Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehet se Shqipëria është krahë aleatëve SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar në aksionet kundër objektivave ushtarake të lëvizjes Houthi në Jemen.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Niko Peleshi thotë se Shqipëria mbështet reagimin e partnerëve të saj perëndimorë, SHBA dhe Britanisë së Madhe ndaj objektivave Houthi.
“Ne mbështesim Rezolutën 2722 të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe qëndrimin e përbashkët për fundin e menjëhershëm të sulmeve të paligjshme të Houthi-ve, të cilat minojnë rendin ndërkombëtar, ekonominë globale dhe rrjedhën e lirë të tregtisë nga sulmet e paprecedentë, destabilizuese, të paligjshme dhe të pajustifikueshme të Houthi-ve kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq. Mesazhi ynë mbetet i qartë: Ne do të jemi gjithmonë përkrah aleatëve tanë në këtë sfidë ndërkombëtare për të mbështetur dhe mbrojtur jetët dhe rrjedhën e lirë të tregtisë në një nga rrugët ujore më kritike në botë përballë vazhdimit të kërcënimeve”, shkruan ministri i Mbrojtjes në Facebook.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania, me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kanë sulmuar objektivat e përdorura nga grupi i rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen.
Presidenti Joe Biden, tha se ushtarët amerikanë së bashku me ata britanikë ndërmorën të enjten këtë sulm kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq.
“Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedente nga (grupi) Houthi kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”, tha presidenti Biden gjatë një konference për shtyp.
Lidhur me këto sulme reagoi edhe kryeministri britanik Rishi Sunak, i cili fajësoi grupin Houthin për një sërë sulmesh të rrezikshme dhe destabilizuese kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke kërcënuar kështu Mbretërinë e Bashkuar dhe anijet e tjera ndërkombëtare.
Ai e përfundoi deklaratën e tij duke u bërë thirrje anëtarëve të kësaj lëvizje islamike që të ndalojnë sulmet e ture dhe të ndërmarrin hapa për të de-përshkallëzuar. Ndërsa, nga ana tjetër udhëheqësi Houthi, Mohammed al-Bukhaiti ka kërcënuar se SHBA dhe Britania e Madhe do të “kuptojnë së shpejti” se sulmet në Jemen “ishin marrëzia më e madhe në historinë e tyre”.
Sulmet u kryen me raketa Tomahawk të lëshuara nga anijet dhe avionë luftarakë, thanë zyrtarë amerikanë për agjencinë Associated Press. Objektivat ushtarake përfshinin qendra logjistike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe depo armësh, thanë zyrtarët.
Sulmet ishin përgjigjia e parë ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj fushatës së vazhdueshme të sulmeve me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Sulmi i koordinuar ushtarak vjen një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe një numër vendesh partnere paralajmëruan rebelët Houthi se do të përballeshin me kundërpërgjigje ushtarake nëse nuk ndalonin sulmet.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo