Komisariati i Policisë Rrugore të Tiranës këshillon qytetarët të zbatojnë më përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor, teksa thekson faktin së fundmi, kanë kapur në kamera shkelje nga këmbësorë, çiklistë dhe përdorues të patinave elektrike.
Me anë të një njoftimi zyrtar, u bën apel që të mos kalojnë rrugën jashtë vendkalimeve të këmbësorëve, pasi është rrezik për jetën e tyre dhe të të tjerëve.
“Vëmendje të gjithë përdoruesve te rrugës! Ne si Komisariati i Policisë Rrugore të Tiranës jemi përkushtuar për të ruajtur sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugëve. Së fundmi, kemi kapur në kamera shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga këmbësorë, çiklistë dhe përdorues të patinave elektrike. Kujdes! Të mos kaloni rrugën jashtë vendkalimeve të këmbësorëve.
Është jo vetëm shkelje e ligjit, por edhe rrezik për jetën tuaj dhe të të tjerëve. Çiklistët dhe përdoruesit e patinave elektrike: Ju lutemi përdorni vendkalimet tuaja të dedikuara. Kjo ndihmon në mbajtjen e një qarkullimi të sigurt dhe të rregullt për të gjithë.
Ne do të jemi të vendosur dhe strikt ndaj çdo shkeljeje të rregullave të qarkullimit. Siguria rrugore është përgjegjësi e të gjithëve!
Ndajeni këtë mesazh për të ndërgjegjësuar më shumë njerëz rreth rëndësisë së respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Faleminderit për bashkëpunimin!” njofton policia.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo