Mediat në serbi raportojë se një rrjet spiunazhi është goditur nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë në Beograd. E njohur dhe si BIA, shërbimi informativ i Serbisë thotë se mes të arrestuarve është dhe një shtetas që vepronte për llogari të Shërbimit Informativ të Shqipërisë.
Lajmin e jep media “Tanjug”, e cila thotë se bëhet fjalë për një rrjet të gjerë spiunazhi, ndërsa thekson se personi i ndaluar është shtetas i Serbisë, por që vepronte për shërbimet e huaja.
“Në aksion është arrestuar një shtetas me iniciale D.R i Serbisë me dyshimin se është bërë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë – SHISH deri në vitin 2022, me urdhër dhe detyra të të cilit ka vepruar”, shkruan media serbe.
Ky shtetas, thotë artikulli, ka vendosur kontakte dhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, një institucion homolog i shërbimit informativ.
Bashkëpunëtori i shërbimeve të huaja, konkretisht sipas pretendimeve se ka vepruar për llogari të SHISH në Shqipëri, është angazhuar në mbledhjen e të dhënave relevante politike, të sigurisë dhe ekonomike në Serbi, detyra të cilat ia kishte caktuar Shërbimi Informativ Shqiptar.
Në disa raste ai ka filmuar lëvizjet e forcave të sigurisë serbe në zonën e komunës së Rashkës, në radhë të parë të njësive të Ushtrisë Serbe. Synimi i i tij thuhet se ishte të mblidhte sa më shumë materiale video për “shënjestrat” dhe t’ia dorëzonte shërbimit inteligjent të Shqipërisë.
Siç pretendohet, bashkëpunëtori i arrestuar është takuar me përfaqësues të Shërbimit Informativ të Shtetit kryesisht në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri dhe disa herë në territorin e Kosovës, në Pejë dhe Zhur.
Megjithatë, ky është vetëm një raport i mediave në Serbi, pasi BIA nuk ka dalë ende me asnjë deklaratë zyrtare si për operacionin kundër rrjetit të pretenduar të spiunazhit, ashtu edhe për bashkëpunëtorin serb të shërbimeve sekrete shqiptare.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo