi i saj ishte qartë: të krijonte një atmosferë të lehtësuar tregtare dhe të lëvizjes së lirë për mallra, shërbime dhe njerëz midis vendeve të këtij rajoni.

Ambicia e “Open Balkan” ishte e lartë, duke përpjekur të inkurajonte një bashkëpunim më të thellë dhe për të rritur në fushën ekonomike, duke shtuar lidhjet tregtare dhe duke shpallur hapjen për investime të reja. Kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse shprehën me entuziazëm se kjo nismë do të ndihmojë në zhvillimin e rajonit dhe në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit.

Megjithatë, reagimet ndaj “Open Balkan” ishin të ndryshme. Disa aktorë në rajon e vlerësuan si një hap në drejtim të përparimit, ndërsa të tjerë u shprehen me skepticizëm, duke pohuar se ajo mund të shkaktojë ndryshime në strukturat ekzistuese të bashkëpunimit rajonal në Ballkan. Këto reagime ndryshuan në varësi të interesave dhe perceptimeve të secilit vend në këtë rajon të ndërlikuar.

Ngjarjet e këtij fundviti, pas një sulmi të organizuar të Serbisë ndaj territorit të Banjskës në Kosovë ndryshoi rrjedhën e zhvillimeve duke i dhënë fund edhe “Open Balkan” për të cilin edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë loboi fort. Ishte ky i fundit që deklaroi se “Open Balkan” dështoi dhe se vendet e Ballkanit do të riktheheshin tek “Procesi i Berlinit”.

Nisma që pati një jetëgjatësi 2 vjeçare krijoi bazën dhe terrenin për disa marrëveshje të rëndësishme mes tre – katër vendeve të ballkanit. Edhe pse këto marrëveshje janë ende në fuqi, u pa qartë se vendet ballkanike nuk ishin të gjitha në unison për të pasur një “Shengen Ballkanik”.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Newsbomb, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli nuk mund të ripublikohet nga mediat e tjera pa lejen tonë.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo