Partia Social Demokrate e Tom Doshit ka bashkuar votat këtë të hënë me dy grupimet e Partisë Demokratike të drejtuara nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha, duke penalizuar kryetarin socialist të Malësisë së Madhe.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak është shoqëruar sot me debate të ashpra mes anëtarëve, për shkak se duhet të votohej buxheti vjetor dhe disa çështje të tjera lokale.
Mirëpo, anëtarët e partisë së drejtuar nga Tom Doshi kanë vendosur që të mos bashkojnë votat me socialistët, por me kolegët e djathtë duke rrëzuar miratimin e buxhetit. Tashmë, institucioni i drejtuar nga socialisti Tonin Marinaj duhet të rishikojë kërkesat e opozitës.
Të pranishëm në mbledhje ishin 27 këshilltarë, ndërsa 4 të tjerë as nuk kanë dënjuar të marrin pjesë. Katërmbëdhjetë prej tyre kanë votuar “PRO”, kurse trembëdhjetë të tjerë kanë votuar “KUNDËR” dhe për pasojë buxheti është rrëzuar.
Duhen 16 vota nga anëtarët që vendimet e Këshillit Bashkiak të hyjnë në fuqi dhe të bëhen të zbatueshme. Me shumicë votash nuk u miratua edhe dhënia me qira e një sipërfaqeje pyjore në zonën e Kozhnjes në Kelmend.
Partia Social Demokrate e Tom Doshit prej muajsh ka dalë në opozitë ndaj vendimeve të Bashkisë së Malësisë së Madhe me në krye socialistin Tonin Marinaj, për shkak të kritikave për vendime të caktuara me karakter lokal.
Mirëpo, a do të mbetet kjo përplasje në Këshillin Bashkiak vetëm në kuadrin e një krize për vendimmarrje lokale, apo ajo do të zhvendoset edhe në Parlament?! Partia Socialiste dhe Partia Social Demokrate nuk janë pjesë e një koalicioni të mirëfilltë, por çdo vendim i mazhorancës që kërkon shumicë votash, partia e Tom Doshit ka ngritur kartonat jeshilë.
//NEWSBOMB.AL
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo