Lajme

Rama mbledh drejtorët dhe Sekretarët e Përgjithshëm, mesazhi për SPAK dhe BKH

Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur pasditen e së martës në ambientet e Kryeministrisë drejtorët e Përgjithshëm të agjencive si dhe Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive.

Në një takim i cili zgjati për gati një orë e 45 minuta, burime për mediat bëjnë me dije se kreu i qeverisë u foli lidhur me zhvillimet dhe lëvizjet e bëra së fundmi nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Kryeministri u ka kërkuar vartësve të tij që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos i lejojnë që të tejkalojnë kompetencat, por t’i kërkojnë që të respektohen të gjitha procedurat ligjore dhe të mos dorëzohen pa kushte para agjentëve.

I shqetësuar nga lëvizjet e bëra së fundmi nga BKH dhe SPAK dhe ndërhyrjet e tyre direkte në institucione dhe në administratë, ku kanë shkuar dhe kanë marrë një sërë dokumentash, Rama ka “këshilluar” drejtorët dhe sekretarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos ia hapin dyert kujdo, duke mos lejuar kështu marrjen e të gjitha dokumentave dhe kontrolleve në tejaklim të procedurës.

Rama ka theksuar se vërtet prokurorët dhe agjentët bëjnë punën e shtetit, por edhe drejtorët dhe punonjësit e tjerë të administratës kryejnë një detyrë shtetërore, ndaj nuk duhet të lejojnë që zyrat e tyre të kthehen në “han pa porta”.

Sipas asaj që CNA raportoi më herët, kreu i qeverisë pretendon se BKH dhe SPAK po kalojnë kompetencat e ligjit dhe janë duke vepruar në tejkalim, duke shkuar kështu nëpër institucione të ndryshme dhe duke kryer veprime dhe procedura të menjëhershme, në mënyrë të befasishme dhe pa njoftuar më parë institucionin.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo