Dëshira për të qenë të lumtur na bashkon të gjithëve dhe kërkimi i saj nuk njeh kufi. Por siç e dini ka popullsi në botë që janë më të lumtur se të tjerat, të paktën sipas studimeve. Një prej tyre është edhe ajo japoneze, konkretisht banorët e ishullit Okinawa, të cilët kanë prezantuar popullin japonez (dhe tani gjithë botën) me metodën Ikigai.
Filozofia japoneze ka si synim të identifikojë kuptimin e ekzistencës sonë. Termi zbërthehet në “iki” = jetë dhe “gai” = kuptim. Hector Garcia, bashkëautor i “The Ikigai Method. The secrets of Japanese philosophy for a long and happy life” ka rrëfyer se nuk asnjë teori si kjo në botë.
Baza e saj sipas librit dhe studiuesve fshihet te aftësia e secilit prej nesh që të identifikojë ikigai-n e tij mes balancës holistike që bën bashkë fizikun dhe shëndetin mendor. Në këtë filozofi, trupi dhe mendja punojnë si një e vetme. Për të vërtetuar suksesin e kësaj metode, banorët e Okinawa, të cilët janë vëzhguar nga studiues, thuhet se jetojnë të lumtur pikërisht sepse kanë ndjekur dëshirat e tyre deri kur plaken me të njëjten energji. Kjo metodë, shmang ankthin dhe depresionin.
Si ta gjejmë Ikigai-n tonë?
Si fillim duhet të identifikosh 4 kategori aktivitetesh dhe të krijosh diagramën.
1. Aktivitete që do t’i bësh
2. Aktivitete që i duhen botës
3. Aktivitete që mund të paguhen
4. Aktivitete që di t’i bësh mirë
Duke e menduar dhe duke qenë i/e sinqertë me veten zgjidh aktivitete që i përkasin secilës kategori dhe në bazë të tyre filozofia Ikigai të ndihmon të rindërtosh jetën tënde. Por nuk duhet të lejosh veten të udhëhiqet nga paragjykimi ose faktorë të tjerë të jashtëm.