Garage Lock është një podcast i Eugent Bushpepës dhe Renis Gjokës. Emrat e tyre janë një garanci për prodhime cilësore në fushën e muzikës, si shembuj të rrallë të artistëve që edhe pas fillimit të këtij mijëvjeçari, bëjnë muzikë të vërtetë në Shqipëri.
Por jo dhe aq në fushën e gazetarisë.
Por ndoshta është pikërisht ky sekreti i podcastit që ata kanë realizuar, i cili quhet Garage Lock. Një emër që për njerëzit me pasion leximin, artin, bukurinë e teknologjisë, sjell në mendje grupet e famshme të Hard Rock-ut dhe Heavy Metal-it, të cilët hapat e para të ndjekjes së pasionit i kanë hedhur pikërisht në garazhdet e prindërve.
Por të sjell në mendje edhe gjenialitetin e Steve Jobsit.
Ka një magji pra, kjo fjala garazhd. Më shumë se vend ku të futësh makinën, në imagjinatën e shumëkujt është plazmuar si inkubatori i ideve të mëdha të teknologjisë dhe kryeveprave të muzikës.
Po thoshim që, nuk janë aq të sofistikuar në fushën e gazetarës, të intervistimit. Por ndoshta pikërisht kjo gjë e bën edhe më interesant, edhe më të dëgjueshëm, edhe më të pëlqyeshëm. Në një realitet të bombarduar me televizionet 24-orëshe, të mbushur me emisione banaqesh ku nuk ka mbetur kush pa folur, dhe ku zakonisht gazetari që pyet merr 80 përqind të kohës dhe i pyeturi 20 përqind, tërheqja, modestia, pauzat, hapësira e pafund që ata të dy i lënë të ftuarve, është një sekret më vete. Të dish kur të flasësh e kur t’ia lësh fjalën të ftuarit!
Natyrisht, dyshja e ka bërë punën e vet paraprakisht. E ka zgjidhur “problemin” e cilësisë së puntatës së radhës, qysh kur ka bërë përzgjedhin e personazhit të ftuar.
Ti mund të mos jesh dakord me Alfred Cakon, apo Leonard Bombajn, mund të mos kesh qenë lindur në kohën kur këndonte Adhurim Demiri në fillimin e viteve Nëntëdhjetë, mund të mos kesh qenë aty kur shpërthyen Elton Deda, Aleksandër Gjoka dhe Redon Makashi, mund t’i njohësh vetëm si aktor humori Florian Binajn e Eglein Laknorin, apo si thjesht protestues Neritan Liçaj. Mund të jesh adoleshent, që nuk ke dëgjuar dhe aq shumë për Josif Gjipalin.
Por në podcastin e Garazhdit të Kyçur me Dryn nuk gjendesh thjesht përballë emrave të njerëzve. Prapa tyre ka histori jete, nga secila prej të cilave ke diçka për të mësuar, një përfundim për të nxjerrë, një ngjashmëri me atë që të ka ndodhur.
Jetë personazhesh që para se të ngjiten aty ku janë sot, kanë patur sfida për të kapërcyer, xhelozi për të përballuar, histori të bukura dhe më pak të tilla për të përjetuar.
Aty ke një copëz të Shqipërisë së tranzicionit (dhe jo vetëm). Të cilën e dëgjon me ëndje, në makinë a në rrugë, në zyrë a shtëpi.
Në kohën e muzikës pa tekst dhe teksteve pa muzikë, kur mediokriteti ia ka hedhur duart në fyt artit dhe jo vetëm, podcasti i Bushpepës dhe Gjokës është një kujtesë për të gjithë se kushedi, mund të jetë vërtetë kalimtare koha që po jetojmë. Dhe se kush e do letërsinë, artin, muzikën, filozofinë, mund t’i mbijetojë pa problem. Mjafton të ketë ushqim të vazhdueshëm për mendjen dhe shpirtin. Dhe një hapësirë që ka aromën e pangatërrueshme të lirisë.
Të tillë ndjesi të jep podcasti i dy muzikantëve par excellence, të cilët kanë vendosur të kyçen brenda një garazhdi në Tiranë, duke lënë përjashtë derës të gjitha broçkullat e përditshmërisë së këtij qyteti. (bota.al)
BotaM