80 vitet e jetës duhet të ishin një festë e madhe për lexuesit e veprës së Fatos Kongolit. Por dje, ditëlindja e tij u kujtua në një ceremoni në Akademinë e Shkencave, ku gjeje më shumë burra e gra me flokë të bardha, e tek tuk edhe ndonjë të ri. Kamerat mungonin. Ceremonia ishte aty, por shkëlqimi larg të qenurit i tillë për një njeri të letrave si ai.
Në krah, botuesit e Toena, shtëpisë së tij botuese të përhershme Irena e Fatmir Toçi, por edhe miq të shumtë, shkrimtarë e gjuhëtarë dhe dashamirës së veprës së tij.
Fatos Kongoli u lind në Elbasan në 12 janar 1944, dhe studimet e para i pati për matematikë. Vitet i zbuluan pasionin për gazetarinë dhe kështu u formësua me një makinë shkrimi duke hedhur reportazhet e para. Derisa të vinte tek vepra.
Shkrimtari i “Karuselit”, “I humburi”, “Bolero në vilën e pleqve”, “Iluzione në Sirtar” e mbi 35 veprave të tjera të botuara me shumë dashuri nga Toena, ngjiti dje shkallët e Akademisë së Shkencave ngadalë, i kapur për dore e me kapele në kokë.
Vitet kanë bërë të tyrin në portretin e shkrimtarit, por shkëlqimi i syve tregonte mirënjohjen për të gjithë ata që e respektuan në ceremoninë e këtij 80 vjetori.
Tek Kongoli, vepra e tij i gjejmë të gjitha. Gjejmë realizmin e personazheve, ashtu sikurse edhe dramat ekzistenciale të tyre, që shpesh, janë artikuluar se përngjasojnë me personazhe të Kafkës apo Kamysë.
Tipet e ndryshme të personazheve të tij, shpesh shfaqen hipokritë nga lëvizshmëria e tyre në diktaturë dhe jetesa në atë regjim, por herë të tjera e shfaqnin atë nga natyra e brendshme e tyre, dhe në personazhet e Kongolit, Hipokriti si personazh gjendet gjithandej.
Por ka edhe një labirinth të vetin, që e krijon për ngjarje dhe rrethana. Vendos aty personazhet duke krjijuar situata dramatike e pasandaj duke u dhënë ngjyrat e domethënien që do. Pra, shkurt, në një liri dhe fantazi që kushdo që e lexon, pret me ankth çdo të ndodhë më tej.
Veprat e tij janë përkthyer në 11 gjuhë të huaja dhe përkthyesi i veprës së tij është mjeshtri Edmond Tupja.
Fatos Kongoli ka fituar tri herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjonit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës, dhe “Mjeshtër i madh” (2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
//Newsbomb.al
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo