ShowBizzz

HERONJTË: 15 minuta famë

Që në lashtësi, ka patur shumë tregues të një kulture me në qendër të famshmit. Bota e lashtë greke dhe romake na ka dhënë emrat e shumë individëve që ishin të famshëm në kohën e tyre dhe karriera e të cilëve na ofron atë që e njohim sot si kulturë moderne e të famshmëve, siç janë pëlqimet, grupimet dhe të ashtuquajturat “15 minuta famë” – edhe pse pa këtë terminologji. Çmimi i famës në botën e lashtë ishte gjithashtu i ngjashëm me atë që shohim sot.

Të etur për famë: Pavdekësia përmes famës

Ndonëse jo të gjithë dëshirojnë të bëhen të famshëm, është ende një dëshirë e natyrshme njerëzore që të marrë njohje për talentet dhe kontributet e veta. Mitologjia greke ofron shumë shembuj të njerëzve që e përforcuan këtë dëshirë të thjeshtë për njohje. Në Iliadën e Homerit, Akili shpjegoi se atij iu dha zgjedhja, midis të jetuarit të një jete të gjatë por të paspikatur, ose një jete të shkurtër që do t’i jepte një shans për të arritur lavdinë dhe përjetësinë.

Akili zgjodhi opsionin e dytë – duke preferuar të jetë një temë kënge për gjithë përjetësinë.

Megjithatë, një Akil më i tërhequr u rishfaq në Librin 11 të Odisesë së Homerit. Në këtë version të ngjarjeve, Odiseu lundroi drejt botës së nëndheshme dhe bisedoi me të vdekurit. Një nga këta ishte Akili. Kur u përshëndet si “i bekuar në jetë, i bekuar në vdekje”, Akili u përgjigj me hidhërim se do të preferonte të ishte skllav i zotërinjve më të ligj, sesa mbret i të gjithë të vdekurve.

Një tjetër hero, Ajaksi, thuhet se ishte çmendur kur humbi përballë Odiseut në një garë se kush ishte luftëtari më i mirë në ushtrinë greke.

Duke besuar se po hakmerrej ndaj gjykatësve, Ajaksi vazhdoi dhe theri një tufë bagëtish. Pasi erdhi në vete, heroi i poshtëruar kreu vetëvrasje duke u hedhur mbi shpatë. Drama “Ajaksi” e Sofokliut ofron një variacion të vogël të kësaj: kur Ajaksi erdhi në vete, i mbuluar me gjak, ai kuptoi se ajo që kishte bërë ia kishte ulur nderin, dhe vendosi që preferonte që më mirë të vriste veten, sesa të jetonte në turp.

Fama dhe politika, me të gjitha kurthet e saj të pasurisë, seksit dhe pushtetit, ishin të lidhura ngushtë me Romën e vonë republikane. Jul Cezari nuk kishte turp të ishte njeriu më i pasur dhe më i pushtetshëm i brezit të tij. Me sa duket, fama dhe pasuria e tij nuk ia dëmtuan jetën seksuale, pasi Kurio Plaku e përshkroi atë si omnium mulierum virum et omnium virorum mulierem appellat (“burri i çdo gruaje dhe gruaja e çdo burri”). Perandori August, megjithatë, e ktheu magjepsjen e publikut romak me famën e tij, në avantazhin e vet politik, duke shfrytëzuar statusin e të famshmit, për të projektuar imazhin e shërbyesit publik. Fama u bë një faktor që i mundësoi të themelonte një nga qeveritë më të qëndrueshme në botën e lashtë.

15 minutat e tua të famës: Mësime nga lashtësia

Ndoshta personazhet e famshëm më të hershëm të prodhuar nga Greqia e lashtë ishin atletët. Emri i parë që hyri në rekordet historike greke të sportit është ai i një bukëpjekësi modest të quajtur Korebusi i Elisit, i kujtuar për fitimin e garës së ecjes, në festën e parë të Lojërave Olimpike në 776 pes. Megjithëse çmimi që mori ishte një degë ulliri, nderi i fitores ishte shumë më prestigjioz. Aktivitetet sportive ishin një mënyrë efektive për të bërë publike arritjet e dikujt që më parë kishte qenë krejtësisht i panjohur për shoqërinë, pasi emri i tij do të shpallej dhe regjistrohej në të gjithë Greqinë.

Për disa, atletizmi ishte i panevojshëm. Helena e Trojës, me “fytyrën e saj që lëshoi një mijë anije”, është një shembull i bukurisë që mjafton për të dhënë një famë. Në rastin e saj, burrat vinin për ta parë nga vende të largëta.

Penelopa, gruaja e Odiseut, është një shembull tjetër. Në rastin e saj, ajo kaloi 20 vjet duke pritur për kthimin e burrit, gjatë të cilëve ajo shpiku strategji të ndryshme për të vonuar martesën me një nga 108 burrat që i vardiseshin. Kurtezanja greke e shekullit të katërt para Krishtit, Phryne përdori bukurinë në profesionin e saj, ndërsa klientët e vizitonin nga e gjithë bota greke dhe e mbulonin me dhurata. Pasi u bë e pasur, Phryne ofroi të përdorte pasurinë për të rindërtuar muret rreth qytetit të Tebës që ishin shkatërruar nga Aleksandri i Madh, me kusht që muret të mbanin një mbishkrim që promovonte bujarinë e saj.

Përpjekjet e saj për vetëpromovim nuk ishin të kota, pasi retorikani Ateneus i Naucratit ka lënë shumë anekdota që lavdërojnë bukurinë dhe bujarinë e saj. Praksileti, një skulptor që u bë i dashuri i saj, thuhet se e kishte përdorur si modele për statujën e Afërditës së Knidosit – statuja e parë nudo e një gruaje nga Greqia e lashtë.

Sipas Ateneusit, Praksiteli prodhoi dy statuja të tjera për Phrynne: një statujë e Erosit që u shenjtërua në tempullin e Thespiaes dhe një statujë e vetë Phrynes, e cila ishte prej ari të dhe e shenjtëruar në tempullin e Delfit, ku qëndronte midis statujave të Arkidamit I dhe Filipit I. Kjo, natyrisht, të çon në pyetjen: çfarë bëri kurtezania për të fituar një vend kaq të privilegjuar? Përgjigja është shumë e thjeshtë: ajo ishte e bukur dhe dinte të përfitonte prej bukurisë.

Grekët e lashtë e shihnin bukurinë si dëshmi të jashtme të hyjnisë. Ashtu si krahasimet e sotme të një aktoreje apo këngëtareje të bukur me një perëndeshë, krahasimet e një gruaje të bukur me një perëndeshë kanë qenë të njohura që nga epoka helene.

Çdo publicitet është publicitet i mirë? Famë me çdo kusht

Nëse dikush nuk kishte bukurinë apo aftësitë për t’u bërë i famshëm, të qenit i guximshëm ishte gjithashtu një mënyrë efektive për të arritur famën. Një shembull i kësaj përfshin një zjarrvënës të quajtur Herostrat, i cili, në vitin 348 para Krishtit, i vuri zjarrin tempullit të madh të Artemidës në Efes në Turqi, një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë.

Herostratusi më vonë rrëfeu nën torturë, se krimi ishte nxitur nga dëshira e tij për të qenë një njeri i famshëm. Kur e dëgjuan këtë, Efesianët vendosën ta ekzekutonin dhe të ndalonin çdo përmendje të emrit të tij, duke e quajtur: “ai që nuk lejohet të përmendet”. Megjithatë, historiani i lashtë Theopompusi përmend emrin e Herostratit në librin e tij Hellenics dhe emri shfaqet përsëri më vonë në veprat e Strabonit. Fakti që ai mbahet mend edhe sot e kësaj dite dhe fakti që termi “Famë Herostratike” i referohet Herostratit, dhe do të thotë “famë e kërkuar me çdo kusht”, dëshmon se taktika e grekëve që e ekzekutuan ishte një dështim.

Ashtu si sot, një mënyrë tjetër për të siguruar famën ishte punësimi i një publicisti ose një promovuesi. Nikiasi (rreth 470 pes – 413 pes), një politikan dhe gjeneral athinas në Luftën e Peloponezit, angazhoi shërbimet e një menaxheri publiciteti të quajtur Hieron për ta ndihmuar të kultivonte imazhin e një nëpunësi publik punëtor dhe vetëmohues. Sipas Plutarkut, ishte Hieroni ai që e ndihmoi Nikiasin të interpretonte këtë pjesë, duke e veshur atë me një atmosferë solemniteti dhe vetëvlerësimi.

Fama, fansat dhe grupet: Avantazhet e të qenit superstar

Garat e karrocave ishin spektakli më i vjetër dhe më popullor i Romës së lashtë. Karroistët romakë, shumica e të cilëve ishin skllevër, mund të bëheshin të famshëm në të gjithë Perandorinë thjesht duke mbijetuar, pasi jetëgjatësia e një karrocieri ishte e ulët. Karrocieri më i famshëm nga të gjithë ishte Diokli, i cili fitoi 1,462 nga 4,257 gara. Pas një karriere 24-vjeçare, Diokli doli në pension në moshën 42-vjeçare me fitimet që thuhet se arritën 35,863,120 sesterces (15 miliardë dollarë amerikanë), duke e bërë atë yllin e sportit më të paguar në histori.

Përkushtimi i tifozëve thuhet se ishte mjaft intensiv. Plini regjistron një tifoz që u hodh në pirën e funeralit të një karrocieri të njohur si Feliks. Ai shtoi se tifozët kundërshtarë u përpoqën të parandalonin që kjo histori të regjistrohej, duke pohuar se tifozit në të vërtetë i kishte rënë të fikët dhe kishte rënë pa dashje në zjarr. Për më tepër, fansat mund të angazhoheshin në këngë, aktivitete dhe tallje së bashku.

Disa tifozë bëheshin problematikë për Perandorinë kur karrocieri i tyre i preferuar humbiste, pasi ata merrnin masa ekstreme dhe nxisnin trazira.

Ashtu si karroistët, shumica e gladiatorëve nuk kishin zgjedhje kur hidheshin para syve të publikut.

Gladiatorët tërhiqeshin kryesisht nga radhët e vrasësve dhe skllevërve të dënuar. Shumica e tyre shfaqeshin në Koloseum vetëm një herë, pasi probabiliteti që të vdisnin gjatë ndeshjes ishte goxha i lartë. Megjithatë, më i miri prej tyre arriti famë të madhe. Ishte kaq e madhe vëmendja që ata merrnin sa të tjerët, duke përfshirë gra të lira, senatorë, madje edhe perandori Komodus (161 – 192 pas Krishtit), ofruan shërbimet e tyre si gladiatorë.

Gladiatorët mendohej se ishin jashtëzakonisht të fuqishëm. Poeti Juvenal e dënoi një grua të quajtur Eppia, gruaja e një senatori, e cila iku në Egjipt me një gladiator të quajtur Sergius. “Cila ishte joshja? Ai gladiator ishte i rrënuar fizikisht,” pyet Juvenal. “Ah, por ai ishte një gladiator,” i përgjigjet Eppia.

Një shkallë e caktuar e vetëvlerësimit përmes rënies në shtrat me dikë të famshëm u shfaq edhe në shfaqjen e Euripidit, Bacchae, kur Dionisi u zemërua pasi tezja e tij Agave pretendoi se nëna e tij, Semele nuk kishte fjetur kurrë me Zeusin, por se ajo flinte me një njeri të vdekshëm – duke mohuar kështu Dionisin si hyjni, dhe profilin i lartë që do të kishte përftuar, duke qenë i biri i Zeusit.

Fuqia e Famës: Si një njeri i famshëm e pa përvojë në politikë, mund të prishë një qeveri

Për pjesën më të madhe të historisë së saj, Republika Romake u qeveris nga familje të vjetra politike dhe ndërmjetës të besueshëm të pushtetit, që dinin të ndikonin dhe disiplinonin masat. Zgjedhjet u krijuan për t’i dhënë klasave në pushtet pjesën e luanit të votës popullore. Fermerët e zemëruar dhe pronarët e tavernave ndonjëherë ngriheshin dhe u bënin presion sunduesve të tyre, për lehtësimin e borxhit dhe një zë të vërtetë në qeverisje.

Megjithatë, këto revolta shuheshin shpejt me premtimet për një të ardhme më të mirë dhe duke punësuar disa gladiatorë jashtë detyrës për të kërcënuar kryefamiljarët.

Njeriu që rrëzoi këtë sistem ishte një fisnik i pasur i quajtur Publius Clodius Pulcher (rreth 93 pes – 52 pes). I mirënjohur në Romë edhe para hyrjes së tij në politikë, Clodius gjithmonë kishte tronditur dhe argëtuar publikun romak me sjelljet e tij të paparashikueshme.

Në fakt, sa më e guximshme sjellja e tij, aq më shumë publiku e donte Clodius-in. Një shembull i bëmave të Clodiusit ishte kur ai kreu sakrilegj duke u veshur si grua dhe u infiltrua në festivalin fetar vetëm për femra, për nder të perëndeshës Bona Dea, me qëllim joshjen e Pompeisë, gruas së Jul Cezarit. Skandali bëri që Cezari të divorcohej nga Pompeia.

Pasi i shpëtoi dënimit përmes një ekipi të madh ligjor dhe ryshfeteve bujare, Clodiusi hyri në politikë për të siguruar pranimin dhe respektin e klasës sunduese – e cila e hodhi poshtë shpejt si një bufon. Pasi elita e kundërshtoi, Clodiusi u pozicionua si udhëheqësi i klasave të zemëruara punëtore romake. Me retorikën e tij të thjeshtë, por të zjarrtë, Clodiusi shtyu legjislacionin që krijonte dhënien e parë falas të drithit falas në historinë perëndimore; një lëvizje e cila i siguroi shumë ndjekës në mesin e njerëzve të thjeshtë, veçanërisht atyre që kishin humbur punën në trazirat e fundit ekonomike.

Kjo i befasoi klasat sunduese të Romës, të cilat vazhduan të përçmojnë Clodiusin. Roma ishte kaq e ndarë gjatë fushatës së Clodiusit për pretorshipin, saqë zgjedhjet u desh të shtyheshin dy herë për shkak të luftimeve në rrugë midis ndjekësve të tij dhe fraksionit të kundërshtarit, Annius Milo. Kur Clodiusi u takua me Milon përgjatë Rrugës Apiane, shpërtheu një përleshje midis rojeve të tyre dhe Clodiusi u plagos rëndë, derisa Milo urdhëroi njerëzit e tij ta vrisnin, duke menduar se një kundërshtar popullor i vdekur ishte më pak i dëmshëm se një i gjallë dhe i zemëruar.

Dua të më lënë rehat: Ana e keqe e famës

Në filmin hollivudian të vitit 1934, “Grand Hotel”, Greta Garbo, duke luajtur personazhin e Grusinskayas, tha citimin e famshëm “Dua të më lënë rehat”, i cili u bë një nga 100 thëniet e filmave më të famshme në kinemanë amerikane. Në këtë në kohë, neveria e vetë Garbos ndaj famës ishte gjithashtu e njohur dhe MGM e kapitalizoi, duke e forcuar imazhin e saj si gruaja misterioze e heshtur dhe e izoluar.

Kjo strategji u konsiderua unike në kohën e saj dhe ndoshta një strategji e mirë për shumë njerëz të famshëm, ekspozimi i tepërt është një rrezik për të famshmit e çdo kohe. Një politikan athinas i shekullit të pestë para Krishtit i quajtur Aristides u mbiquajt gjerësisht “I drejti” për shkak të reputacionit për drejtësi dhe integritet. Një objektiv i urrejtjes për shkak të famës, ai u kërcënua me internim për 10 vjet më vonë në karrierë.

Kjo ishte një kohë gjatë së cilës grekët do të votonin për dëbimin e politikanëve që nuk i pëlqenin, duke përdorur fletë votimi të bëra nga copa të thyera qeramike, të njohura si ostraka.

Legjenda thotë se në një kthesë të çuditshme të fatit, një fermer analfabet iu afrua Aristidesit dhe i kërkoi të gdhendte emrin “Aristides” në njërën nga këto ostraca, për të votuar në favor të ostracizmit (dëbimit) të tij.

Pa e zbuluar identitetin e vet, Aristidi e pyeti fermerin nëse politikani në fjalë i kishte shkaktuar ndonjë lëndim personal. Fermeri u përgjigj: “Jo. Thjesht më ka ardhur në majë të hundës e jam lodhur duke dëgjuar emrin Aristid i Drejti.” (bota.al)


BotaM