ShowBizzz

Disfata e madhe e Urdhërit të Teutonëve: Beteja e Tannenbergut, e vitit 1410

Beteja e Grunwald – Tannenberg (15 korrik 1410) është një prej evenimenteve më domethënës të epokës mesjetare për Europën Verilindore dhe moment kulmor i një serie të gjatë luftërash midis koalicionit polako – lituanez nga njëra anë dhe Urdhërit Teuton nga ana tjetër

Në fundin e ‘300 Urdhëri Teuton, që kishte krijuar tashmë një “mbretëri” në zonën balltike (me një territor që kishte kufij të mirëpërcaktuar, një administratë të zhvilluar dhe ku Mjeshtëri i Madh mishëron figurën e “sovranit”), është i detyruar që të përballojë aleancën e re, e lindur falë një martese, midis Polonisë e Lituanisë, dy realitetet territoriale kundër të cilëve luftonte prej kohës veçmas për kontrollin strategjik e disa zonave. Nëqoftëse bashkimi formal i dy mbretërive e vë në alarm Urdhërin Teuton, që bëhet gati për një ekspeditë të re të madhe ushtarake, është një kryengritje e samogicëve (Samogizia, rajon historik i Lituanisë, ishte pushtuar para pak kohësh nga teutonët) e ndodhur më 1409 ajo që ndez shkëndijën e luftës.

Të bindur se ata që e kishin nxitur kanë qenë lituanezët, teutonët kërcënojnë me pushtim; në mbrojtje të tyre ndërhyn Polonia, që kundërpërgjigjet me kërcënimin e pushtimit të Prusisë. Shkohet kështu në luftë. nëse nga njëra anë teutonët shpresojnë në du luftëra të veçanta, fillimisht kundër Polonisë dhe më pas kundër Lituanisë, këta të fundit jo vetëm që i bashkojnë forcat e tyre në një koalicion të përbashkët, por synojnë deri diçka më shumë se fushatë pushtimi dhe plaçkitjeje (modalitet i zakonshëm lufe në atë kohë dhe në atë vend, ku betejat e mëdha me kampe qenë gjë e rrallë), domethënë në pushtimin e Marienburgut, selia qendrore e Urdhërit, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë dominimit teuton në zonën balltike.

Tentativat për shmangien e luftës në atë zonë, të ndërmarra nga Mbreti Vjençeslav i Bohemisë nëpërmjet nënshkrimit të një armëpushimi midis palëve (që do të zgjaste deri më 24 qershor 1410), është e pamjaftueshme dhe termat e tij bëjnë të pakënaqur sidomos polakët. Përplasja është tashmë e pashmangshme.

Beteja

Mëngjesin e 15 korrikut në një fushë të blertë midis fshatrave Tannenberg (ose Stębark), Grünfelde (apo Grunwald) dhe Ludswigdorf (ose Łodwigowo), ndeshen dy ushtritë armike. Beteja e Tannenberg, e paraprirë orej disa ditësh nga shenja luftimesh dhe përleshjes, hapet me episodin e Shpatave të Grunwald: pak përpara fillimit të betejës, Mjeshtëri i Madh u dorëzon nëpërmjet lajmëtarëve dy shpata komandantëve armiq. Këto përfaqësojnë ftesën formale për betejë, por janë edhe një shenjë talljeje dhe përbuzjeje. Do të ruhen si trofe lufte dhe, me kalimin e kohës, do të bëhen shenja mbretërore dhe simbol i bashkimit midis të dy vendeve. Fronti i betejës zë rreth 2.5 kilometra. Nga njëra anë është rreshtimi teuton, i komanduar nga Mjeshtëri i Madh Ulrich von Jungingen, që numëron midis 11000 dhe 27000 njerëzve. Vetëm 700 janë kalorësit teutonë dhe formojnë kalorësinë e rëndë, pjesa tjetër janë kalorës të lehtë dhe këmbësorë të rekrutuar nga Urdhëri në territoret e veta, mercenarë dhe kryqtarë të ardhur nga Europa Perëndimore. Në fushë, ushtria e është e vendosur në dy radhë të gjata, e para kalorësia dhe e dyta këmbësoria, dhe është e ndarë në dy krahë, atë të majtë të komanduar nga Marshalli i Prusisë Friederich von Wallenrode, atë të djathtë nga Komendatori i Madh Conrad von Lichtenstein. Është një ushtri më e pakët në numër, por që ka në favorin e saj një organizim dhe përgatitje më të madhe ushtarake, si edhe armatime më të mira. Disponon për shembull edhe disa bombarda, pararendëse të topave, përdorimi i të cilave, për shkak të motit të keq, është pak më shumë se skenografik.

Rreshtimi polako – lituanez komandohet nga Mbreti i Polonisë Vladislavi i II Jagellon dhe nga kushëriri i tij, Princi Vytautas i Lituanisë. Numëron midis 16000 dhe 39000 njerëzve dhe përbëhet nga tri gruparmata: ajo polake (më e mirëorganizuara), ajo lituaneze (në fakt johomogjeve) dhe ajo e mercenarëve (kryesisht çekë, bohemianë, tartarë dhe rusë). Është e vendosur në tri radhë (e para “e majës”, e dyta “e betejës”, e treta “e rezervës”) dhe e ndarë në dy krahë, i majti – i përbërë nga polakë, bohemë e moldavë – komandohet nga Vladislavi, i djathti – i përbërë nga lituanezë , rusë e tartarë – komandohet nga Vytautas. Në thelb, beteja përbëhet nga tri faza: sulmi lituanez dhe tërheqja falsë, pesha e kalorësisë së Vladislavit dhe sulmi i tij ndaj krahëve teutone.

Beteja hapet me sulmin e kalorësisë lehtë lituaneze, por që zmbrapset nga teutonët drejt këmbësorisë ruse e tartare, e cila shpërbëhet. Kjo bën që krahu i djathtë polako – lituanez të mbetet i zbuluar dhe është e detyruar që të ndërhyjë këmbësoria rezervë. Teutonët vendosin kështu që të spostojnë më shumë trupa nga ana e majtë e tyre, e bërë tani më e favorshme për ta. Ndërkohë kalorësia lituaneze tërhiqet strategjikisht në pyll, por tani teutonët nuk mund të sulmojnë me një forcë kalorësie armiqtë në këmbë; avancon këmbësoria ruse që i fut teutonët në një rrëmuje. Në këtë moment, Vladislavi lëshon forcën e të gjithë kalorësisë së tij. Teutonët i rezistojnë përplasjes dhe arrijnë deri që t’i zmbrapsin kalorësit polakë, duke u futur në një fazë avantazhi.

Megjithatë, në një moment të tretë, Mbreti polak vendos që t’i sulmojë krahët e rreshtimit armik: kalorësit polakë lëshohen kundër kalorësisë së rëndë teutone, e dalë nga rrëmuja e fazës së parë, ndërsa kalorësia e lehtë e Vytautas del nga pylli dhe lëshohet kundër anës së djathtë të kalorësisë teutone. Veç të tjerash, kjo manovër e pengon repartin e prapavijës të drejtuar nga Mjeshtëri i Madh që t’i arrijë të tijët. Për kalorësinë teutone është një masakër; avancimi i kalorësisë polake dhe i asaj ruse merret me asgjësimin e këmbësorëve të vetëm të mbijetuar.

Është një disfatë totale dhe pa mundësi apelimi për Urdhërin teuton, por ngjarjet nuk përfundojnë këtu: në vijim të fitores së tyre, polako – lituanezët vazhdojnë marshimin drejt Marienburg. Gjatë avancimit pushtohen kështjella të tjera të vogla (si për shembull Danzig, Thorn, Elbing) dhe vetëm më 26 korrik arrijnë në afërsitë e shtabit të përgjithshëm teuton. Ndërkohë Heinrich von Plauen, një prej kuadrove të paktë të mbijetuar, ka kohë që të organizojë mbrojtjen, ndërkohë që pas muajsh rrethimi polako – lituanezët detyrohen që ta lënë më 19 shtator. Nga këtu fillon dhe rimarrja e ndadaltë e kështjellave të humbura nga ana e kalorësve teutonë.

Kapitulli përmbyllës i kësaj lufte ndodh me Paqen e Thorn e shkurtit 1411, që në thelb parashikon një rikthim në situatën territoriale e para konfliktit.

Pasoja

Siç u tha në fillim, kjo betejë shënon fillimin e rënies së Urdhërit Teuton. Është e vërtetë se në sytë e bashkëkohësve kush ka dalë fitimtar, megjithëse fuqimisht i sprovuar, nga lufta është Urdhërit. Beteja e Tannenberg ka qenë me siguri episodi më i rëndësishëm i luftës së viteve 1409 – 1411 dhe një humbje fatale për Urdhëritn, që shikon t’i asgjësohen thuajse të gjithë vëllezërit dhe pjesën më të madhe e niveleve drejtuese të tij, megjithatë në fund të saj kush nxjerr fitimin më të madh është pikërisht ai, që shieh të paktën të rikonfirmohet situata përpara luftës. Megjithatë, ky episod ka kontribuar në shfaqjen pasuese e një koncepti themelor: konvertimit si akt lirie. Kjo ka vënë në dyshim veprën e teutonëve, për të cilët konvertimi është një akt force i imponuar nga jashtë, i ka minuar monopolin dhe, për pasojë, ka çuar në dobësimin e vetë arsyes së qenies të Urdhërit. Parabola rënëse që nis përfundon me shekullarizimin e Urdhërit në vitin 1525.

Së fundi, është për t’u nënvizuar impakti i fortë emotiv dhe imagjinar që ka pasur beteja në kujtesën kolektive e popujve të përfshirë. Në kujtesën historike të gjermanëve ajo ka mbetur për shekuj me radhë një episod i turpshëm i cili duhej shëruar (dhe kjo ndodhi me betejën e Tannenberg të vitit 1914, e interpretuar dhe e festuar si hakmarrja aq shumë e dëshiruar). Kurse në kujtesën historike polake është bërë një element kyç i historisë së tyre kombëtare, një prej momenteve të para të ndërtimit të kombit polak dhe i kundërvënies ndaj pushtimit të huaj.

(nga Storia Illustrata)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / bota.al