Dhjetra qyetetarë janë mbledhur sërish mbrëmjen e sotme poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Prej ditësh tashmë demokratët shkojnë në rrugicën ku dhe ka shtëpinë Berisha për t’i treguar atij mbështetjen në këto ditë të vështira për të, i cili ndodhet në “arrest shtëpie”.
Kujtojmë se në 30 dhjetor GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke caktuar masën “Arrest Shtëpie” për Sali Berishën, teksa gjyqtare ka qenë Irena Gjoka, për të cilën avokatët e liderit të PD-së kërkuan përjashtimin e saj.
Siç dihet, SPAK kishte kërkuar masë më shtrënguese për ish kryeministrin, pasi ky i fundit nuk iu bind vendimit të parë për detyrim paraqitje. Ish-kryeministri Sali Berisha është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, – thuhej ndër të tjera në vendimin e GJKKO-së më 30 dhjetor 2023.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo