Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në kuadër të Forumit Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicës.
Përmes një postimi në platformën X Kurti tha se O’Brien e ka vlerësuar përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, dhe ka diskutuar për përmbajtjen e Kosovës “përballë sulmeve dhe provokimeve”.
Kurti thekson se SHBA është një mik dhe aleat i çmuar. Ne presim bashkëpunim të vazhdueshëm.
A pleasure to meet w/ 🇺🇲 Asst Sec O’Brien upon arriving in Davos. He expressed appreciation for 🇽🇰’s economic & democratic progress and acknowledged our restraint in the face of attacks & provocations. The US is a treasured friend & ally. We look forward to continued cooperation. pic.twitter.com/wORkZW5zeI
— Albin Kurti (@albinkurti) January 16, 2024
Përveç Kurtit, në Davos po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim Kurti – Vuçiq në margjina të forumit.
Një ditë më herët, Lajçak është takuar në Davos me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel, shkruan REL. Në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, por sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë marrë hapa në atë drejtim.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur procesin e dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, qysh më 2011.
Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo