Fjalët që nuk i tha dot në Kuvend nga kaosi dhe zhurmat e krijuara nga deputetët e opozitës, presidenti Bjaram Begaj i shprehu një orë më pas, nga ambientetet e Presidencës.
Begaj tha se sesioni i ri parlamentar është një mundësi e re që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të dialogojnë dhe të diskutojnë për interesat e qytetarëve dhe çështje madhore për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij nga Presidenca, Begaj tha se deputetët duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët, teksa theskoi se qytetarët kanë nevojë për një Kuvend aktiv.
Bajram Begaj: Kuvendi ka nevojë për opozitën dhe zërin e saj. Duhet të gjendet gjuha e përbashkët dhe dialogu. Kuvendi të jetë tempulli i shpalosjes së vlerave më të mira të vendit. Kuvendi është hapësira e debateteve ku profesionistë të ndryshëm, media, student, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen. Nuk mund të ketë liri apo drejtësi sociale pa demokraci. Klasa politike ka detyrë të jetë në vijën e parë për mbrojtjen e parimeve demokratike. Jam i bindur që deputetët mund të zëvendësojnë përçarjen me frymën e shenjtë të parlamentarizimit. Koha e humbur në ndasi nuk kthehet më. Sesioni i ri është një mundësi për kythesë, që deputetët të shkojnë drejt dialogut. Sesioni i ri është mundësi e re për Kuvendin e Shqipërisë. Uroj të rikthehemi te bashkëpunimi parlamentar. Interesat partiakë nuk mund të bëhen pengesë. Jam i bindur që axhenda e këtij sesioni është i mbushur me sfida që kërkojnë përkushtim. Qyetarët shqiptarë presin një Kuvend aktiv për transparencë dhe llogaridhënie.
Seanca e parë e sesionit parlamentar për vitin 2024 nisi me tensione dhe kaos.
Me bilbilë dhe pankarta në duar të vendosur përreth foltores, deputetët e opozitës vazhduan aksionin e tyre, duke shkaktuar rrëmujë dhe zhurmë në sallën e parlamentit.
Ndonëse prezentë në sallë ishin edhe diplomatët e huaj në Shqipëri, deputetët e opozitës të pabindur për tu ulur në karriget e tyre për mbarëvajtjen e seancës, bënë të pamundur daljen e presidentit Bajram Begaj, i cili sipas axhendës pritej të mbante fjalim hapës në seancën e parë të vitit 2024.
Lidhur me situatën e krijuar në Kuvend dhe pamundësinë që Begaj të mbante fjalimin në Parlament, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i kërkoi ndjesë presidentit për anulimin e fjalës së ti.
“Ndjesë presidentit Bajram Begaj që për shkak të opozitës pamundësohet që qytetarët të ndjekin fjalimin e tij në Kuvend”, tha Lindita Nikolla.
Në seancën e sotme plenare u betua Plarent Ndreca. Juristi i njohur iu bashkua “ekipit” të mazhorancës socialiste duke marrë mandatin e deputetit Arben Ahmetaj, në kushtet kur ky i fundit ndodhet në arrati prej më shumë se gjashtë muajsh dhe për rrjedhojë nuk mund ta gëzojë me postin.
Sot u votua dhe dekreti i presidentit Bajram Begaj për emërimin e Blendi Gonxhes në krye të një ministrie të re, përgjegjëse për tre sektorë, për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, shkruan newsbomb.al.
Po ashtu, në seancën e sotme u votua dhe emërimi i Adea Pirdeni në krye të Ministrisë së Antikorrupsionit.
Seanca e parë plenare e këtij sesioni të ri parlamentar për vitin 2024 ka zgjatur vetëm 15 minuta dhe pas thirrjeve të vazhueshme të kryetares Lindita Nikolla, është mbyllur. Sot ishte vendosur që presidenti Bajram Begaj t’i drejtohej popullit dhe vetë deputetëve, por kjo ka dështuar për shkak të kaosit të opozitës.
Në sallë kanë qenë dhe përfaësuesit e trupit diplomatik, të cilët kanë ndjekur të gjithë situatën nga lozhat e sallës së Kuvendit të Shqipërisë.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo