Lajme

KPA konfirmon shkarkimin nga detyra të ish gjyqtares Etleva Temo

Kolegji i Posaçëm i Apelit ka konfirmuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për shkarkimin nga detyra të ish gjyqtares së Gjykatës së Korçës, Etleva Temo. Vendimi u mor ditën e sotme nga trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare.

Etleva Temo kishte kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelit ritkimin në detyrë, duke pretenduar se gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk ishin të sakta.

Ajo u shkarkua më 12 tetor 2020 pasi nuk kishte justifikuar pasurinë. Gjithashtu më herët KPK tha se një tjetër shkak është se Temo ka pasur edhe konflikte interesi, pasi bashkëshorti ka udhëtuar me një person, i cili ishte në proces gjykimi nga ish-gjyqtarja.

Temo ka qenë pjesë e trupës gjykuese së bashku me Mimoza Margjekën dhe Olsi Xhavellën për të ndryshuar masën e sigurisë për Orion Balin. Po ashtu Temo ka qenë gjyqtare edhe në procesin “Shullazi”, e caktuar nga KLGJ.

Etleva Temo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare në Gjykatën e Pogradecit. Në vitin 2014, Temo është promovuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo