Lajme

Baba i dy fëmijëve, humb jetën 32-vjeçari shqiptar pas aksidentit tragjik në Itali

Një shqiptar ka humbur jetën në Itali, pasi është përplasur kokë më kokë nga një makinë tjetër.

32-vjeçari ka lënë pas gruan dhe dy fëmijët. Përplasja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 17:40, në zonën Selva Piana të Mosciano Sant’Angelo , në provincën e Teramos.

Sipas asaj që raportuan disa banorë të zonës, 32-vjeçari Eduart Hoxha sapo kishte përfunduar turnin e punës në kompaninë e objekteve sportive Delfino Sport. Ai futet në makinën e tij Fiat Punto, përshkon rreth 20 metra rrugë dhe, teksa hyn në rrugën kryesore, goditet nga ana, pikërisht nga ana e shoferit, nga një Audi A3 që drejtohej nga një 25-vjeçar.

Për shkak të goditjes së dhunshme, mbulesa e Audi-t ka hyrë pothuajse tërësisht në Fiat.  Në vendngjarje kanë ndërhyrë me shpejtësi një ambulancë e Kryqit të Kuq dhe një nga Giulianova 118, si dhe zjarrfikësit të cilët kanë nxjerrë nga rrënojat 32-vjeçarin e plagosur rëndë.

Mjekët u përpoqën për ta mbajtur në jetë, por  me gjithë përpjekjet intensive, Eduarti ndërroi jetë pak kohë më pas. I riu 25-vjeçar që drejtonte makinën Audi u transportua me këmbë të thyer në spitalin e Giulianova, ku më pas u operua.

25-vjeçari, si zakonisht, iu nënshtrua testeve të drogës dhe alkoolit, rezultatet e të cilave ende nuk janë bërë të ditura. Punonjësit e policisë bashkiake kanë ndërhyrë për kryerjen e hetimeve dhe menaxhimin e trafikut në vendngjarje. Kryebashkiaku i Moscianos, i pranishëm në vendin e aksidentit, komentoi: “Është një tragjedi e vërtetë. Kjo është një tjetër viktimë e punës. E njihja mirë djalin dhe familjen e tij. Ai ishte një i ri i njohur në qytet, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët”. 32-vjeçari kishte lindur në Tiranë, por prej shumë vitesh banonte në Mosciano.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo