Detaje të reja tronditëse dalin lidhur me vrasjen makabre të 41-vjeçares shqiptare në Selanik të Greqisë.
Gjeorgjia Murati, e cila ishte shtatzëne u vra nga partneri i saj grek, i cili për tetë ditë të tëra në ekranet e televizioneve greke kërkonte me dëshpërim gruan e tij të humbur.
Por në fund rezultoi se ai ishte autori i ngjarjes makabre që tronditi mbarë opinionin publik në Greqi dhe Shqipëri. Burri vrasës denoncoi në polici zhdukjen e bashkëjetueses së tij më 2 janar të këtij viti.
Ndërsa dje 8 janar, autoritetet gjetën trupin e pajetë të 41-vjeçares në një pyll të Halkidikit, midis Triglia dhe Galatista.
Lidhur për vdekjen e shqiptares kanë rënë në prangat e policisë partneri i saj, si dhe një nga miqtë e tij. Trupi i shqiptares u gjet pas dëshmisë së mikut të partnerit të 41-vjeçares.
Gjatë marrjes në pyetje ai ka rrëfyer se gruaja është vrarë nga bashkëshorti dhe se ai e ka ndihmuar që të transportonin trupin e pajetë në zonën ku dhe efektivët e gjetën.
Sipas hetimeve të policisë, autori ka vrarë partneren shtazëne më datë 1 janar me thikë, më pas ai ka kërkuar ndihmën e shokut të tij për të fshehur trupin e pajetë. Nga gjetjet e para të ekspertizës mjeko-ligjore rezulton se 41-vjeçarja ka shenja nga thika në fyt.
“Teatri” i partneres së shqiptares
Më 2 janar, pak orë pas zhdukjes së 41-vjeçares, partneri i saj bëri daljen e tij të parë televizive duke u përpjekur të paraqiste skenarin përmes të cilit besonte se do të fshihte krimin makabër.
“U zgjova në orën 9 të mëngjesit. Pashë që më ka dërguar mesazh se ka ardhur në shtëpi, dhe se kishte marrë para nga sirtari. Nuk mund ta di arsyen, Gjeorgjia më kërkonte gjithmonë para kur i duhej diçka. Më vonë kuptova se mungonin edhe disa sende personale të saj nga shtëpia. Ajo nuk informoi askënd, madje as vajzën e saj”, tha partneri i Gjeorgjisë më 2 janar.
Tre ditë më vonë, ai këmbëngulte se “ duhen gjetur medoemos gjurmët e telefonit të saj. E kam kërkuar në punën e saj, në vendin ku shkonim për kafe, kam kontaktuar me miqtë e saj. Me shoqet që e njohin prej 40 vitesh. Ajo që kuptova nga miqtë e saj është se ata nuk e dinin se ajo ishte shtatzënë”.
Pak orë para zbardhjes së krimit, partneri i Gjeorgjisë ka denoncuar një vjedhje në banesën ku jetonte 41-vjeçarja. Ai inskenoi planin e vjedhjes për të zhvatur rreth 7 mijë euro nga banesa e 41-vjeçares, shkruan zougla.gr. Kjo është pista kryesore që po hetohet tashmë nga policia greke, pasi dyshohet se gruaja fatkeqe u vra për çështje parash.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo