Dalina Buzi, një gazetare e njohur, themeluese e Anabel dhe producente e shkrimtare edhe e një seriali televiziv të suksesshëm “SNOB”, nëpërmjet një letre botuar në median e saj, hap një debat shumë të madh për produksionin e Big Brother, që starton sot në televizionin Top Channel.
Vëmendja e Buzit shkon te shoqëria shqiptare, dhe kërkesa për producentët, analistët, drejtuesit e gjithë përgjegjësit e këtij formati show televiziv që të fokusohen dhe ta orientojnë debatin brenda shtëpisë tek problemet e plagët e shoqërisë shqiptare, për të ndërgjegjësuar sadopak dhe për të edukuar njëkohësisht.
“Patjetër që ky prodhim, duhet të jetë edhe një sukses biznesi, sepse në fund të ditës, televizioni është biznes, por ajo çfarë e ka bërë përshtatjen e formulës hollandeze kaq “hit” në Shqipëri është edhe dashuria dhe përkushtimi me të cilin është gatuar ky program që nis me vizionin e investitorit të parë Dritan Hoxha, vijon me punën e autorit të edicioneve të Big Brother me njerëz të zakonshëm, Rezart Aga (dhe stafit të tij) deri tek drejtueset e sotme të Big Brother, Lori dhe Sara Hoxha, apo si bashkë-autorë e moderatorë Arbana Osmani e tashmë Ledion Liço (së bashku me stafin.)” shkruan Buzi duke thënë se ky format do të përdoret edhe për përfitime financiare.
Por, orientimi duhet të jetë tek temat.
Shqipëria sipas Dalinës sot vuan; vuan për sistemin arsimor; vuan për emigracionin e lartë; vuan për rrogën mesatare të ulët e vuan edhe për art e kulturë. Shqipëria vuan sot për kriminalitetin e lartë dhe dhunën ndaj grave, ashtu sikurse vuan edhe aksesin në një turizëm elitar sepse ka rënë në dorë të oligarkëve. Vuan edhe për politikën, në një vend që nuk ka opozitë; vuan edhe për vajzat që e kanë mendjen tek dukja e Balenciaga, dhe jo tek gjërat e mencura që duhet të thonë.
“Për momentin jemi kjo Shqipëri. Me male e fusha të bukura e me një det të kristaltë padyshim që janë dhuratë e Zotit, por me njerëz në një krizë të madhe emocionale dhe morale. Nuk shkëputen dot nga e kaluara, nuk përballojnë dot të tashmen dhe nuk e shohin të ardhmen këtu. Jemi një popull në depresion (por me sedër të lartë për të shkelur në psikologë) dhe Big Brother, është e vetmja gjë QË NDODH DHE I SHPËTON” shkruan Buzi.
“Big Brother VIP nuk është “Një tjetër shoë”, por është tashmë një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës tonë të argëtimit. Big Brother nuk dallon më në nivel intelektual shikuesish. E sheh edhe një i pashkollë, e shohin edhe ata që paralelisht po përgatisin në laptop punimin për doktoraturë” shkruan Dalina.
Ndaj sugjeron producentja e emisioneve të tjera, këtu duhet të ndërhyjë stafi organizativ i Big Brother.
“Si producente e di që ndonjëherë, ndodh të mbyllim sytë përpara sjelljeve të një personazhi interesant që duhet nga publiku, por në fund pyetja është se cili është roli ynë? Çfarë kërkojmë të arrijmë ne me këto produksione në një periudhë afatgjatë? Publiku që bërtet nëpër rrjete sociale, nuk është detyrimisht i gjithi publiku përparimtar, ai që e çon përpara shoqërinë. Një pjesë e madhe e tyre janë aty për të thithur se çfarë u jep. Por ata nuk mund të diktojnë se çfarë do u jepni ju. Është fuqia juaj që duhet të diktojë se çfarë i duhet apo jo kësaj shoqërie. Jo vetëm kësaj shoqërie që e sheh dhe blen produktet e sponsorëve, po edhe të asaj që do të jetë 10, 20 vjet më vonë me fëmijët tuaj e fëmijët tanë. Se ndoshta një ditë, bën vaki, edhe fëmijët tuaj të mbarojnë shkollat private jashtë e të duan të kthehen këtu. Çfarë do gjejnë? Kjo është pyetja. Çfarë Shqipërie duam, pasi qepenat e shtëpisë më të famshme në Shqipëri të mbyllen dhe dividentët të shpërndahen në fund të vitit?”
Shkrimin e plotë e lexoni këtu…
Kjo letër u drejtohet të gjithë organizatorëve, autorëve, moderatorit dhe opinionistëve të “Big Brother VIP 3”. Ju e dini, por unë personalisht e ndjej t’jua kujtoj me këtë letër se çfarë fuqie që keni në dorë dhe se si ju, më shumë se kushdo tjetër aktualisht, më shumë se politika, më shumë se muzika, madje më shumë se ekonomia, keni pushtetin që me profesionializmin, eksperiencën tashmë të përftuar pas dy sukseseve të mëparshme dhe me dëshirën e mirë (që është më e rëndësishmja) të orientoni masën, në këtë kohë krize morale, drejt promovimit të një fryme pozitive dhe lartësimit të vlerave njerëzore.
Kërkesa ime nuk është aspak altruiste. Big Brother është një nga spektaklet më të suksesshme në historinë e televizionit shqiptar dhe në kohën e rrjeteve sociale, një nga produktet më ndikuese në shoqëri, për të mos thënë që aktualisht, i vetmi prodhim me ndikim në nivel mbarëkombëtar. Patjetër që ky prodhim, duhet të jetë edhe një sukses biznesi, sepse në fund të ditës, televizioni është biznes, por ajo çfarë e ka bërë përshtatjen e formulës hollandeze kaq “hit” në Shqipëri është edhe dashuria dhe përkushtimi me të cilin është gatuar ky program që nis me vizionin e investitorit të parë Dritan Hoxha, vijon me punën e autorit të edicioneve të Big Brother me njerëz të zakonshëm, Rezart Aga (dhe stafit të tij) deri tek drejtueset e sotme të Big Brother, Lori dhe Sara Hoxha, apo si bashkë-autorë e moderatorë Arbana Osmani e tashmë Ledion Liço (së bashku me stafin.)
Big Brother është një formulë gjeniale e llojit entertainment. Ndoshta Lori Hoxhës nuk i pëlqen fjala “kavie”, sepse ajo në të drejtën e saj, i sheh konkurrentët si njerëz, por jam e sigurt që në tavolinën ku është bërë “diskutimi i parë” mes krijuesish e producentësh të kësaj formule, nuk është folur për shpirtin e konkurrentëve, por për një grup qeniesh humane që do të vendosen në rrethana të pazakonta dhe më i forti që i superon këto rrethana sipas publikut, del fitues. Kaq e thjeshtë! Se vdes ndonjë gjatë transmetimit, nga ana njerëzore, do të ishte e trishtë, por patjetër që do të shoqërohej edhe me një “shikim të shpejtë” të sondazheve të shikueshmërisë.
It is what it is, thonë amerikanët dhe në thelb formula është “djallëzore”. Por është absolutisht ok, sepse pa intrigën e produksionit që shtyn përpara ngjarjet, Big Brother nuk do të krijonte atë sukses që ka krijuar dhe atë varësi të përvitshme në shumë shtete të botës.
Tani kthehemi te Shqipëria. Shqipëria ka një fizionomi të caktuar që nuk është e krahasueshme me shumë shtete të tjera ku është aplikuar kjo formulë. Ne për momentin jemi një vend i përgjysmuar në popullsi, me një arsim në krizë (e dëshmuar kjo nga vetë Top Channel në një investigim të fundit); kemi një rini, 80% e të cilës, sipas statistikave kërkon të largohet; arti dhe kultura zënë më pak se 1% të përmbajtjes në media; rroga mesatare nuk përballon dot 1 javë shpenzime normale. Klasa e mesme nuk ekziston. Të mençurit po largohen dhe po investojnë trurin e tyre për kompanitë e huaja. Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve vetëm thellohet dhe Shqipëria tashmë kontrollohet nga një grusht oligarkësh.
Në këtë vend nuk ndodh asgjë e madhe. Kush ka mundësi çon fëmijët në kurse pas shkolle, por shumica që s’ka, i lë brenda dyerve të shtëpisë me celular në dorë. Shkollat nuk promovojnë asnjë aktivitet. Shumë pak shkolla kanë ekipe sportive apo klube shkencore e letrare. Turizmi është rritur, por shqiptarëve u është mbyllur aksesi në shumë plazhe të bukura të jugut, në pamundësi për të paguar edhe dy ditë radhaz një shezlong. Argëtimi më i madh që ndodh janë koncertet më të njëjtët këngëtarë që përsërisin me playback të njëjtat këngë në të gjitha klubet e mundshme të Shqipërisë. Kinemaja lavdi Zotit po zhvillohet, por është ende një kinema panetone 500 lekëshe me aktorë çka, regji çka, teknikë çka, pra me aq sa dimë e kemi mundësi për momentin, në një vend me 5 kinema e ku Qendra Kinematografike ka 1 vit që nuk funksionon.
Politikisht, jemi një shtet monopartiak. Kemi një opozitë të shpërbërë me 3 koka të çoroditura, gati flu (sepse askush nuk është i qartë në atë çfarë do dhe ku do të shkojë) dhe lajmi më i madh që prodhohet nga kjo opozitë, është arresti i Berishës dhe fjalimet e tij nga dritarja e kuzhinës.
Në rrjetet sociale çdo lajm që shan një njeri spektakli, shoqërohet nga komente degjeneruese e denigruese. Çdo lajm që përmend një trafikant droge, shoqërohet nga mbështetje e duartrokitje masive.
Në media vaniteti është bërë qëllim në vetvete. “Thuaj se ke lekë” e klikohesh. “Thuaj se vesh Balenciaga” e klikohesh. Një mburrje qesharake me lekë që derdhen në krevate me dërrasa 30-vjeçare e çarcafë të tjerrur nga zierja e tepërt.
Nga policia vijnë statistika të shtimit të dhunës ndaj gruas dhe të rritjes fenomenale (si kurrë më parë) të 12-13 vjeçarëve që shkojnë në shkollë me biçakë dhe përfshihen në krime si grabitje, dhunë fizike deri në kanosje me armë.
Për momentin jemi kjo Shqipëri. Me male e fusha të bukura e me një det të kristaltë padyshim që janë dhuratë e Zotit, por me njerëz në një krizë të madhe emocionale dhe morale. Nuk shkëputen dot nga e kaluara, nuk përballojnë dot të tashmen dhe nuk e shohin të ardhmen këtu. Jemi një popull në depresion (por me sedër të lartë për të shkelur në psikologë) dhe Big Brother, është e vetmja gjë QË NDODH DHE I SHPËTON.
Në Itali vitin e kaluar Grande Fratello kapi 16% të audiencës. Në Britaninë e Madhe, Big Brother pati një rikthim të suksesshëm në episodin e parë, por më pas ra në 800,000 shikueshmëri (popullsia e Britanisë që të kuptohemi është 63 milionë). Në Hollandë (vendi ku u krijua formula) finalja kapi 368,000 shikues. Aq sa kap një video e zakonshme e hedhur në Instagramin e Big Brother Albania.
Në botë ka zgjedhje. Televizioni është diçka sidomos për netët e vona pas pune apo dimrat e gjatë. Por nuk është gjithçka. Në Shqipëri, në 2023, Big Brother arriti shifra rekord. Nuk është nevoja të ekzistojnë sondazhe, për të kuptuar që Big Brother ka përfshirë të gjithë Shqipërinë. Rrugët u boshatisën, lokalet mbylleshin të martë e të shtunë dhe njerëzit u përfshinë aq shumë në ngjarje sa dolën në protesta e gati sa nuk i ngritën monument Luizit përballë Skënderbeut, me devotshmërinë dhe çmendurinë deri në histerizëm për banorin, që më vonë u shpall fitues.
Siç thashë edhe më sipër, Shqipëria është e veçantë. Big Brother VIP nuk është “Një tjetër show”, por është tashmë një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës tonë të argëtimit. Big Brother nuk dallon më në nivel intelektual shikuesish. E sheh edhe një i pashkollë, e shohin edhe ata që paralelisht po përgatisin në laptop punimin për doktoraturë.
Dhe këtë spektakël, në këtë Shqipëri, e keni në dorë ju i dashur produksion. Ndoshta kjo që po them, ju vë padashje përpara përgjegjësive më të mëdha se ç’mendoni se ju takojnë. Jeni një staf që ju pëlqen arti, televizioni, doni të argëtoni njerëz, pjesa me e madhe e juaja nuk ka kapur as të 35-at dhe ndoshta as nuk keni ëndërruar kaq shumë pushtet. Por ja që e keni dhe nuk i shpëtoni dot. Ju jeni më të fuqishëm se ç’e mendoni dhe kërkesa ime (dhe unë flas në emër të gjithë atyre që e duan këtë vend) është që ta njihni këtë përgjegjësi.
E pamundur të kontrollosh të gjithë tipologjitë që do të jenë brenda në atë shtëpi. E kuptoj. E pamundur të parandalosh sjellje që mund të ndodhin gjatë transmetimeve live. E kuptoj. E pamundur të parashikosh rrjedhën e debatit mes opinionistëve dhe banorëve. E kuptoj. Por është shumë e mundur të vendosësh barriera e t’i qëndrosh vendimit penalizues edhe kur kjo mund të rrezikojë largimin e një banori të preferuar, nëse është e qartë që e kundërta do të krijonte një precedent për një tjetër “plagë” në krizën morale që po kalon vendi ynë.
Si producente e di që ndonjëherë, ndodh të mbyllim sytë përpara sjelljeve të një personazhi interesant që duhet nga publiku, por në fund pyetja është se cili është roli ynë? Çfarë kërkojmë të arrijmë ne me këto produksione në një periudhë afatgjatë? Publiku që bërtet nëpër rrjete sociale, nuk është detyrimisht i gjithi publiku përparimtar, ai që e çon përpara shoqërinë. Një pjesë e madhe e tyre janë aty për të thithur se çfarë u jep. Por ata nuk mund të diktojnë se çfarë do u jepni ju. Është fuqia juaj që duhet të diktojë se çfarë i duhet apo jo kësaj shoqërie. Jo vetëm kësaj shoqërie që e sheh dhe blen produktet e sponsorëve, po edhe të asaj që do të jetë 10, 20 vjet më vonë me fëmijët tuaj e fëmijët tanë. Se ndoshta një ditë, bën vaki, edhe fëmijët tuaj të mbarojnë shkollat private jashtë e të duan të kthehen këtu. Çfarë do gjejnë? Kjo është pyetja. Çfarë Shqipërie duam, pasi qepenat e shtëpisë më të famshme në Shqipëri të mbyllen dhe dividentët të shpërndahen në fund të vitit?
Duke qenë se herë pas here nga eksperienca ime e gjatë me shkrime të tilla kritike, shumë gjëra janë “lost in translation”, dua të theksoj edhe njëherë që suksesi i jashtëzakonshëm i këtij spektakli, është në radhë të parë merita juaj. Ndoshta ne “më të brendshmit” e medias e dimë se çfarë lodhje e tejskajshme është të realizosh një produksion të tillë. Big Brother VIP ka në radhë të parë shumë punë, por ka edhe pak fat. Sfida që mbetet sipas mendimit tim personal është që të ndërgjegjësoheni plotësisht për pushtetin e këtij programi. Sado e dhimbshme të tingëllojë për ju që gdhiheni e ngryseni çdo ditë duke punuar e menduar për këtë produksion, ai nuk ju përket më juve. Nuk i përket më as Top Channel-it. BBV është pjesë e pushtetit të katërt, por superon çdo lloj ndikimi tjetër.
Në mbyllje, ky shkrim edhe pse mban emrin e mbiemrin tim, është shkruar në emër të mijëra ndjekësve me të cilët Anabel komunikon gjatë edicioneve të Big Brother që prej vitit 2009 në rrjetet tona sociale. Fatmirësisht, kemi ndjekës që përfaqësojnë një Shqipëri fantastike, kudoqofshin ata dhe që ne si Anabel e kemi për detyrë që kur ta shohim programin më me ndikim në këtë vend, ta shohim për ata, me zero tolerancë ndaj çdo parregullsie apo nonsensi që mund të krijohet prej produksionit apo banorëve.
Kjo është një letër e shkruar vetëm nga dashuria, si një ndjekëse e kësaj formule që në sezonin e parë të saj dhe që mezi pret të shtunën!
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo
NewsBomb