Lara Colturi, 17-vjeçarja shumë e talentuar shqiptaro-italiane, shkëlqeu në garën e radhës në Kupën e Botës në ski alpine. Vajza 17-vjeçare zuri vendin e 9-të në garën e sllallomit, të zhvilluar në pistën e qytezës Flahau në Austri.
Colturi la pas plot 65 rivale, duke u mposhtur vetëm nga më të mirat e botës, që për më tepër kanë moshë më të madhe e më tepër përvojë se adoleshenjta shqiptaro-italiane.
Ajo dha kohën afërsisht 2 sekonda e gjysmë më shumë sesa fituesja.
“Jam shumë e kënaqur për këtë mbrëmje, më në fund arrita që të sjell në një garë të tillë emocionet dhe rezultatet që bëj në stërvitje, u përpoqa që të shtyjë në maksimum në lëshimin e parë duke u përpjekur që të renditem mes 30 të parave. Më pas në të dytin u mundova ta shijoj dhe të jap më të mirën time. Nuk di, jam shumë e kënaqur. Tani do të fokusohem në garën e ardhshme”, – tha Lara Colturi.
Ky është rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë në këtë sport, nga një shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në garën e zhvilluar në Austri triumfoi amerikania e shquar, Mikaela Shiffrin, që arritin fitoren e 94-t në karrierë në garat e Kupës së Botës.
Lara është njohur si shqiptare vetëm dy vite më parë dhe është vajza e ish medalistes Olimpike Italiane Daniela Ceccarelli e cila është edhe drejtoresha teknike e Federatës Shqipare të Skive.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo